ESMÉ

09 shtator 2026 | 08:38

“SAKI” (H. H. MUNRO)

“Të gjitha tregimet e gjuetisë janë njësoj”, tha Clovis; “ashtu siç janë njësoj të gjitha tregimet për garat e kuajve dhe të gjitha”.

“Tregimi im i gjuetisë nuk i ngjan aspak asnjërit prej atyre që ke dëgjuar ndonjëherë”, tha baronesha. “Ka ndodhur goxha kohë më parë, kur isha rreth njëzet e tri vjeçe. Atëherë ende nuk jetoja e ndarë nga burri im; e sheh, asnjëri prej nesh nuk kishte mundësi t’i jepte tjetrit një shumë të veçantë për të jetuar veçmas. Pavarësisht gjithçkaje që mund të thonë fjalët e urta, varfëria mban bashkë më shumë shtëpi nga sa i prish. Por ne gjithmonë gjuanim me tufa të ndryshme zagarësh. E gjithë kjo nuk ka të bëjë fare me tregimin”.

“Ende nuk kemi mbërritur te vendi i grumbullimit. Besoj se kishte një grumbullim”, tha Clovis.

“Natyrisht që kishte një grumbullim”, tha baronesha; të gjithë njerëzit e zakonshëm të asaj shoqërie ishin aty, veça­nërisht Constance Broddle. Constance është njëra prej atyre vajzave trupmadhe, faqekuqe, që përshtaten aq bukur me peizazhin e vjeshtës ose me zbukurimet e Krishtlindjeve në kishë. “Kam një parandjenjë se diçka e tmerrshme do të ndodhë,’ më tha ajo; ‘a dukem e zbehtë?”

Ajo dukej pothuajse po aq e zbehtë sa një panxhar që sapo kishte marrë vesh një lajm të keq.

“‘Dukesh më bukur se zakonisht’, i thashë, ‘por kjo për ty është shumë e lehtë’. Para se ajo të kishte kuptuar mirë se çfarë kisha dashur të thosha me këtë, ne ishim përqendruar te puna; zagarët kishin nxjerrë nga shkurret një dhelpër që ishte fshehur në disa shkurre me ferra”.

“E dija”, tha Clovis, “në çdo tregim gjuetie dhelprash që kam dëgjuar ndonjëherë ka një dhelpër dhe disa shkurre me ferra”.

“Constance dhe unë ishim mbi kuaj të mirë”, vazhdoi qetësisht baronesha, “dhe nuk e patëm të vështirë të qëndronim në grupin e parë, megjithëse ishte një vrapim mjaft i vështirë. Megjithatë, drejt fundit, duhet të kemi ndjekur një drejtim disi tepër të pavarur, sepse i humbëm zagarët dhe e gjetëm veten duke ecur pa ndonjë qëllim, milje larg çdo vendi të banuar. Ishte goxha irrituese dhe durimi im po shteronte pak nga pak, kur, pasi çamë rrugën përmes një gardhi të favorshëm, u gëzuam nga pamja e zagarëve që po vraponin me tërbim në një zgavër pikërisht poshtë nesh.

“Ja ku po shkojnë, bërtiti Constance dhe pastaj shtoi, me një gulçim: Për hir të Zotit, çfarë po gjuajnë?”

“Sigurisht që nuk ishte ndonjë dhelpër e zakonshme. Ishte më shumë se dy herë më e gjatë, kishte një kokë të shkurtër e të shëmtuar dhe një qafë jashtëzakonisht të trashë.

“Është një hienë, bërtita; duhet të ketë ikur nga parku i Lord Pabhamit”.

Në atë çast kafsha e ndjekur u kthye dhe u përball me ndje­kësit e saj, ndërsa zagarët (ishin vetëm rreth gjashtë çifte) qën­druan përreth në një gjysmërreth dhe dukeshin krejt të hutuar. Me sa dukej, ishin shkëputur nga pjesa tjetër e tufës duke ndjekur gjurmën e kësaj ere të huaj dhe tani që e kishin kapur prenë, nuk ishin aspak të sigurt se si duhej të silleshin me të.

Hiena e priti afrimin tonë me një lehtësim të pamohueshëm dhe me shenja miqësie. Me sa duket, ajo ishte mësuar me një mirësi të vazhdueshme nga njerëzit, ndërsa përvoja e saj e parë me një tufë zagarësh i kishte lënë përshtypje të keqe. Zagarët dukeshin edhe më të turpëruar ndërsa preja e tyre shfaqte papritur miqësinë e saj me ne, dhe një tingull i zbehtë briri nga larg u prit si një sinjal i mirëpritur për t’u larguar pa rënë në sy. Kështu, unë, Constance dhe hiena mbetëm vetëm në muzg, që po dendësohej.

