Gjëja e mallkuar

10 shtator 2026 | 08:57

AMBROSE BIERCE

NUK HAMË GJITHMONË ATË QË NDODHET MBI TAVOLINË

Nën dritën e një qiri prej dhjami, i cili ishte vendosur në njërin skaj të një tavoline të pagdhendur, një burrë po lexonte diçka të shkruar në një libër. Ishte një libër i vjetër llogarish, shumë i konsumuar; dhe shkrimi, me sa dukej, nuk ishte fort i lexueshëm, sepse burri herë pas here e afronte faqen pranë flakës së qiriut për të pasur më shumë dritë mbi të. Hija e librit e zinte gjysmën e dhomës, duke i lënë në errësirë një numër fytyrash dhe figurash sepse, përveç lexuesit, aty ndodheshin edhe tetë burra të tjerë. Shtatë prej tyre ishin ulur mbështetur pas mureve të vrazhda prej trungjesh, të heshtur, të palëviz­shëm dhe, meqë dhoma ishte e vogël, jo shumë larg tavolinës. Me zgjatjen e krahut cilido prej tyre mund ta kishte prekur burrin e tetë, i cili shtrihej mbi tavolinë, me fytyrën lart, pjesë­risht i mbuluar nga një çarçaf, me krahët anash. Ai kishte vdekur.

Burri nuk lexonte me zë të lartë dhe askush nuk fliste; të gjithë dukej se po prisnin të ndodhte diçka; vetëm i vdekuri nuk priste asgjë.

Nga errësira e zbrazët jashtë, përmes hapjes që shërbente si dritare, hynin të gjitha zhurmat gjithmonë të panjohura të natës në shkretëtirë – tingulli i gjatë, pa emër, i një kojoteje të largët; drithërima pulsuese dhe e qetë e insekteve të palodhura nëpër pemë; klithma të çuditshme të zogjve të natës, aq të ndryshme nga ato të zogjve të ditës; gumëzhima e brumbujve të mëdhenj e të ngathtë, dhe gjithë ai kor misterioz tingujsh të vegjël që duket se janë dëgjuar gjithmonë vetëm përgjysmë, kur papritur pushojnë, sikur të ishin ndërgjegjësuar për një pakujdesi.

Por asgjë nga e gjithë kjo nuk vihej re nga ajo shoqëri; pjesë­tarët e saj nuk ishin fort të prirë ndaj interesimit të kotë për çështje pa ndonjë rëndësi praktike; kjo ishte e dukshme në çdo vijë të fytyrave të tyre të ashpra – e dukshme edhe në dritën e zbehtë të qiriut të vetëm. Ishin qartësisht burra të asaj zone -bujq dhe njerëz të pyjeve.

Personi që po lexonte ishte paksa ndryshe; për të do të mund të thuhej se ishte njeri i botës, i kësaj bote, ndonëse në veshjen e tij kishte diçka që dëshmonte për njëfarë afërsie me mjedisin ku jetonte. Palltoja e tij vështirë se do të ishte pranuar si e përshtatshme në San Francisko; këpucët e tij nuk ishin me prejardhje urbane, ndërsa kapela që rrinte pranë tij në dysheme (ai ishte i vetmi pa kapelë në kokë) ishte e tillë që, po ta shihje thjesht si një send zbukurimi personal, do t’i humbisje kupti­min.

Në fytyrë burri ishte mjaft simpatik, me një nuancë të lehtë rreptësie; ndonëse këtë shprehje mund ta kishte marrë ose kultivuar, si diçka të përshtatshme për një njeri me autoritet. Sepse ai ishte mjekoligjori. Ishte në sajë të detyrës së tij që kishte në dorë librin në të cilin po lexonte; ai ishte gjetur mes sendeve të të vdekurit, në kabinën e tij, ku tani po zhvillohej hetimi për vdekjen.

Kur mjekoligjori mbaroi së lexuari, e futi librin në xhepin e brendshëm të palltos. Në atë çast dera u shty dhe hyri një djalë i ri. Qartazi, ai nuk ishte lindur e rritur në male: ishte veshur si njerëzit që banojnë në qytete. Megjithatë, rrobat i kishte të mbuluara nga pluhuri si pasojë e udhëtimit. Në të vërtetë, kishte kalëruar me nxitim për të marrë pjesë në hetim.

Mjekoligjori tundi kokën. Askush nuk e përshëndeti.

– Kemi pritur për ju, – tha mjekoligjori. -Është e nevojshme ta përfundojmë këtë punë sonte.

Djaloshi buzëqeshi.

– Më vjen keq që ju mbajta në pritje, – tha ai. – U largova jo për t’iu shmangur thirrjes suaj, por për t’i dërguar gazetës sime një shkrim mbi atë që, me sa duket, jam thirrur të tregoj përsëri këtu.

Mjekoligjori buzëqeshi.

– Shkrimi që i dërguat gazetës suaj, – tha ai, – ndoshta ndryshon nga ai që do të jepni këtu nën betim.

– Kjo, – u përgjigj tjetri, disi i nxehur dhe duke u skuqur dukshëm, – varet nga ju. Kam përdorur letër karboni dhe kam një kopje të asaj që dërgova. Nuk është shkruar si lajm, sepse është e pabesueshme, por si tregim artistik. Mund të bëhet pjesë e dëshmisë sime nën betim.

– Por ju thoni se është e pabesueshme.

– Kjo nuk ju përket juve, zotëri, nëse unë betohem gjithashtu se është e vërtetë.

Mjekoligjori heshti për pak kohë, me sytë ngulur në dysheme. Burrat e ulur përgjatë mureve të kabinës flisnin me pëshpërima, por rrallë i largonin sytë nga fytyra e kufomës. Pas pak, mjeko-ligjori ngriti sytë dhe tha:

– Do ta vazhdojmë hetimin.

Burrat hoqën kapelat. Dëshmitari u betua.

– Si quheni? – pyeti mjekoligjori.

– William Harker.

– Mosha?

– Njëzet e shtatë vjeç.

– E njihnit të ndjerin, Hugh Morgan?

– Po.

– Ishit me të kur vdiq?

– Pranë tij.

– Si ndodhi kjo – dua të them, prania juaj?

– Po e vizitoja këtu për të gjuajtur dhe peshkuar. Por një pjesë e qëllimit tim ishte edhe ta studioja atë dhe mënyrën e tij të çuditshme, të vetmuar të jetesës. M’u duk një model i mirë për një personazh në letërsi artistike. Ndonjëherë shkruaj tregime.

– Ndonjëherë i lexoj.

– Faleminderit!

– Tregimet në përgjithësi, jo tuajat.

Disa prej anëtarëve të jurisë qeshën. Në një sfond të zymtë humori nxirret në pah dritë të fortë. Ushtarët, në intervalet mes betejave, qeshin lehtësisht dhe një shaka në dhomën e vdekjes triumfon pikërisht nga befasia.

– Tregoni rrethanat e vdekjes së këtij njeriu, – tha mjeko-ligjori. – Mund të përdorni çfarëdo shënimesh ose shënimesh përkujtimore që dëshironi.

Dëshmitari e kuptoi. Nxori një dorëshkrim nga xhepi i brendshëm, e mbajti pranë qiriut dhe, duke kthyer fletët derisa gjeti pjesën që kërkonte, filloi të lexojë: vdekje e natyrshme.

 

Përktheu nga anglishtja: Fitim Zogaj. Marrë nga numri 27 i revistës “Akademia”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës, në koordinim dhe bashkëpunim me Prokurorinë Speciale…