MIQËSIA
RALPH WALDO EMERSON
Kemi shumë më tepër mirësi nga sa shprehim ndonjëherë me fjalë. Duke lënë mënjanë gjithë egoizmin që, si erërat e lindjes, e ftoh botën, e gjithë familja njerëzore është e mbështjellë nga një element dashurie, si nga një eter i hollë. Sa njerëz takojmë nëpër shtëpi me të cilët mezi shkëmbejmë ndonjë fjalë e, megjithatë, i nderojmë dhe ata na nderojnë. Sa të tjerë shohim në rrugë, ose ulemi pranë tyre në kishë, me të cilët, ndonëse në heshtje, gëzohemi përzemërsisht që jemi bashkë. Lexojeni gjuhën e këtyre vështrimeve që enden sa andej-këtej. Zemra e di.
Pasojë e lejimit të kësaj dashurie njerëzore është një gjallëri e ngrohtë dhe e hareshme. Në poezi dhe në të folurën e përditshme emocionet e dashamirësisë dhe të kënaqësisë që ndiejmë ndaj të tjerëve krahasohen me efektet materiale të zjarrit; kaq të shpejta, madje shumë më të shpejta, kaq vepruese dhe kaq ngazëllyese janë këto rrezatime të holla të brendshme. Nga shkalla më e lartë e dashurisë së zjarrtë deri te shkalla më e ulët e vullnetit të mirë, ato i japin ëmbëlsi jetës.
Fuqitë tona intelektuale dhe vepruese rriten bashkë me dashurinë tonë. Dijetari ulet të shkruajë dhe gjithë vitet e përsiatjeve nuk i japin as edhe një mendim të mirë apo një shprehje të goditur, por mjafton t’i shkruajë një letër një miku dhe, menjëherë, turma mendimesh të buta e të hijshme rreshtohen nga të gjitha anët, duke u veshur me fjalët më të zgjedhura. Shikoni në çdo shtëpi ku banojnë virtyti dhe respekti për veten, çfarë drithërime shkakton ardhja e një të panjohuri. Njoftohet se po vjen një i panjohur për të cilin kemi dëgjuar fjalë të mira dhe një shqetësim, diku midis kënaqësisë dhe ankthit, pushton zemrat e të gjithë familjarëve. Ardhja e tij pothuajse u ngjall frikë zemrave të mira që dëshirojnë ta mirëpresin. Shtëpia pastrohet, gjithçka fluturon në vendin e vet, palltoja e vjetër ndërrohet me të renë dhe, po të jetë e mundur, duhet përgatitur edhe darkë.
Për një të panjohur për të cilin kemi dëgjuar fjalë të mira, të tjerët na tregojnë vetëm të mirën, ndërsa ne dëgjojmë vetëm të mirën dhe të renë. Ai përfaqëson për ne njerëzimin. Ai është pikërisht ajo që dëshirojmë të jetë. Pasi e kemi përfytyruar dhe e kemi veshur me cilësitë që dëshirojmë, pyesim veten se si do të sillemi në bisedë e në veprim me një njeri të tillë dhe ndihemi të shqetësuar nga droja. E njëjta ide e lartëson edhe bisedën me të. Flasim më mirë nga ç’flasim zakonisht. Kemi fantazinë më të gjallë, një kujtesë më të pasur dhe djalli ynë memec është larguar për një çast. Për orë të tëra mund të vazhdojmë një varg komunikimesh të sinqerta, të hijshme e të pasura, të nxjerra nga përvoja jonë më e vjetër dhe më e fshehtë, aq sa ata që rrinë pranë nesh, njerëzit tanë të afërt dhe të njohurit tanë, habiten gjallërisht me aftësitë tona të pazakonta.
Por sapo i panjohuri fillon të fusë në bisedë parapëlqimet e veta, përkufizimet e veta, mangësitë e veta, gjithçka merr fund. Ai ka dëgjuar të parën, të fundit dhe më të mirën që do të dëgjojë ndonjëherë prej nesh. Tashmë ai nuk është më i panjohur. Vulgariteti, padija dhe keqkuptimi janë të njohur të vjetër. Tani, kur të vijë, mund të marrë porosinë, veshjen dhe darkën, por rrahjet e zemrës dhe komunikimet e shpirtit, jo më.
Çfarë ka më të këndshme se këto shpërthime dashurie që ma ndriçojnë sërish një botë të re e të re? Çfarë ka më të ëmbël se përballja e drejtë dhe e qëndrueshme e dy njerëzve, në një mendim, në një ndjenjë? Sa të bukura janë teksa i afrohen kësaj zemre rrahëse, hapat dhe trajtat e njerëzve të talentuar e të vërtetë. Në çastin që i japim vetes lirinë t’u dorëzohemi dashurive tona, toka shndërrohet; nuk ka më dimër dhe as natë; të gjitha tragjeditë, të gjitha mërzitë zhduken; madje edhe të gjitha detyrimet; asgjë s’e mbush përjetësinë që shtrihet përpara, përveç trajtave rrezatuese të njerëzve të dashur. Mjafton që shpirti të jetë i sigurt se diku në univers do të ribashkohet me mikun e tij, dhe ai do të ishte i kënaqur e i gëzuar, i vetëm, për një mijë vjet.
U zgjova këtë mëngjes me falënderim të përkushtuar për miqtë e mi, të vjetër dhe të rinj. A nuk duhet ta quaj Zotin, të Bukurin, atë që përditë më shfaqet i tillë përmes dhuratave të tij? I qortoj shoqërinë, përqafoj vetminë, e megjithatë nuk jam aq mosmirënjohës sa të mos i shoh të mençurit, të bukurit dhe fisnikët e shpirtit, teksa herë pas here kalojnë pranë portës sime. Kush më dëgjon, kush më kupton, bëhet i imi, një pasuri për gjithë kohën.
As natyra nuk është aq e varfër sa të mos ma dhurojë këtë gëzim disa herë; kështu thurim fijet tona shoqërore, një rrjet të ri marrëdhëniesh dhe, ndërsa një varg mendimesh, njëri pas tjetrit, marrin mish e bëhen realitet, dalëngadalë do të gjendemi në një botë të re të krijuar prej nesh dhe globi i trashëguar nuk do të na duket më si një vend ku jemi të huaj e shtegtarë.
