Gjini: Aleanca nuk merr pjesë në seancën e së premtes
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka deklaruar se partia e tij nuk do të marrë pjesë në seancën konstituive të Kuvendit, e cila u shty për të premten, pasi dështoi zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.
Gjini ka thënë se, pas situatës së krijuar, rruga e vetme mbetet referimi i çështjes në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa ka paralajmëruar koordinim edhe me dy partitë e tjera.
“Patjetër që nuk na mbetet për momentin, nuk kemi rrugë tjetër përpos se me iu referuar Gjykatës Kushtetuese. Do të synojmë koordinim me dy partitë e tjera edhe po, absolutisht duhet t’i referohemi Gjykatës Kushtetuese. Duhet përgatitur këtë amendament me të gjitha mundësitë e mundshme edhe duhet të gjendet momenti kur do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese kjo lëndë, patjetër”, ka thënë Gjini.
I pyetur nëse Aleanca do të marrë pjesë në seancën e së premtes, Gjini ka thënë se deputetët e kësaj partie nuk do të jenë pjesë e saj.
“Jo, në seancën e të premtes nuk do të marrim pjesë. Në këtë seancë konstituive, se po na ikin fjalët si të reja, nuk mund të marrim pjesë për shkak se është e jashtëligjshme, është jashtëkushtetuese, është farsë e pastër. Edhe sot që është farsë, nuk ka për qëllim me i ndërtuar institucionet. Qëllimi është me arritur përtej datës 27 dhjetor, për me ia ruajtur vetes atë që i ka mbetur sot, maksimumi me shkuar vetëm në zgjedhje më 27 dhjetor. Ky është qëllimi i pastër, ky është qëllimi të cilin edhe një herë po e përsëris: ju kemi thënë juve edhe qytetarëve të Kosovës edhe partive të tjera që dy muaj e më tepër, ky është qëllimi, është tepër i lexueshëm për Kosovën. Është tepër i lexueshëm”, ka theksuar Gjini.
I pyetur nëse Aleanca ka ndonjë ide se si mund të kundërshtohet qëllimi për të shkuar në zgjedhje më 27 dhjetor, Gjini ka thënë se, sipas tij, arsyeja pse Vetëvendosje synon këtë datë lidhet me humbjen e besimit të qytetarëve në Kosovë.
“Shiko, unë diçka thashë, po e përsëris. Arsyeja pse duan me shkuar më 27 dhjetor është se e kanë humbur besimin e qytetarëve, të cilët këtu i paguajnë faturat e rrymës, këtu blejnë bukë, këtu blejnë qumësht, këtu shkojnë në spitale e në ambulancë, këtu ecin nëpër këto rrugë të Kosovës, këtu i çojnë fëmijët në shkollë. Ky e lyp 27-shin për shkak të asaj pjese të diasporës e cila verbërisht do me e ndjekur Albin Kurtin edhe nuk po dojnë me i hapur sytë e me parë. Janë duke i bërë dëm Kosovës”, ka thënë ai.