“Çfarë do të bëjmë?” pyeti Constance.

“Sa shumë të pëlqejnë pyetjet”, i thashë.

“Epo, nuk mund të rrimë këtu gjithë natën me një hienë”, kundërshtoi ajo.

“Nuk e di cilat janë idetë e tua për rehatinë, i thashë, por unë nuk do të mendoja të qëndroja këtu gjithë natën as pa hienë. Shtëpia ime mund të jetë një shtëpi e palumtur, por të paktën ka ujë të ngrohtë dhe të ftohtë, shërbim shtëpiak dhe komo­ditete të tjera që nuk do t’i gjenim këtu. Më mirë të drejtohemi nga ai varg pemësh në të djathtë. Mendoj se rruga e Crowleyt është pikërisht pas tij”.

U nisëm ngadalë me trokun e kuajve përgjatë një rruge të zbehtë karrocash, ndërsa kafsha na ndiqte me gëzim nga pas.

“Po çfarë dreqin do të bëjmë me hienën?” erdhi pyetja e pashmangshme.

“Çfarë bën zakonisht njeriu me hienat?” pyeta me nervo­zizëm.

“Nuk kam pasur kurrë punë me një të tillë”, tha Constance.

“Epo, as unë. Nëse të paktën do ta dinim gjininë e saj, mund t’i vinim një emër. Ndoshta mund ta quanim Esmé. Do të përshtatej në të dyja rastet”.

Ende kishte dritë të mjaftueshme për të dalluar sendet anës rrugës dhe shpirtrat tanë të plogësht u gjallëruan pak kur u përballëm me një vogëlush cigan, pothuajse të zhveshur, që po mblidhte manaferra nga një shkurre e ulët. Shfaqja e papritur e dy kalorëseve dhe një hiene e bëri atë të shpërthente në të qara dhe, sidoqoftë, vështirë se do të kishim marrë ndonjë infor­macion të dobishëm gjeografik prej tij, por kishte gjasë të gjenim ndonjë kamp ciganësh diku përgjatë rrugës sonë. Vazhduam të kalëronim me shpresë, por pa ndonjë ngjarje të veçantë, edhe për rreth një milje.

“Pyes veten çfarë po bënte ai fëmijë atje”, tha më në fund Constance.

“Po mblidhte manaferra. Është e qartë”.

“Nuk më pëlqeu mënyra si qau”, vazhdoi Constance; “disi, vajtimi i tij vazhdon të më tingëllojë në vesh”.

Nuk e qortova Constance për fantazitë e saj morbide; në fakt, e njëjta ndjesi, ajo e të qenit e ndjekur nga një vajtim i vazhdueshëm dhe shqetësues, po më rëndonte edhe mua nervat, të cilat ishin disi të lodhura. Për të pasur shoqëri, i thirra hienës, Esmé-së, e cila kishte mbetur disi prapa. Me disa kër­cime elastike ajo na arriti, u barazua me ne dhe pastaj na kaloi me shpejtësi.

Vajtimi që e shoqëronte u shpjegua.

Fëmija cigan mbahej fort, dhe besoj se me dhimbje, midis nofullave të saj.

“Mëshirë, o Zot! ulëriti Constance. Çfarë dreqin do të bëjmë? Çfarë duhet të bëjmë?”

Jam krejtësisht e sigurt se në Ditën e Gjykimit Constance do të bëjë më shumë pyetje se cilido prej serafinëve që do të marrin pjesë në gjykim.

“A nuk mund të bëjmë diçka? këmbënguli ajo duke qarë, ndërsa Esmé ecte lehtësisht me trotin përpara kuajve tanë të lodhur.

Unë, për vete, po bëja gjithçka që më vinte në mendje në atë çast. Bërtita, qortova, iu luta dhe u përpoqa ta joshja në anglisht, frëngjisht dhe në gjuhën e rojtarëve të gjahut; bëra prerje absurde e të pafrytshme në ajër me kamxhikun tim të gjuetisë, të cilit i mungonte rripi; i hodha kafshës kutinë e sandviçit. Nuk e di çfarë tjetër mund të kisha bërë. Dhe ne vazhdonim të zvarriteshim përpara në muzgun që po dendëso­hej, me atë formë të errët, të pahijshme, që zvarritej përpara nesh dhe me një gumëzhimë muzike vajtuese që pluskonte në veshët tanë.

Papritur Esmé u hodh anash në disa shkurre të dendura, ku ne nuk mund ta ndiqnim; vajtimi u ngrit në një britmë dhe pastaj pushoi krejtësisht. Këtë pjesë të tregimit gjithmonë e kaloj shpejt, sepse është vërtet mjaft e tmerrshme. Kur kafsha u bashkua përsëri me ne, pas disa minutash, kishte një pamje të qetë mirëkuptimi, sikur ta dinte se kishte bërë diçka që ne nuk e miratonim, por që ajo e konsideronte plotësisht të justifikueshme.

