Tronditëse në Lojërat Mesdhetare, një sportiste dyshohet se është sulmuar seksualisht në fshatin olimpik
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Lojërat Mesdhetare që po mbahen në Taranto të Italisë.
Një sportiste 25-vjeçare me origjinë franceze, pjesëmarrëse në këtë kompeticion, dyshohet se është bërë viktimë e dhunës seksuale gjatë natës mes 31 gushtit dhe 1 shtatorit.
Lajmi është bërë i ditur nga agjencia italiane e lajmeve ANSA, sipas së cilës autori i dyshuar i sulmit është një futbollist me origjinë marokene.
Mësohet se ky i fundit është kthyer në vendin e tij të origjinës mëngjesin e së martës.
Sipas të dhënave të para, sportistja e ka shtyrë të dyshuarin dhe ka kërkuar ndihmën dhe vëmendjen e personelit të fshatit olimpik.
Në vendin e ngjarjes kanë ndërhyrë ekipet e ndihmës së shpejtë dhe policia, ndërsa sportistja, e cila është dërguar në spital për ekzaminime, nuk ka pësuar dëmtime fizike.
Ndërkaq, policia ka nisur hetimet për ngjarjen. Dhuna seksuale dyshohet se ka ndodhur në një nga strukturat e fshatit olimpik të Lojërave Mesdhetare, të cilat kanë nisur më 21 gusht, përcjell “TCh”.
Në orët në vijim pritet të hidhet më shumë dritë mbi rrethanat e ngjarjes. Hetuesit kanë marrë në dorëzim edhe pamjet e kamerave të sigurisë së strukturës së fshatit olimpik.



