Avokatët e Veliajt përgatisin ankesën në Strasburg: Më 10 shtator nisin procedurat për kundërshtimin e arrestit
Avokatët e huaj të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, kanë kërkuar nga SPAK një takim të dytë me të, i cili pritet të zhvillohet më 10 shtator.
Sipas kërkesës së mbrojtjes, takimi do të shërbejë për përgatitjen e aplikimit në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, për të kundërshtuar masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj Veliajt.
Gjatë takimit, kryebashkiaku i Tiranës pritet të firmosë dokumentet që do t’i hapin rrugë apelimit në Gjykatën e Strasburgut.
Kjo lëvizje e avokatëve vjen pas dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka rikthyer për shqyrtim në Gjykatën e Lartë çështjen e masës së sigurisë ndaj Veliajt. Kushtetuesja ka kërkuar një arsyetim më të qartë lidhur me nevojën e vazhdimit të paraburgimit dhe mundësinë e zëvendësimit të tij me një masë më të butë.
Gjykata e Lartë ka caktuar 15 shtatorin, në orën 09:30, për shqyrtimin e masës së sigurisë ndaj kryebashkiakut të Tiranës.
Veliaj ndodhet në paraburgimin e Durrësit që prej shkurtit të vitit 2025 dhe, sipas të dhënave të publikuara, është i vetmi person në procesin gjyqësor ndaj të cilit vijon masa e sigurisë “arrest në burg”.
Ndërkohë, procesi gjyqësor ndaj Veliajt, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe të pandehurve të tjerë vijon në GjKKO, në fazën e shqyrtimit të themelit.
Nëse kërkesa dorëzohet, beteja ligjore e Veliajt për masën e arrestit pritet të zgjerohet edhe në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.