Miqtë e mi kanë ardhur tek unë pa i kërkuar. Zoti i madh m’i dha. Me të drejtën më të lashtë, përmes afërsisë hyjnore të virtytit me vetveten, i gjej ata; ose, më mirë, nuk jam unë që i gjej, por Hyjnia brenda meje dhe brenda tyre, e cila përqesh dhe shfuqizon muret e trasha të karakterit individual, marrëdhënies, moshës, seksit dhe rrethanave, mure ndaj të cilave ajo zakonisht bën sikur nuk sheh, dhe tani i bën shumë njerëz një të vetëm.
Ju detyrohem një falënderim të madh, ju, dashnorë të shkëlqyer, që për mua e çoni botën drejt thellësive të reja e fisnike dhe ua zgjeroni kuptimin të gjitha mendimeve të mia. Këto janë poezia e re e Bardit të Parë, poezi pa fund, himn, odë dhe epikë, poezi që vazhdon të rrjedhë, Apolloni dhe Muzat që vazhdojnë të këndojnë. A do të ndahen sërish këta dy prej meje, apo disa prej tyre? Nuk e di, por nuk kam frikë, sepse marrëdhënia ime me ta është aq e pastër, saqë mbahet vetëm mbi afërsinë natyrore dhe, duke qenë se Gjeniu i jetës sime është kështu shoqëror, e njëjta afërsi do ta ushtrojë fuqinë e saj mbi këdo që është po aq fisnik sa këta burra e këto gra, kudo që të jem.
E pranoj se, në këtë pikë, natyra ime është jashtëzakonisht e ndjeshme. Për mua është thuajse e rrezikshme të “shtypësh helmin e ëmbël të verës së keqpërdorur” të dashurive. Një njeri i ri që hyn në jetën time është një ngjarje e madhe dhe më pengon të fle. Kohët e fundit kam pasur përfytyrime kaq të bukura për dy a tre njerëz, saqë më kanë dhuruar orë të mrekullueshme, por gëzimi mbaron me ditën: nuk jep fryt. Mendimi nuk lind prej tij; veprimet e mia ndryshojnë shumë pak. Duhet të ndiej krenari për arritjet e mikut tim, sikur të ishin të miat, dhe të ndiej një lloj pronësie mbi virtytet e tij. Ndihem po aq i ngazëllyer kur ai lavdërohet, sa një i dashuruar kur dëgjon duartrokitjet për të dashurën e tij. Ne e mbivlerësojmë ndërgjegjen e mikut tonë. Mirësia e tij na duket më e madhe se e jona, natyra e tij më e fisnikëruar, tundimet e tij më të pakta. Gjithçka që është e tij: emri, pamja, veshja, librat dhe veglat, zbukurohen nga fantazia jonë. Edhe mendimi ynë tingëllon i ri dhe më i madh kur del nga goja e tij.
E megjithatë, sistola dhe diastola e zemrës nuk janë pa një ngjashmëri me zbaticën dhe vërshimin e dashurisë. Miqësia, ashtu si pavdekësia e shpirtit, është tepër e mirë për t’u besuar. I dashuruari, duke vështruar të dashurën e tij, e di përgjysmë se ajo nuk është vërtet ajo që adhuron; dhe, në orën e artë të miqësisë, befas na kapin hije dyshimi dhe mosbesimi. Dyshojmë se ne ia kemi dhuruar heroit tonë virtytet me të cilat ai shkëlqen dhe më pas adhurojmë trajtën së cilës i kemi atribuuar këtë prani hyjnore.
Në kuptimin e rreptë të fjalës, shpirti nuk i respekton njerëzit ashtu siç respekton vetveten. Në shkencën e rreptë, të gjithë njerëzit gjenden nën të njëjtin kusht të një largësie të pafundme. A duhet të kemi frikë se mos e ftohim dashurinë tonë duke gërmuar për themelin metafizik të këtij tempulli të Elizeut? A nuk duhet të jem po aq real sa gjërat që shoh? Nëse jam, nuk do të kem frikë t’i njoh ato ashtu siç janë. Thelbi i tyre nuk është më pak i bukur se pamja e tyre, ndonëse për ta perceptuar duhen organe më të holla. Rrënja e bimës nuk është e shëmtuar për shkencën, ndonëse, për të bërë kurora e vargje lulesh, ne e presim kërcellin shkurt.
Dhe unë duhet të guxoj ta sjell faktin e zhveshur mes këtyre ëndërrimeve të këndshme, edhe sikur ai të na shfaqet si një kafkë egjiptiane në tryezën e banketit tonë. Një njeri që qëndron i bashkuar me mendimin e vet, e përfytyron veten në mënyrë madhështore. Ai është i vetëdijshëm për një sukses universal, edhe nëse ai është blerë me dështime të njëpasnjëshme në raste të veçanta. Asnjë epërsi, asnjë fuqi, as ari dhe as forca, nuk mund të krahasohen me të.
Nuk mund të mos mbështetem më shumë te varfëria ime sesa te pasuria jote. Nuk mund ta bëj vetëdijen tënde të barasvlershme me timen. Vetëm ylli të verbon; planeti lëshon një dritë të zbehtë si ajo e hënës. Dëgjoj çfarë thua për cilësitë e admirueshme dhe karakterin e sprovuar të njeriut që lavdëron, por e shoh qartë se, me gjithë mantelet e tij të purpurta, nuk do ta dua, nëse ai nuk është, të paktën, një grek i varfër si unë.
Nuk mund ta mohoj, o mik, se hija e stërmadhe e botës së dukshme të përfshin edhe ty në pafundësinë e saj të larmishme e të ngjyrosur – ty, përkrah të cilit gjithçka tjetër është vetëm hije. Ti nuk je Qenia, siç janë e Vërteta dhe Drejtësia; ti nuk je shpirti im, por një pikturë dhe shëmbëllim i tij. Ke ardhur tek unë së fundmi dhe tashmë po kap kapelën e mantelin tënd.
