Hoti: Loja e LV-së pritej, po synojnë zgjedhje në një datë që u konvenon
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje (LV) se po e zvarrit konstituimin e Kuvendit për ta dërguar vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme në një datë që i konvenon kësaj partie.
Pas seancës së mbajtur të mërkurën, Hoti ka thënë se partia në pushtet nuk është e interesuar për konsolidimin e shtetit dhe të rendit kushtetues.
Ai ka shtuar se veprimet e sotme kanë qenë të pritshme.
“Besoj se loja e tyre, që ka qenë e pritur, nuk ka shpjegim tjetër. Kështu siç e kanë vonuar edhe vitin e kaluar, edhe sivjet u bë një muaj e sa, nuk pritet gjë tjetër prej tyre. Është propozim i yni, na takon me Kushtetutë si propozim. Për zvarritje, besoj se për të çuar zgjedhjet në datën që atyre u konvenon dhe, mbi të gjitha, kanë qenë gjithmonë kundër çdo konsolidimi të shtetit të Kosovës, të rendit kushtetues dhe të problemeve që i kanë krijuar”, ka thënë ai.