“Si mund ta lësh atë bishë të pangopur të vrapojë pranë teje?” pyeti Constance. Ajo dukej më shumë se kurrë si një panxhar albino.

“Së pari, nuk mund ta ndaloj”, i thashë; “dhe, së dyti, çfarëdo që të jetë tjetër, dyshoj se në këtë moment është e pangopur”.

Constance u drodh. “A mendon se ai i shkreti i vogël vuajti shumë?” erdhi një tjetër prej pyetjeve të saj të kota.

“Të gjitha shenjat tregonin në atë drejtim”, i thashë; “nga ana tjetër, natyrisht, mund të ketë qarë thjesht nga inati. Edhe fëmijët ndonjëherë bëjnë kështu”.

Ishte bërë pothuajse terr i plotë kur papritur dolëm në rrugën kryesore. Në të njëjtin çast, një vetëtimë dritash dhe zhurma e një automobili kaluan pranë nesh, në një largësi jo fort të rehatshme. Një përplasje dhe një britmë e mprehtë, ulëritëse, u dëgjuan një sekondë më vonë. Makina ndaloi dhe, kur u ktheva me kalë në vendin e ngjarjes, gjeta një djalosh të ri që po për­kulej mbi një masë të errët e të palëvizshme, të shtrirë anës rrugës.

“Ti ma vrave Esmé-n”, bërtita me hidhërim.

“‘Më vjen jashtëzakonisht keq”, tha i riu; “edhe unë mbaj qen, kështu që e di se si duhet të ndihesh. Do të bëj gjithçka që mundem për të të dëmshpërblyer”.

“Të lutem, varrose menjëherë”, i thashë; “këtë të paktën mendoj se mund ta kërkoj prej teje”.

“Sill lopatën, William”, i thirri ai shoferit. Me sa dukej, varrosjet e ngutshme anës rrugës ishin një mundësi për të cilën ishte menduar paraprakisht.

Gërmimi i një varri mjaft të madh mori pak kohë. “Hej, çfarë kafshe madhështore”, tha automobilisti ndërsa kufoma u rrotullua dhe ra në gropë. “Kam frikë se duhet të ketë qenë një kafshë mjaft e çmuar”.

“Vitin e kaluar zuri vendin e dytë në kategorinë e këlyshëve në Birmingham”, thashë me vendosmëri.

Constance gërhiti me zë të lartë.

“Mos qaj, e dashur”, thashë me zë të dridhur; “gjithçka mbaroi brenda një çasti. Nuk mund të ketë vuajtur shumë”.

“Dëgjo”, tha i riu i dëshpëruar, “thjesht duhet të më lejosh të bëj diçka si dëmshpërblim”.

Unë refuzova me ëmbëlsi, por meqë ai këmbënguli, i dhashë adresën time.

Natyrisht ne e mbajtëm për vete atë që kishte ndodhur në episodet e mëparshme të mbrëmjes. Lord Pabhami nuk e njoftoi kurrë publikisht humbjen e hienës së tij; kur një kafshë që ushqehej vetëm me fruta ishte larguar nga parku i tij një ose dy vjet më parë, atij i ishte dashur të paguante dëmshpërblim në njëmbëdhjetë raste ku delet ishin sulmuar dhe, praktikisht, të rimbushte me shpendë oborret e pulave të fqinjëve; një hienë e arratisur do të arrinte shifra të krahasueshme me një subven­cion qeveritar. Ciganët gjithashtu nuk bënë ndonjë bujë për fëmijën e tyre të humbur; nuk besoj se në kampet e mëdha ata e dinë vërtet, me saktësi deri te një apo dy fëmijë, sa fëmijë kanë gjithsej.

Baronesha ndaloi për një çast, duke menduar, dhe pastaj vazhdoi: “Megjithatë, aventura pati edhe një vazhdim. Më erdhi me postë një karficë e vogël, e mrekullueshme, prej diamanti, me emrin Esmé të vendosur në një degëz rozmarine. Për më tepër, humba edhe miqësinë e Constance Broddle”.

“E sheh, kur e shita karficën, me plot të drejtë refuzova t’i jepja asaj ndonjë pjesë të të ardhurave. I vura në dukje se pjesa e tregimit që lidhej me Esmé-n ishte shpikja ime, ndërsa pjesa që lidhej me hienën i përkiste Lord Pabhamit, nëse ajo ishte vërtet hiena e tij, gjë për të cilën, sigurisht, nuk kam asnjë provë”.

 

Përktheu nga anglishtja: Sabit Syla. Marrë nga numri 27 i revistës “Akademia”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
KATHERINE MANSFIELD I Java që pasoi ishte një nga javët…