A nuk është kështu që shpirti nxjerr miq, ashtu si pema nxjerr gjethe dhe pastaj, përmes mbirjes së sytheve të rinj, e shtyn jashtë gjethen e vjetër? Ligji i natyrës është përjetësisht alternimi. Çdo gjendje elektrike sjell pas vetes të kundërtën e saj. Shpirti e rrethon veten me miq, në mënyrë që të hyjë në një njohje më të madhërishme me vetveten ose në një vetmi më të thellë, pastaj shkon vetëm, për një kohë, që ta lartësojë bisedën ose shoqërinë e vet.
Kjo mënyrë shfaqet përgjatë gjithë historisë së marrëdhënieve tona personale. Instinkti i dashurisë e ringjall shpresën për bashkim me të ngjashmit tanë, ndërsa ndjenja e veçimit që rikthehet na thërret përsëri nga ndjekja e tyre. Kështu, çdo njeri e kalon jetën në kërkim të miqësisë dhe, nëse do ta shënonte ndjenjën e tij të vërtetë, mund t’i shkruante një letër të tillë çdo kandidati të ri për dashurinë e tij:
I dashur mik,
Sikur të isha i sigurt për ty, i sigurt për aftësinë tënde, i sigurt se do ta përshtatje gjendjen time shpirtërore me tënden, nuk do të mendoja më kurrë për vogëlsira lidhur me ardhjet dhe ikjet e tua. Nuk jam shumë i mençur; gjendjet e mia shpirtërore janë krejt të kapshme; dhe unë e respektoj gjeninë tënde; për mua ajo është ende e panjohur në thellësitë e saj. Megjithatë, nuk guxoj të supozoj se ti më kupton plotësisht. Prandaj, për mua, ti je një mundim i ëmbël. Përgjithmonë i yti, ose kurrë.
E megjithatë, këto kënaqësi të shqetësuara dhe këto dhimbje të holla janë për kureshtjen, jo për jetën. Nuk duhen ushqyer. Kjo do të thotë të thurësh rrjetë merimange, jo pëlhurë. Miqësitë tona nxitojnë drejt përfundimeve të shkurtra dhe të varfra, sepse i kemi bërë prej një thurjeje vere dhe ëndrrash, në vend që t’i ndërtojmë me fibrën e fortë të zemrës njerëzore.
Ligjet e miqësisë janë të mëdha, të rrepta dhe të përjetshme, të thurura nga e njëjta pëlhurë me ligjet e natyrës dhe të moralit. Por ne kemi synuar një përfitim të shpejtë e të vogël, për të thithur një ëmbëlsi të çastit. Kapim me padurim frutin më të ngadaltë në gjithë kopshtin e Zotit, i cili ka nevojë për shumë vera dhe shumë dimra që të piqet.
Ne e kërkojmë mikun jo në mënyrë të shenjtë, por me një pasion të përzier e të papastër, i cili do ta përvetësonte për vete. Më kot. Jemi të armatosur gjithandej me antagonizma të holla, të cilat, sapo takohemi, fillojnë të veprojnë dhe e shndërrojnë gjithë poezinë në prozë të ndenjur.
Pothuajse të gjithë njerëzit zbresin për t’u takuar në gjysmë të rrugës. Çdo shoqërim duhet të jetë një kompromis dhe, më e keqja nga të gjitha, pikërisht lulja dhe aroma e lules së secilës prej natyrave të bukura zhduket teksa ato i afrohen njëra-tjetrës.
Çfarë zhgënjimi i përhershëm është shoqëria reale, edhe ajo e njerëzve të virtytshëm dhe të talentuar. Pasi takimet janë planifikuar me shumë kohë e kujdes, së shpejti duhet të mundohemi nga goditje të dështuara, nga apati të papritura e të papërshtatshme, nga shpërthime epileptike të zgjuarsisë dhe të gjallërisë trupore, pikërisht në kulmin e miqësisë dhe të mendimit. Aftësitë tona s’na shërbejnë siç duhet dhe të dyja palët çlirohen përmes vetmisë.
Duhet të jem i barabartë me çdo marrëdhënie. Nuk ka rëndësi sa miq kam dhe sa kënaqësi mund të gjej duke biseduar me secilin prej tyre, nëse ekziston qoftë edhe njeri me të cilin nuk jam i barabartë. Nëse jam tërhequr, i ndier i pabarabartë, qoftë edhe në një përballje të vetme, gëzimi që gjej te të gjithë të tjerët bëhet i ulët dhe frikacak. Do ta urreja veten nëse atëherë do t’i bëja miqtë e mi të tjerë strehë.
“Luftëtari trim, i famshëm për betejat,
Pas njëqind fitoreve, kur një herë mposhtet,
Nga libri i nderit fshihet krejt,
Dhe harrohet gjithçka për të cilën kishte luftuar”.
Kështu padurimi ynë qortohet ashpër. Ndrojtja dhe apatia janë një guaskë e fortë brenda së cilës një natyrë e brishtë mbrohet nga pjekja e parakohshme. Ajo do të humbiste nëse do ta njihte veten përpara se disa prej shpirtrave më të mirë të ishin pjekur mjaftueshëm për ta njohur dhe për ta pranuar atë. Respektoni ngadalësinë natyrore që e ngurtëson rubinin gjatë miliona vjetëve dhe vepron përmes kohëzgjatjes, në të cilën Alpet dhe Andet shfaqen e zhduken si ylber.
Shpirti i mirë i jetës sonë nuk ka asnjë parajsë që të jetë shpërblim i nxitimit. Dashuria, e cila është thelbi i Zotit, nuk është për mendjelehtësi, por për vlerën e plotë të njeriut. Le të mos kemi në marrëdhëniet tona këtë luks fëmijëror, por vlerën më të rreptë; le t’i afrohemi mikut tonë me një besim të guximshëm tek e vërteta e zemrës së tij, te gjerësia dhe qëndrueshmëria e themeleve të tij, që nuk mund të përmbysen.
