Musliu kritikon VV-në: Po e përdor sërish emrin e Hashim Thaçit për luftë politike
03 shtator 2026
| 23:07
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka kritikuar VV-në, eksponentë të saj dhe zëra nga LDK-ja, përfshirë presidenten Vjosa Osmani, për përdorimin e emrit të Hashim Thaçit në debatet politike.
Musliu ka thënë se në kohën kur Thaçi po përballet me procesin gjyqësor në Hagë, politikanët duhet të tregojnë më shumë maturi dhe dinjitet.
Ajo e ka cilësuar përdorimin e tij për përplasje politike si “frikë politike” dhe “qyqarllëk”, duke kërkuar më pak politikë mbi kurrizin e ish-presidentit.
Postimi i plotë:
Në këtë fazë kritike të përballjes së Hashim Thaçit me drejtësinë në Hagë, VV-ja, eksponentë të saj dhe edhe zëra nga LDK-ja, përfshirë Vjosa Osmanin, po e nxjerrin sërish në skenë emrin e Hashim Thaçit.
Çfarë cinizmi politik!
Kur një njeri përballet me një proces gjyqësor ndërkombëtar për Kosovën dhe vendi duhet të tregojë seriozitet, maturi dhe dinjitet, këta zgjedhin ta përdorin emrin e tij si armë të luftës së tyre politike.
Hashim Thaçi nuk është më në Prishtinë që të mund t’u përgjigjet sulmeve politike. Ai është në Hagë, duke u përballur me një proces të rëndë për Kosovën, dhe pikërisht tani disa politikanë po kujtohen të merren me të.
Ky veprim nuk është guxim politik.
Është frikë politike dhe mungesë lidershipi.
Është qyqarllëk.
Për vite me radhë e kanë përdorur Thaçin si gogol për të mbledhur vota. Sot, kur ai ndodhet në Hagë, vazhdojnë ta përdorin emrin e tij për të mbuluar dështimet, paaftësinë dhe krizën e tyre politike.
Por ta kenë të qartë:
Hashim Thaçi nuk mund të jetë mburoja e përhershme e dështimeve të tyre.
Historia do t’i vlersoj të gjithë ata që luftuan për Kosovën, ata që e ndërtuan shtetin dhe do ti gjykoj ata që sot përpiqen ta ndërtojnë karrierën e tyre politike duke goditur ata që nuk janë në gjendje t’u përgjigjen.
Pak më shumë dinjitet. Pak më shumë lidership. Dhe shumë më pak politikë mbi kurrizin e një njeriu që sot po përballet me një betejë në Hagë.



