Klodiana Spahiu emërohet ministre e Shëndetësisë në Shqipëri

03 shtator 2026 | 13:05

Klodiana Spahiu do të zëvendësojë Evis Salën në krye të Ministrisë së Shëndetësisë në Shqipëri. Deputetja e Durrësit aktualisht mban pozitën e nënkryetares së Kuvendit.

Një ditë më parë, Evis Sala ka njoftuar largimin nga posti i ministres së Shëndetësisë, duke falënderuar kryeministrin Edi Rama.

Sala ka deklaruar se do të ndjekë karrierën e saj akademike. Megjithatë, janë ngritur edhe spekulime se Rama po përgatit një projektligj të ri që ndryshon mënyrën e menaxhimit të fondeve të shëndetësisë, të cilin, sipas këtyre spekulimeve, Evis Sala ka refuzuar ta firmosë.

CV-ja e Klodiana Spahiut:

Sipas CV-së së publikuar në faqen e Partisë Socialiste, Klodiana Spahiu ka lindur më 22 maj 1973 në Durrës.

Ajo ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Mjekësisë, dega Mjekësi e Përgjithshme, në vitin 1997. Më pas, gjatë viteve 1998-2002, është specializuar në fushën e kardiologjisë në të njëjtin departament pranë QSUT-së “Nënë Tereza”, në Tiranë.

Spahiu ka kryer një sërë specializimesh ndër vite në fushën e kardiologjisë joinvazive, përfshirë ekokardiografinë, PU-EKG-në dhe Eko-Dopplerin e karotideve, pranë Universitetit Katolik “Sacro Cuore”, Facoltà di Medicina e Chirurgia Agostino Gemelli, në Romë të Italisë.

Në vitet 2003-2004 ka ndjekur studimet në Shkollën Pasuniversitare SH.P.U., pranë Fakultetit të Mjekësisë, Departamenti i Lëndëve Paraklinike.

Gjatë periudhës tetor-dhjetor 2005, ajo ka kryer specializim në fushën e kardiologjisë invazive, përfshirë kateterizimin dhe koronarografinë e zemrës, pranë Spitalit “Santa Chiara” në Pisa të Italisë.

Në vitet 2012-2014, Spahiu ka përfunduar edhe masterin profesional për Menaxhimin Shëndetësor.

Ajo ka ushtruar profesionin e mjekes në Klinikën e Parë të Kardiologjisë në QSUT. Gjithashtu, gjatë viteve 2003-2009 ka punuar si mjeke kardiologe dhe në repartin e patologjisë në Spitalin e Durrësit, ndërsa më pas është zgjedhur drejtoreshë e këtij spitali.

Spahiu ka një përvojë të gjatë edhe në fushën e pedagogjisë. Në vitet 2002-2003 ka qenë pedagoge në Departamentin e Lëndëve Paraklinike në Universitetin e Tiranës, ndërsa në vitin 2006 ka qenë pedagoge e jashtme e fiziologjisë në Universitetin Privat “UFO” në Tiranë.

Nga viti 2008 e në vazhdim, ajo ka qenë docente në praktikat e kardiologjisë pranë Universitetit “Zonja e Këshillit të Mirë” në Tiranë. Spahiu mban titullin “Doktore e Shkencave Mjekësore”.

Klodiana Spahiu është deputete e Kuvendit të Shqipërisë që prej vitit 2009 dhe gjatë karrierës parlamentare ka qenë anëtare e disa komisioneve dhe nënkomisioneve parlamentare, si dhe kryetare e anëtare e disa grupeve të miqësisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Oda e Mjekëve të Kosovës ka shprehur mbështetjen për marshin…