Tërheqjes së kësaj teme nuk mund t’i rezistohet dhe, për njëfarë kohe, po lë mënjanë çdo përllogaritje të përfitimeve të dorës së dytë që sjell shoqëria, për të folur për atë marrëdhënie të zgjedhur dhe të shenjtë, e cila është një lloj absolute dhe që madje e bën të dyshimtë e të zakonshme gjuhën e dashurisë. Aq më e pastër që është ajo, aq më shumë i afrohet hyjnores.
Nuk dëshiroj t’i trajtoj miqësitë me delikatesë të tepruar, por me guximin më të ashpër. Kur janë të vërteta, ato nuk janë fije qelqi apo zbukurime prej bryme, por gjëja më e qëndrueshme që njohim.
Tani, pas kaq shumë shekujsh përvoje, çfarë dimë ne për natyrën apo për veten? Njeriu nuk ka bërë as edhe një hap drejt zgjidhjes së enigmës së fatit të tij. I gjithë universi i njerëzve qëndron nën të njëjtin dënim të marrëzisë. Por sinqeriteti i ëmbël i gëzimit dhe i paqes, që unë nxjerr nga kjo lidhje me shpirtin e vëllait tim, është vetë bërthama, ndërsa gjithë natyra dhe gjithë mendimi janë vetëm lëvozhga e guaska e saj.
E lumtur është shtëpia që strehon një mik. Do të mund të ndërtohej fare mirë si një tendë ose hark festiv, vetëm për ta pritur atë për një ditë. Por edhe më e lumtur është nëse ai e njeh solemnitetin e kësaj marrëdhënieje dhe nderon ligjin e saj.
Ai që paraqitet si kandidat për këtë besëlidhje vjen, si një olimpian, në Lojërat e Mëdha, ku garues janë të parëlindurit e botës. Ai e vë veten në një garë ku Koha, Nevoja dhe Rreziku janë kundërshtarë dhe ku fitues është vetëm ai që ka aq shumë të vërtetë në qenien e vet, sa ta ruajë brishtësinë e bukurisë së tij nga konsumimi dhe goditjet e të gjitha këtyre.
Dhuratat e fatit mund të jenë të pranishme ose të mungojnë, por gjithçka në atë garë varet nga fisnikëria e brendshme dhe përbuzja e vogëlsirave.
Ka dy elemente që përbëjnë miqësinë, dhe secili prej tyre është aq sovran, sa nuk mund të dalloj epërsi të njërës ndaj tjetrës, as ndonjë arsye se pse njëra duhet përmendur e para.
Njëri është E Vërteta.
Mik është ai njeri me të cilin mund të jem i sinqertë. Përpara tij mund të mendoj me zë të lartë. Më në fund kam mbërritur në praninë e një njeriu aq të vërtetë dhe aq të barabartë me mua, saqë mund të heq edhe rrobat më të thella të shtirjes, të mirësjelljes dhe të mendimit të dytë, ato që njerëzit nuk i heqin kurrë; dhe mund të sillem me të me atë thjeshtësi dhe tërësi me të cilën një atom kimik takohet me një tjetër.
Sinqeriteti është luks i lejuar, ndërsa diademat dhe autoriteti vetëm për rangun më të lartë; atij që i lejohet të flasë të vërtetën, sepse nuk ka askënd mbi vete për t’i bërë qejfin apo për t’iu përshtatur.
Çdo njeri, kur është vetëm, është i sinqertë. Me hyrjen e një personi të dytë, fillon hipokrizia. Ne e shmangim dhe e sprapsim afrimin e të afërmit tonë përmes komplimenteve, thashethemeve, zbavitjeve dhe çështjeve të ndryshme. E mbulojmë mendimin tonë prej tij nën njëqind shtresa.
Kam njohur një njeri i cili, nën një lloj ngazëllimi fetar, e hoqi këtë mbulesë dhe, duke lënë mënjanë të gjitha komplimentet dhe fjalët e zakonshme, i fliste ndërgjegjes së çdo njeriu që takonte, dhe e bënte këtë me një depërtim dhe bukuri të jashtëzakonshme. Në fillim ai u kundërshtua dhe të gjithë njerëzit ranë dakord se ishte i çmendur.
Por, duke këmbëngulur për njëfarë kohe në këtë mënyrë siç, në të vërtetë, nuk mund të bënte ndryshe, ai arriti përfitimin e madh që ta sillte çdo njeri të njohur në marrëdhënie të vërteta me të. Askush nuk do të mendonte t’i fliste atij në mënyrë të rreme apo ta largonte me biseda për tregjet ose sallat e leximit.
Por çdo njeri detyrohej, nga një sinqeritet i tillë, të sillej po aq hapur; dhe çfarë dashurie për natyrën, çfarë poezie, çfarë simboli të së vërtetës kishte brenda vetes, ai sigurisht ia shfaqte.
Por shoqëria, për shumicën prej nesh, nuk na tregon fytyrën dhe syrin e saj, por anën dhe shpinën e saj.
Të qëndrosh në marrëdhënie të vërteta me njerëzit në një epokë të rreme, ia vlen një shpërthim çmendurie, apo jo? Rrallë mund të ecim drejt e të patundur. Pothuajse çdo njeri që takojmë kërkon njëfarë mirësjelljeje, kërkon të ledhatohet; ka njëfarë fame, talenti, tekë fetare apo filantropike në kokë, e cila nuk duhet vënë në dyshim dhe që e prish çdo bisedë me të.
Por një mik është një njeri i shëndetshëm në mendje, i cili nuk e vë në punë zgjuarsinë time, por më vë mua në veprim. Miku im më jep kënaqësi pa kërkuar prej meje asnjë kusht.
Prandaj, një mik është një lloj paradoksi i natyrës. Unë, që jam i vetëm dhe ekzistoj në vetvete, unë që nuk shoh në natyrë asgjë për ekzistencën e së cilës mund të jem po aq i sigurt sa për ekzistencën time, tani shoh ngjashmërinë e qenies sime, në gjithë lartësinë, larminë dhe çuditshmërinë e saj, të përsëritur në një formë të huaj; kështu, një mik mund të quhet me të drejtë kryevepra e natyrës.
