Shkeljet në Kuvend, Gjini: Aleanca do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka thënë se kjo parti nuk do të marrë pjesë as të premten në vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit.
Gjini ka deklaruar se kjo seancë është e jashtëligjshme dhe se nuk ka për qëllim themelimin e institucioneve.
“Qëllimi është për të mbërritur përtej datës 13 shtator”, ka deklaruar ai.
Ai ka bërë të ditur se AAK-ja do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për shkeljen e afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit.
“Për momentin nuk kemi rrugë tjetër pos me iu referu Gjykatës Kushtetuese. Do të synojmë koordinim edhe me dy partitë e tjera. Po, absolutisht duhet t’i referohemi Gjykatës Kushtetuese, duhet të përgatitet lënda sa më mirë të jetë e mundshme dhe duhet të gjendet momenti se kur duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese kjo lëndë, patjetër”, ka deklaruar Gjini.



