Cakolli: Nuk ka ndryshim thelbësor që arsyeton vonesën e Kuvendit
Eugen Cakolli nga KDI ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë arsye që të zvarritet konstituimi i Kuvendit të Kosovës.
Cakolli në “Speciale” të Klan Kosova ka thënë se, në aspektin procedural, kushtet për përmbylljen e seancës kanë qenë të plotësuara që në muajin gusht, duke vlerësuar se vonesa më shumë se njëmujore nuk ka qenë e arsyeshme, transmeton Klankosova.tv.
“Unë besoj që kushtet në kuptim procedural kanë qenë të pjekura qysh në muajin gusht kur është dashur të përmbyllet seanca, nuk ka pasur arsye që të ketë vonesë të tillë mbi njëmujore”, ka deklaruar Cakolli.
Ai ka theksuar se, pavarësisht rritjes së numrit të deputetëve të siguruar, nuk ka pasur ndonjë ndryshim thelbësor në raport me periudhën kur ishte kërkuar kohë shtesë për sigurimin e votave.
“Nëse i marrim parasysh deklarimet e akterëve të partisë në pushtet, unë nuk besoj që ka ndonjë ndryshim të kushteve në raport me periudhën kur u kërkua kohë shtesë. Ka avancim prej 62 në 74 numra, po prapë jemi larg numrit 80 që është përmendur si arsye se pse po zvarritet konstituimi i Kuvendit”, u shpreh ai.