Elementi tjetër i miqësisë është butësia.
Ne jemi të lidhur me njerëzit përmes çdo lloj lidhjeje: përmes gjakut, krenarisë, frikës, shpresës, fitimit, epshit, urrejtjes, admirimit, përmes çdo rrethane, shenje dhe vogëlsie, por mezi mund të besojmë se një tjetër mund të ketë aq shumë karakter sa të na tërheqë përmes dashurisë.
A mund të jetë një tjetër kaq i bekuar dhe ne kaq të pastër, sa t’i ofrojmë butësinë tonë?
Kur një njeri bëhet i dashur për mua, kam prekur majën e fatit. Në libra gjej shumë pak gjëra të shkruara drejtpërdrejt për zemrën e kësaj çështjeje. E megjithatë, kam një tekst që nuk mund të mos e kujtoj. Autori im thotë: “U ofrohem me drojë dhe pa shumë aftësi atyre të cilëve u përkas në të vërtetë, dhe i ofroj më pak butësi pikërisht atij të cilit i jam më i përkushtuar”.
Do të doja që miqësia të kishte këmbë po aq sa ka sy dhe elokuencë. Ajo duhet të ngulë këmbët në tokë përpara se të kërcejë mbi hënë. Do të doja të kishte paksa qytetari brenda saj, përpara se të bëhej krejt kerubin.
Ne e qortojmë qytetarin sepse e shndërron dashurinë në mall. Ajo bëhet një shkëmbim dhuratash, huash të dobishme; është fqinjësi e mirë; kujdeset për të sëmurin; mban anën e arkivolit në varrim; dhe kështu e humb krejtësisht nga sytë delikatesën dhe fisnikërinë e marrëdhënies.
Por, edhe nëse nuk mund ta gjejmë zotin nën këtë maskë tregtari ambulant, nga ana tjetër nuk mund t’ia falim poetit nëse e tjerr fijen e tij aq hollë sa nuk e mishëron romancën e tij përmes virtyteve qytetare të drejtësisë, përpikërisë, besnikërisë dhe mëshirës.
E urrej prostituimin e emrit të miqësisë për të nënkuptuar aleanca të modës dhe të botës. E parapëlqej shumë më tepër shoqërinë e djemve të parmendës dhe të shitësve ambulantë të teneqesë sesa atë miqësi të mëndafshtë e të parfumuar, e cila i kremton ditët e takimit vetëm përmes një shfaqjeje të kotë, shëtitjeve me karrocë dhe darkave në bujtinat më të mira.
Qëllimi i miqësisë është një bashkësi, një shkëmbim, sa më i rreptë dhe i thjeshtë që mund të ekzistojë; më i rreptë se çdo marrëdhënie tjetër që kemi përjetuar. Ajo është për ndihmë dhe ngushëllim përgjatë të gjitha marrëdhënieve dhe kalimeve të jetës e të vdekjes.
Ajo u përshtatet ditëve të qeta, dhuratave të hijshme dhe shëtitjeve nëpër fshat, por edhe rrugëve të vështira dhe ushqimit të keq, mbytjes së anijes, varfërisë dhe përndjekjes. Ajo ecën krah për krah me shpërthimet e zgjuarsisë dhe ekstazat e fesë.
Ne duhet t’ia lartësojmë njëri-tjetrit nevojat dhe shërbimet e përditshme të jetës njerëzore dhe ta zbukurojmë atë me guxim, urtësi dhe unitet. Miqësia nuk duhet të bjerë kurrë në diçka të zakonshme e të vendosur njëherë e përgjithmonë; ajo duhet të jetë gjithnjë vigjilente dhe krijuese, dhe t’i shtojë rimë e arsye asaj që dikur ishte vetëm një barrë e rëndomtë.
Mund të thuhet se miqësia kërkon natyra aq të rralla dhe të çmuara, secila e ekuilibruar aq mirë dhe e përshtatur aq lumturisht me tjetrën, si edhe të vendosura në rrethana aq të favorshme, sepse edhe në këtë pikë, siç thotë një poet, dashuria kërkon që palët të jenë plotësisht të njëjta e të përputhura, saqë përmbushja e saj mund të sigurohet shumë rrallë.
Disa prej atyre që janë të ditur në këtë dije të ngrohtë të zemrës thonë se miqësia nuk mund të ekzistojë në përsosmërinë e saj midis më shumë se dy njerëzve. Ndoshta unë nuk jam aq i rreptë në kushtet e mia, sepse s’kam njohur kurrë një bashkësi aq të lartë sa të tjerët. Përfytyrimin tim e kënaq më shumë një rreth burrash e grash thuajse hyjnorë, të lidhur në mënyra të ndryshme me njëri-tjetrin dhe midis të cilëve ekziston një mirëkuptim i lartë.
Por e gjej këtë ligj të njërit me njërin si të prerë për bisedën, e cila është praktika dhe përmbushja e miqësisë. Mos i përzieni ujërat tepër. Edhe gjërat më të mira përzihen keq njësoj si të mirat me të këqijat. Mund të bëni biseda shumë të dobishme dhe ngazëllyese, në raste të ndryshme, me dy njerëz të ndryshëm, por lërini të tre të mblidhen bashkë dhe nuk do të keni as edhe një fjalë të re e të sinqertë.
Dy mund të flasin dhe njëri të dëgjojë, por tre nuk mund të marrin pjesë në një bisedë të llojit më të sinqertë dhe depërtues. Në shoqëri të mirë nuk zhvillohet kurrë, përtej tryezës, ajo lloj bisede midis dy njerëzve që zhvillohet kur i lini vetëm.
Në shoqëri të mirë individët menjëherë e shkrijnë egoizmin e tyre në shpirt shoqëror, i cili shtrihet saktësisht sa ndërgjegjet e ndryshme që janë të pranishme. Nuk ka vend aty për parapëlqimet e një miku ndaj një miku tjetër, as për dashurinë e vëllait ndaj motrës apo të gruas ndaj burrit, përkundrazi. Atëherë mund të flasë vetëm ai që është në gjendje të lundrojë mbi mendimin e përbashkët të të gjithë grupit, dhe jo të kufizohet ngushtë në mendimin e vet.
