Dejona Mihali: Pse duhet që 62 deputetë t’i votojnë kandidatët e PDK-së dhe LDK-së për nënkryetarë?
Koordinatorja e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali, ka kritikuar PDK-në dhe LDK-në lidhur me qëndrimet e tyre për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit dhe presidentit të vendit.
Përmes një postimi në “Facebook”, Mihali ka ngritur pyetjen se pse 62 deputetë duhet ta votojnë kandidaten e PDK-së për nënkryetare të Kuvendit, kur kjo parti ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjen e presidentit.
“Pse duhet që 62 deputetë ta votojnë kandidaten e PDK-së për nënkryetare të Kuvendit, kur PDK-ja deklaron se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjen e Presidentit në asnjë formë, as në bisedime, as në takime, as me prani në sallë? Aq më pak kur vetë PDK-ja voton kundër kandidates të shumicës për Kryetare të Kuvendit”, ka shkruar Mihali.
E njëjta pyetje, sipas saj, vlen edhe për LDK-në dhe kandidatin e saj për nënkryetar të Kuvendit.
“E njëjta pyetje vlen edhe për LDK-në, pse duhet që 62 deputetë ta votojnë kandidatin e saj për nënkryetar, kur ai është pozicionuar haptazi kundër çdo marrëveshjeje me Lëvizjen Vetëvendosje! për zgjidhjen e ngërçit dhe zgjedhjen e Presidentit?”, ka shkruar ajo.
Mihali ka thënë se nënkryetarët e Kuvendit nuk mund të kërkohen si privilegj i garantuar nga votat e shumicës, ndërsa përgjegjësia për funksionimin e institucioneve refuzohet.
“Nënkryetarët e Kuvendit nuk mund të kërkohen si privilegj i garantuar prej votave të shumicës, ndërsa përgjegjësia për funksionimin e institucioneve refuzohet. Nuk mund të kërkosh votat e shumicës për t’u ulur në Kryesinë e Kuvendit dhe, sapo ta marrësh pozitën, ta përdorësh mungesën nga salla për ta pamundësuar zgjedhjen e Presidentit dhe për ta çuar vendin përsëri në zgjedhje”, ka shkruar Mihali.
Ajo ka kërkuar që, nëse PDK-ja dhe LDK-ja kërkojnë marrëveshje dhe vota për nënkryetarët e Kuvendit, atëherë të pranojnë marrëveshje për funksionimin e institucioneve në tërësi.
“Nëse kërkojnë marrëveshje e votë për nënkryetarët e Kuvendit, duhet të pranojnë marrëveshje për funksionimin e institucioneve në tërësi. Sepse nuk mund të ketë marrëveshje vetëm për postet e tyre dhe bllokadë për institucionet e Republikës, siç është Presidenti dhe zgjedhje të përsëritura për qytetarët”, ka përfunduar Mihali.



