Auditorja e Përgjithshme: Forcimi i llogaridhënies dhe rritja e zbatimit të rekomandimeve duhet të jenë prioritet i institucioneve publike
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) të martën publikoi Raportin Vjetor të Auditimit (RVA) për vitin 2025, i cili përmbledh rezultatet e 131 auditimeve të realizuara gjatë sezonit auditues 2025/2026 dhe paraqet çështjet kryesore të identifikuara në menaxhimin e financave publike, pajtueshmërinë dhe performancën e institucioneve publike. Raporti, gjithashtu përmban rezultatet dhe opinionin e auditimit të “Raporti Vjetor Financiar i Buxhetit të Republikës së Kosovës” për vitin 2025. Në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor Raporti është dorëzuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) për Raportin Vjetor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2025, ka dhënë opinion të kualifikuar. Çështjet kryesore të identifikuara në auditimet individuale të organizatave buxhetore të cilat janë reflektuar në Pasqyrat e Buxhetit të Shtetit dhe kanë ndikuar në kualifikimin e opinionit të auditimit janë: klasifikimi joadekuat i shpenzimeve në vlerë prej 77milionë euro, mbivlerësimi i pasurive në vlerë mbi 33milionë euro, mbivlerësim i detyrimeve kontingjente mbi 29 milionë euro, nënvlerësim i llogarive të arkëtueshme mbi katër milionë euro si dhe mbivlerësimi i detyrimeve të papaguara mbi dy milionë euro.
Lidhur me mangësitë e identifikuara nga 131 auditime ZKA ka dhënë 1,032 rekomandime, prej të cilave 412 për nivelin lokal, 230 për nivelin qendror, 182 për ndërmarrjet publike, 169 për auditimet e performancës si dhe 39 për auditimet e pajtueshmërisë. Fushat me numrin më të madh të rekomandimeve lidhen me pasuritë, investimet kapitale, mallrat dhe shërbimet, llogaritë e arkëtueshme, të hyrat dhe pagat.
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, vlerësoi se forcimi i llogaridhënies dhe rritja e zbatimit të rekomandimeve duhet të jenë ndër prioritetet e institucioneve publike. Ajo u bëri thirrje drejtuesve të institucioneve publike që të ndërmarrin masa konkrete dhe në kohë për adresimin e gjetjeve dhe rekomandimeve të auditimit si dhe trajtimin e rasteve me dyshime potenciale për mashtrim.
“Auditimi mund të identifikojë problemet dhe të tregojë se çfarë duhet përmirësuar, por ndryshimi real varet nga veprimet që ndërmerren pas auditimit. Inkurajoj Kuvendin e Republikës së Kosovës që rezultatet e auditimeve t’i përdorë në mënyrë më aktive për të forcuar mbikëqyrjen dhe llogaridhënien e institucioneve”, deklaroi znj. Spanca.
RVA për vitin 2025 vë në pah se krahas progresit të shënuar në përmirësimin e cilësisë së raportimit financiar, prezantimin e të dhënave dhe forcimin e kontrolleve të brendshme, niveli i zbatimit të rekomandimeve mbetet i pamjaftueshëm dhe kërkon angazhim të mëtejshëm nga institucionet publike. Nga 766 rekomandime të vlerësuara nga viti 2024, 274 apo 36% ishin zbatuar, 61 apo 8% ishin zbatuar pjesërisht, ndërsa 431 apo 56% nuk ishin zbatuar.
Raportin Vjetor të Auditimit (RVA) për vitin 2025 e gjeni këtu.