Tani kjo marrëveshje që kërkon arsyeja e shëndoshë e shkatërron lirinë e lartë të një bisede të madhe, e cila kërkon që dy shpirtra të rrjedhin plotësisht në njëri-tjetrin.
Çdo dy njerëz, sapo mbeten vetëm me njëri-tjetrin, hyjnë në marrëdhënie më të thjeshta. E megjithatë, është afiniteti ai që përcakton se cilët dy do të bisedojnë. Njerëzit pa lidhje të brendshme i japin pak gëzim njëri-tjetrit. Ata kurrë nuk do t’i dyshojnë fuqitë e fshehura të njëri-tjetrit.
Ndonjëherë flasim për një talent të madh për bisedën, sikur të ishte një cilësi e përhershme e disa individëve. Por biseda është një marrëdhënie kalimtare dhe asgjë më shumë. Një njeri mund të njihet për mendimin dhe elokuencën e tij; megjithatë ai mund të mos jetë në gjendje t’i thotë asnjë fjalë kushëririt apo xhaxhait të vet. Ata e qortojnë heshtjen e tij me po aq arsye sa do ta fajësonin mungesën e kuptimit të një sahati diellor kur është në hije. Vendoseni në diell dhe ai do ta tregojë orën. Mes atyre që e çmojnë mendimin e tij, ai do ta rifitojë gjuhën.
Miqësia kërkon atë ekuilibër të rrallë midis ngjashmërisë dhe pangjashmërisë, i cili e ngacmon secilin me praninë e fuqisë dhe të mirëkuptimit te tjetri.
Më mirë të jem vetëm deri në fund të botës sesa miku im të tejkalojë, qoftë edhe me një fjalë ose një vështrim, atë që është simpatia e tij e vërtetë ndaj meje. Njësoj më pengon edhe kundërshtimi, edhe pajtimi i tepruar. Le të mos pushojë asnjë çast së qeni vetvetja.
E vetmja kënaqësi që kam nga fakti se ai është imi, është se ajo që nuk është imja është pikërisht ajo që është imja. E urrej që, aty ku prisja një mbështetje burrërore, ose të paktën një kundërshtim burrëror, të gjej një masë të butë lëshimesh.
Më mirë të jesh një hithër në brinjën e mikut tënd sesa jehona e tij.
Kushti që kërkon miqësia e lartë është aftësia për të jetuar pa të. Kjo detyrë e lartë kërkon cilësi të mëdha dhe sublime. Duhet të jenë vërtet dy, përpara se të mund të bëhen vërtet një. Le të jetë një aleancë e dy natyrave të mëdha e të fuqishme, që e shohin dhe e frikësojnë njëra-tjetrën, përpara se ta njohin identitetin e thellë që i bashkon nën këto dallime.
Vetëm ai është i denjë për këtë shoqëri që është zemërgjerë; që është i sigurt se madhështia dhe mirësia janë gjithmonë një ekonomi e mençur; që nuk nxiton të ndërhyjë në fatin e vet. Le të mos ndërhyjë as në këtë. Lëreni diamantin të ketë shekujt e vet për t’u rritur dhe mos prisni ta përshpejtoni lindjen e gjërave të përjetshme.
Miqësia kërkon një trajtim thuajse fetar. Ne flasim për zgjedhjen e miqve tanë, por miqtë zgjidhen vetë. Nderimi është një pjesë e madhe e saj. Trajtoje mikun tënd si një spektakël për t’u soditur. Sigurisht që ai ka cilësi që nuk i ke ti dhe që nuk mund t’i nderosh nëse ke nevojë ta mbash vazhdimisht pranë vetes. Qëndro pak mënjanë, jepu atyre cilësive hapësirë, lëri të ngrihen dhe të zgjerohen.
A je mik i kopsave të mikut tënd, apo i mendimit të tij?
Për një zemër të madhe, ai do të mbetet ende i huaj në një mijë hollësi, në mënyrë që të mund të afrohet në truallin më të shenjtë. Lërjani vajzave dhe djemve ta konsiderojnë një mik si pronë dhe të thithin një kënaqësi të shkurtër e gjithëpërfshirëse, në vend të përfitimeve më fisnike.
Le ta blejmë hyrjen tonë në këtë bashkësi përmes një prove të gjatë. Pse duhet t’i përdhosim shpirtrat fisnikë dhe të bukur duke u futur pa ftesë në jetën e tyre? Pse të këmbëngulim në marrëdhënie të nxituara personale me mikun tënd? Pse të shkosh në shtëpinë e tij, apo ta njohësh nënën, vëllanë dhe motrat e tij? Pse të vijnë ata për vizitë në shtëpinë tënde? A janë këto gjëra të rëndësishme për besëlidhjen tonë?
Lërini këto prekje dhe përkëdhelje. Le të jetë për mua një shpirt. Një mesazh, një mendim, një sinqeritet, një vështrim prej tij – këto dua, jo lajme e as gjellë. Politikë, biseda të zakonshme dhe lehtësi fqinjësore mund të gjej te shokë më pak të kushtueshëm.
A nuk duhet që shoqëria e mikut tim të jetë për mua poetike, e pastër, universale dhe e madhe sa vetë natyra? A duhet të ndiej se lidhja jonë është profane në krahasim me atë shirit reje që fle mbi horizont, apo me atë tufë bari që valëvitet dhe ndan përroin?
Le të mos e ulim, por ta ngremë miqësinë në atë lartësi.
Atë vështrim të madh sfidues, atë bukuri përbuzëse të pamjes dhe të veprimit të tij, mos u përpiq ta zvogëlosh, përkundrazi, forcoje dhe shtoje. Adhuro epërsitë e tij. Mos dëshiro t’i pakësosh asgjë, qoftë edhe me një mendim, por ruaji me kujdes dhe tregoji të gjitha. Ruaje si një plotësim tëndin.
