Duke nderuar Ratko Mladiqin, Serbia po tregon se për çfarë akoma qendron
Ish deputetja dhe profesoresha Besa Ismaili-Ahmeti ka theksuar se një shtet që lartëson dhe nderon një ekzekutues të gjenocidit, ka prekur fundin e vet moral.
“Duke glorifikuar Ratko Mladićin, Serbia po legjitimon një makineri të tërë politike, ushtarake dhe institucionale që e bëri të mundur gjenocidin. Ngase ai kërkon institucione, ushtri, resurse, logjistikë, mbështetje politike, propagandë dhe një aparat shtetëror që e vë gjithë këtë makineri në lëvizje”, ka shkruar ajo në ‘Facebook’.
Sipas Ismaili-Ahmetit, Mladiqi ishte një nga ekzekutuesit kryesorë të gjenocidit, por makineria ishte shumë më e madhe se ai.
“Prandaj, kur Serbia e nderon Mladićin, ajo po ekspozon marrëdhënien e saj me të kaluarën dhe po tregon se çfarë është ende e gatshme të mbrojë në të tashmen. Duke nderuar Ratko Mladićin, Serbia po ia thotë botës se për çfarë ende vazhdon të qendrojë. Glorifikimi i gjenocidit është paralajmërim për të ardhmen!”, ka shkruar ish deputetja e PDK-së, Besa Ismaili-Ahmeti.



