Komandanti i ISF-së zbarkon në Kosovë, nënshkruhet marrëveshja për pjesëmarrjen e FSK-së në misionin në Gaza
Është nënshkruar Marrëveshja e Participimit për pjesëmarrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF) në Gaza.
Marrëveshja është nënshkruar gjatë vizitës zyrtare në Kosovë të komandantit të ISF-së në Gaza, gjeneralmajor Jasper Jeffers, në prani të ministrit në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe përfaqësuesit të Bordit të Paqes, ndërmjet përfaqësuesve të BoP/ISF Gaza dhe komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari.
Jeffers ka vlerësuar vendimin dhe gatishmërinë e Kosovës për të kontribuar në këtë mision, ndërsa Jashari ka theksuar se pjesëmarrja e FSK-së në misionet ndërkombëtare të sigurisë është pjesë e vizionit të Kosovës për të kontribuar në promovimin e paqes dhe sigurisë në botë.
Sipas FSK-së, ky angazhim synon rritjen e kontributit të Kosovës në sigurinë ndërkombëtare dhe kalimin nga një importues i sigurisë në një eksportues të saj.
Nënshkrimi i marrëveshjes shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e rolit të Kosovës në përpjekjet ndërkombëtare për paqe, siguri dhe stabilitet.
Njoftimi i plotë i FSK-së:
Nënshkruhet Marrëveshja e Participimit për pjesëmarrjen e FSK-së në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese Gaza
Në kuadër të vizitës zyrtare në Kosovë të komandantit të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (International Stabilization Force – ISF) Gaza, gjeneralmajor Jasper Jeffers, dhe stafit të tij, në praninë e ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe përfaqësuesit të Bordit të Paqes, është nënshkruar Marrëveshja e Participimit ndërmjet përfaqësuesve të BoP/ISF Gaza dhe komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, për pjesëmarrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës në kuadër të këtij misioni.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, gjeneralmajor Jeffers, në cilësinë e komandantit të ISF-së në Gaza, ka vlerësuar lart vendimin dhe gatishmërinë e Kosovës për të kontribuar në këtë mision ndërkombëtar, duke theksuar rëndësinë e kontributit të FSK-së në përpjekjet për paqe, siguri dhe stabilitet.
Gjeneralmajor Jeffers ka shprehur gjithashtu mirënjohjen për udhëheqjen e Kosovës dhe përkushtimin e treguar, duke vlerësuar angazhimin dhe lidershipin e institucioneve të Kosovës në mbështetje të këtij misioni.
Nga ana e tij, gjenerallejtënant Jashari e ka falënderuar gjeneralmajor Jeffers për vlerësimin dhe bashkëpunimin, duke theksuar se pjesëmarrja e FSK-së në misionet ndërkombëtare të sigurisë është pjesë e vizionit të Kosovës për të dhënë kontribut konkret në promovimin e paqes dhe sigurisë në botë.
Komandanti i FSK-së ka theksuar se FSK-ja synon të rrisë vazhdimisht kontributin e saj në sigurinë ndërkombëtare, me një objektiv të qartë strategjik: kalimin nga një importues i sigurisë në një eksportues të saj, duke kontribuar në mënyrë aktive në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes dhe sigurisë, së bashku me aleatët dhe partnerët ndërkombëtarë.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e rolit të Kosovës si kontribuuese aktive në përpjekjet ndërkombëtare për paqe, siguri dhe stabilitet.