Le të jetë për ty përgjithmonë një lloj armiku i bukur, i pazbutshëm, i nderuar me përkushtim, dhe jo një lehtësi e vogël që së shpejti do ta tejkalosh e do ta flakësh tutje.
Ngjyrat e opalit dhe drita e diamantit nuk mund të shihen nëse syri është tepër pranë.
Mikut tim i shkruaj një letër dhe prej tij marr një letër. Ty të duket kjo pak. Për mua mjafton. Është një dhuratë shpirtërore e denjë për të që ta japë dhe për mua që ta marr. Ajo nuk përdhos askënd. Në këto rreshta të ngrohtë zemra do t’i besojë vetvetes, siç s’do t’i besonte gjuhës, dhe do ta derdhë profecinë e një ekzistence më hyjnore se gjithçka që kanë arritur deri më sot të dëshmojnë gjithë analet e heroizmit.
Respektoji deri në këtë pikë ligjet e shenjta të kësaj bashkësie sa të mos e dëmtojmë lulëzimin e saj të përsosur me padurimin tonë për ta parë të çelë. Duhet të jemi tanët përpara se të mund të jemi të tjetrit.
Sipas fjalës së urtë latine, ka të paktën këtë kënaqësi në krim: mund t’i flasësh bashkëpunëtorit tënd në kushte të barabarta. Crimen quos inquinat, aequat – krimi i barazon ata që i ndot.
Me ata që admirojmë dhe duam, në fillim nuk mundemi.
E megjithatë, në gjykimin tim, edhe mangësia më e vogël e vetëzotërimit e prish të gjithë marrëdhënien. Nuk mund të ketë kurrë paqe të thellë midis dy shpirtrave, as respekt të ndërsjellë, derisa, në dialogun e tyre, secili të përfaqësojë gjithë botën.
Çfarë ka më të madhe se miqësia? Le ta mbajmë atë me gjithë madhështinë e shpirtit që mundemi. Le të heshtim – kështu mund ta dëgjojmë pëshpërimën e perëndive. Le të mos ndërhyjmë.
Kush të ka ngarkuar ty të mendosh se çfarë duhet t’u thuash shpirtrave të zgjedhur, ose si t’u thuash diçka të tillë? Nuk ka rëndësi sa i zgjuar, sa i hijshëm apo sa i ëmbël mund të jesh. Ka pafund shkallë marrëzie dhe urtësie dhe, nëse ti thua diçka, kjo vetvetiu është mendjelehtësi.
Prit, dhe zemra jote do të flasë.
Prit derisa e domosdoshmja dhe e përjetshmja të të pushtojnë derisa dita dhe nata t’i përdorin buzët e tua për të folur.
Shpërblimi i vetëm i virtytit është virtyti; mënyra e vetme për të pasur një mik është të jesh mik.
Nuk do t’i afrohesh një njeriu duke hyrë në shtëpinë e tij. Nëse je i pangjashëm me të, shpirti i tij vetëm do të largohet më shpejt prej teje dhe ti nuk do të kapësh kurrë një vështrim të vërtetë të syve të tij.
Ne i shohim fisnikët nga larg dhe ata na sprapsin; pse duhet të ndërhyjmë? Shumë vonë, tepër vonë, kuptojmë se asnjë organizim, asnjë njohje e ndërmjetësuar, asnjë prezantim, asnjë zakon apo marrëdhënie shoqërore nuk do të na ndihmonte të vendosnim me ta atë lloj marrëdhënieje që dëshirojmë, por vetëm ngritja e natyrës sonë në të njëjtën lartësi ku është natyra e tyre.
Atëherë do të takohemi si uji me ujin; dhe nëse nuk do t’i takonim atëherë, nuk do të kishim më nevojë për ta, sepse tashmë do të ishim ata.
Në analizën e fundit dashuria nuk është veçse pasqyrimi i denjësisë së vetë njeriut përmes njerëzve të tjerë. Ndonjëherë njerëzit kanë ndërruar emrat me miqtë e tyre, sikur të donin të tregonin se te miku secili dashuronte shpirtin e vet.
Sa më lart ta kërkojmë nivelin e miqësisë, aq më pak e lehtë është, sigurisht, ta vendosim atë mes mishit dhe gjakut.
Ne ecim të vetëm nëpër botë. Miqtë që dëshirojmë janë ëndrra dhe përralla, por një shpresë sublime e ngushëllon gjithmonë zemrën besnike: diku tjetër, në vise të tjera të fuqisë universale, tani për tani janë duke vepruar, vuajtur dhe guxuar shpirtra që mund të na duan dhe që ne mund t’i duam.
Mund ta përgëzojmë veten se periudha e papjekurisë, e marrëzive, e gabimeve dhe e turpit ka kaluar në vetmi dhe se, kur të jemi bërë burra e gra të plotësuar, do t’i shtrëngojmë duart heroike me duar heroike.
Vetëm kini parasysh atë që tashmë shihni, që të mos lidhni aleanca miqësie me njerëz të rëndomtë, aty ku miqësia nuk mund të ekzistojë. Padurimi ynë na shtyn drejt aleancave të nxituara dhe të pamenduara të cilat nuk i shoqëron asnjë Zot.
Duke këmbëngulur në rrugën tënde, edhe nëse heq dorë nga pakësira që mund të fitosh, ti fiton të madhërishmen.
Ti e dëshmon veten deri në atë pikë saqë e vendos veten përtej mundësisë së marrëdhënieve të rreme; dhe kështu tërheq drejt vetes të parëlindurit e botës, ata shtegtarë të rrallë, prej të cilëve vetëm një ose dy enden njëherësh në natyrë, dhe përpara të cilëve të mëdhenjtë e rëndomtë shfaqen vetëm si spektre dhe hije.
Është marrëzi të kemi frikë se mos i bëjmë lidhjet tona tepër shpirtërore, sikur, duke vepruar kështu, të mund të humbnim ndonjë dashuri të vërtetë. Çdo korrigjim të pikëpamjeve tona të zakonshme që bëjmë përmes depërtimit të mendjes, natyra me siguri do të na e vërtetojë dhe, edhe nëse duket sikur na grabit një pjesë të gëzimit, do të na e shpërblejë me një gëzim më të madh.
