Në takimin me ministrat e BE-së, Kosova kërkon shqyrtimin e aplikimit për anëtarësim

04 shtator 2026 | 13:44

Në takimin joformal mes ministrave për çështje evropiane të Bashkimit Evropian dhe atyre të vendeve të Ballkanit Perëndimor, kërkesa kryesore e Kosovës është që aplikimi për anëtarësim në bllok të lëvizë përpara.

“Ne duam që aplikimi i Kosovë të lëvizë përpara dhe të hapen bisedimet për anëtarësim. Jemi shteti i vetëm që nuk ka statusin e vendit kandidat. BE-ja duhet të japë rezultate në këtë drejtim. Jam këtu për ta shtyrë përpara këtë mesazh”, tha për gazetarët Jeton Zulfaj, kryenegociator i Kosovës me BE-në.

I pyetur se çfarë mesazhi jep BE-ja për qytetarët e Kosovës pasi as pas katër vjetësh, aplikimi i Kosovës nuk është trajtuar nga blloku, Zulfaj tha se nuk po përçohet një mesazh i mirë. “Nuk është mesazh i mirë dhe tregon mungesë të lidershipit në BE dhe mendoj që kjo është përgjegjësi e përbashkët. BE-ja duhet ta bëjë pjesën e saj dhe arritja e konsensusit brenda bllokut duhet të jetë përgjegjësi e BE-së. Çdo vend, i madh apo i vogël, duhet ta ndjejë e urgjencës për unitet brenda BE-së”, u shpreh ai.

Kosova ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022. Megjithatë, ky aplikim ende nuk ka kaluar as në fazën e parë formale, atë të shqyrtimit nga Këshilli i BE-së dhe më pas dërgimit për opinion në Komisionin Evropian. Kosova është vendi i vetëm në rajon që nuk ka statusin e vendit kandidat.

Takimi në Irlandë mes ministrave të shteteve anëtare të ngarkuar për çështjet evropiane dhe homologëve nga Ballkani Perëndimor përqendrohet në procesin e zgjerimit të bllokut.

Ky është një takim joformal që mbahet në prag të propozimeve të reja në procesin e anëtarësimit për shtetet kandidate.

Komisioni Evropian pritet që më 30 shtator të publikojë të ashtuquajturin rishikim para anëtarësimit, i cili do të përfshijë edhe mekanizmat mbrojtës në traktatet e anëtarësimit ndërmjet BE-së dhe anëtarëve të ardhshëm. Bashkimi Evropian po punon për të siguruar që shtetet anëtare, pas anëtarësimit të plotë, të mos shënojnë prapakthim në demokraci dhe sundimin e ligjit, siç ka ndodhur me Hungarinë, Sllovakinë ose Poloninë.

“Bazuar në përvojën e së kaluarës, veçanërisht që nga zgjerimi i vitit 2004, e dimë se nuk mund të jemi gjithmonë të sigurt se, kur të kemi anëtarë të rinj, përkatësisht shtete të reja anëtare të BE-së, ata do ta respektojnë sundimin e ligjit dhe, veçanërisht, gjithçka që ndodh brenda BE-së”, deklaroi komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos. “Po ashtu, po flas për bashkëpunimin e sinqertë, të përcaktuar në nenin 4 të Traktatit. Pra, bëhet fjalë për mënyrën se si mund të jemi të sigurt se të gjitha shtetet anëtare do t’u përmbahen vlerave tona dhe do të zbatojnë vërtet atë që është rënë dakord në nivelin e të gjitha shteteve anëtare. Në të kaluarën ka ndodhur që diçka të jetë rënë dakord, si për shembull dhënia e statusit të kandidatit Ukrainës, por më pas Hungaria të bllokojë përparimin e mëtejshëm”, shtoi ajo.

Takimi zhvillohet edhe në dritën e propozimit më të fundit të 11 shteteve anëtare të BE-së, të cilat kërkojnë ndryshimin e mënyrës së vendimmarrjes në fushën e politikës së jashtme dhe zëvendësimin e konsensusit me votimin me shumicë të cilësuar.

“Qëndrimi i Komisionit Evropian është se, veçanërisht në fushat që janë të rëndësishme për funksionimin tonë, si politika e jashtme dhe e sigurisë, duhet të kalojmë nga vendimmarrja unanime në votimin me shumicë të cilësuar. Por, ka edhe shumë reforma të tjera që mund t’i ndërmarrim”, tha Kos.

Testi i parë i mekanizmave të paralajmëruar mbrojtës do të jetë në rastin e Malit të Zi, shtetit më të avancuar në procesin e integrimit në BE.

Tashmë ka nisur hartimi i projektit të tekstit të Traktatit të Anëtarësimit.

Këtë e la të kuptohej edhe Benjamin Haddad, ministri francez përgjegjës për çështjet evropiane. “Sa u përket klauzolave mbrojtëse, do të punojmë për to në kuadër të Traktatit të Anëtarësimit me Malin e Zi, së bashku me grupin ad-hoc që është formuar për këtë qëllim. Siç e dini, kjo është bërë edhe më herët, për shembull me Kroacinë, kur u vendosën një numër i caktuar klauzolash mbrojtëse dhe fazash kalimtare, për të siguruar masa dhe mekanizma mbrojtës që ky anëtarësim të ishte i suksesshëm”, deklaroi Haddad në Irlandë.

“Synimi ynë, natyrisht, është të jemi në gjendje të përparojmë si 27 shtete, së bashku me partnerët tanë nga Mali i Zi, të cilët po përparojnë në rrugën e reformave dhe integrimit në acquis të Bashkimit”, shtoi ai.

Sipas tij, është e rëndësishme që klauzolat mbrojtëse të jenë të përkohshme.

Për komisionaren evropiane Kos, këta mekanizma nuk do të nënkuptojnë se anëtarët e ardhshëm do të trajtohen si “anëtarë të dorës së dytë”. Mekanizmat mbrojtës më pas do të përfshihen edhe në tekstet e anëtarëve të tjerë potencialë.

Në tetor, liderët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian do t’ia kushtojnë diskutimin procesit të zgjerimit, si dhe reformave në këtë proces.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), me mbështetjen e Programit të…