FC Kosova Düsseldorf fton mërgatën në mbështetje të platformës “Liria ka Emër”
Düsseldorf – Klubi shqiptar FC Kosova Düsseldorf ka bërë thirrje për bashkatdhetarët në mërgatë, familjet e dëshmorëve dhe bashkëluftëtarët që t’i bashkohen një aktiviteti në mbështetje të platformës “Liria ka Emër”.
Në kuadër të aktiviteteve mbarëkombëtare të kësaj platforme, para ndeshjes së radhës së FC Kosova Düsseldorf ndaj DJK Katernberg, do të organizohet një fotografi e përbashkët me klubin, si shenjë solidariteti dhe përkujtimi për sakrificën e atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.
Motoja e këtij aktiviteti është: “Një luftë, një kujtesë, drejtësi”.
Nga FC Kosova Düsseldorf kanë theksuar rëndësinë e bashkimit të mërgatës për të kujtuar sakrificën e dëshmorëve, rrugëtimin drejt lirisë dhe për të shprehur mbështetjen për ish-bashkëluftëtarët e UÇK-së që po përballen me proceset gjyqësore në Hagë.
“Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë të jemi bashkë”, thuhet në ftesën e klubit.
Aktiviteti i përbashkët do t’i paraprijë ndeshjes:
FC Kosova Düsseldorf 🇦🇱 – DJK Katernberg 🇩🇪
Klubi u ka bërë thirrje të gjithë bashkatdhetarëve dhe tifozëve që t’i bashkohen këtij takimi dhe të japin mbështetjen e tyre për mesazhin “Liria ka Emër”.
Për kujtimin e atyre që ranë.
Për nderin e luftës sonë.
Për të vërtetën.
Për drejtësinë.
📍 Stadium Benrath
📌 Karl-Hohmann-Straße 70, 40597 Düsseldorf
Ftesa vjen nga kryesia e FC Kosova Düsseldorf, e cila u bën thirrje të gjithë shqiptarëve në Düsseldorf dhe më gjerë që të jenë pjesë e këtij aktiviteti.