Le ta ndiejmë, nëse duam, vetminë absolute të njeriut. Jemi të sigurt se gjithçka e kemi brenda vetes. Shkojmë në Evropë, ndjekim njerëz të caktuar ose lexojmë libra, me besimin instinktiv se këto gjëra do të nxjerrin prej nesh atë që kemi brenda dhe do të na zbulojnë para vetvetes.
Të gjithë lypës.
Njerëzit janë si ne. Evropa është një rrobë e vjetër, e zbehur, e qepur nga njerëz të vdekur. Librat janë fantazmat e tyre. Le ta braktisim këtë idhujtari. Le t’i japim fund kësaj lypjeje.
Le t’u themi lamtumirë madje edhe miqve tanë më të dashur dhe t’i sfidojmë duke u thënë: “Kush je ti? Më lësho. Nuk do të jem më i varur nga askush”.
Ah! A nuk e sheh, o vëlla, se kështu ndahemi vetëm për t’u takuar përsëri në një rrafsh më të lartë dhe për t’u bërë edhe më të dashur me njëri-tjetrin, pikërisht sepse jemi bërë më shumë vetvetja?
Një mik ka dy fytyra, si Janusi: shikon nga e kaluara dhe nga e ardhmja. Ai është fëmija i të gjitha orëve të mia të mëparshme, profeti i atyre që do të vijnë dhe pararendësi i një miku edhe më të madh.
Kështu, me miqtë e mi veproj njësoj si me librat e mi. Do t’i kem aty ku mund t’i gjej, por rrallë i përdor. Duhet ta kemi shoqërinë sipas kushteve tona dhe ta pranojmë ose ta përjashtojmë për arsyen më të vogël.
Nuk mund t’ia lejoj vetes të flas shumë me mikun tim. Nëse ai është i madh, ai më bën edhe mua aq të madh, saqë nuk mund të zbres në nivelin e një bisede të zakonshme me të.
Në ditët e mëdha, para meje, shumë larg në kupën qiellore, shfaqen parandjenja. Atëherë duhet t’ua kushtoj veten atyre. Hyj brenda që t’i kap; dal jashtë që t’i kap. Kam frikë vetëm se mos i humbas teksa tërhiqen në qiellin ku tani janë vetëm një njollë drite e ndritshme.
Prandaj, ndonëse i çmoj miqtë e mi, nuk mund t’ia lejoj vetes të flas me ta dhe të studioj vizionet e tyre, sepse kam frikë se mos humbas të miat.
Vërtet, do të më sillte njëfarë gëzimi familjar të hiqja dorë nga ky kërkim i lartë, nga kjo astronomi shpirtërore, nga ky kërkim i yjeve, dhe të zbrisja drejt simpatizimit të ngrohtë me ty; por atëherë e di mirë se do ta vajtoja gjithmonë zhdukjen e perëndive të mia madhështore.
Është e vërtetë se javën e ardhshme do të kem gjendje të plogështa, kur mund t’ia lejoj vetes të merrem me objekte të huaja; atëherë do të pendohem për letërsinë e humbur të mendjes sate dhe do të doja të ishe përsëri pranë meje.
Por, nëse vjen, ndoshta do ta mbushësh mendjen time vetëm me vizione të reja, jo me vetveten, por me shkëlqimet e tua, dhe unë nuk do të jem më në gjendje të bisedoj me ty sesa jam tani.
Prandaj, miqve të mi do t’u detyrohem për këtë bashkëbisedim të pakapshëm e kalimtar. Do të marr prej tyre jo atë që kanë, por atë që janë. Ata do të më japin atë që, në thelb, nuk mund ta japin, por që buron prej tyre.
Por ata s’do të më mbajnë të lidhur përmes marrëdhënieve më pak të holla dhe më pak të pastra.
Do të takohemi sikur të mos ishim takuar dhe do të ndahemi sikur të mos ishim ndarë.
Kohët e fundit më është dukur më e mundur nga sa e kisha menduar që një miqësi të mund të mbahet lart dhe me madhështi vetëm nga njëra palë, pa një përgjigje të denjë nga pala tjetër.
Pse duhet ta ngarkoj veten me keqardhje që ai që merr nuk ka kapacitet të mjaftueshëm për të pranuar? Dielli nuk shqetësohet kurrë që disa prej rrezeve bien larg dhe kot në hapësirën mosmirënjohëse, ndërsa vetëm një pjesë e vogël bie mbi planetin që i pasqyron.
Lëre madhështinë tënde ta edukojë shokun e pagdhendur dhe të ftohtë.
Nëse ai nuk është i barabartë me ty, së shpejti do të largohet; por ti je zgjeruar nga vetë shkëlqimi yt dhe, duke mos qenë më bashkudhëtar i bretkosave dhe krimbave, ngrihesh dhe digjesh bashkë me perënditë e empirit.
Mendohet se është turp të duash pa u dashur në këmbim. Por njeriu i madh do të kuptojë se dashuria e vërtetë nuk mund të mbetet kurrë pa përgjigje.
Dashuria e vërtetë e tejkalon objektin e padenjë dhe banon e përqendrohet mbi të përjetshmen; dhe, kur maska e varfër që i ka dalë përpara rrënohet, ajo nuk trishtohet, por ndihet e çliruar nga aq shumë tokë dhe e ndien pavarësinë e vet edhe më të sigurt.
E megjithatë, këto gjëra vështirë se mund të thuhen pa një lloj tradhtie ndaj vetë marrëdhënies.
Thelbi i miqësisë është tërësia, një zemërgjerësi e plotë dhe një besim i plotë.
Ajo nuk duhet të dyshojë apo të përgatitet për dobësinë. Ajo e trajton tjetrin si një zot, në mënyrë që t’i hyjnizojë të dy.
Përktheu nga anglishtja: Mirsad Dakaj. Marrë nga numri 27 i revistës “Akademia”.



