Ndryshimi i varietetit gjuhësor (rasti i së folmes së Rugovës)
HAKI HYSENAJ
TË DHËNA TË PËRGJITHSHME PËR RUGOVËN
Rugovasit që migruan në Komunën e Pejës deri vonë kanë jetuar në krahinën malore të Rugovës, e cila shtrihet në anën perëndimore të qytetit të Pejës, rreth 5 kilometra larg saj. Sipas të dhënave nga autorë të ndryshëm, Rugova ka një sipërfaqe prej 193 – 203 km². Kufizohet me Qafën e Diellit, Qafën e Çakorrit, Moknën, Majën e Prehtë, Shejtan Tepën (pas Murgashit), Smilovicën, Hajlën e Shkrelit, Hajlën e Kadribajrës, Hajlën e Pepiçit, duke përfshirë edhe Pashajlën deri në Skrobudaqë, në Livadhin e Turkut dhe në Buxhov, me vijën që zbret deri në fshatin Lipë. Nga ana veriperëndimore, sipas Kelmendit, kjo krahinë përfaqëson një vazhdimësi të Bjeshkëve të Nemuna dhe, siç mund të kuptohet, një degëzim ose vazhdim të Malësisë së Madhe (cituar sipas Hajdaraj, 1996).
Të folmen e Rugovës studiuesit e saj e afrojnë me të folmen e Kelmendit, e cila bën pjesë në grupin e madh të të folmeve të Malësisë së Madhe. Në këtë grup bëjnë pjesë varietetet gjuhësore të Kelmendit, Hotit, Grudës, Triepshit, Shkrelit dhe Kastratit (Beci, 1995, f. 73).
E gjithë pjesa veriperëndimore e Pejës, nga kilometri i pestë deri në Murgash dhe Smilovicë, përfshirë Qafën e Preklenës, Majën e Hasanit, Lipën, Shtedimin, Hajlën, Moknën, Vraçevën (në veriperëndim të Licit), si dhe vijën që zbret deri në Bjelluhë dhe ngjitet në Neçinat, për të vazhduar në anën e djathtë të Bistricës pranë Pejës, përbën Rugovën e sotme administrative (Hajdaraj, 1996, f. 12). Kjo krahinë ndahet në dy njësi kryesore: Rugovën e Epërme dhe Rugovën e Poshtme. Sipas Nezirit, Rugova e Sipërme kufizohet me katundet e Plavës, Gucisë, Beranit dhe Rozhajës, ndërsa Rugova e Poshtme kufizohet me Pejën dhe Rrafshin e Dukagjinit. Kjo krahinë i përket Malësisë së gjerë të Kelmendit. Jeta e rugovasve zhvillohej në 13 katunde: Shtupeçi i Vogël (me Llaz dhe Biellopaç, dy lagje më të vogla), Shtupeçi i Madh, Malajt, Reka e Allagës (me Llutovën, një lagje e vogël që lidhet më shumë me Malajt), Pepiçi, Koshutani, Shkreli, Dugaiva, Kuçishta, Bogët, Stankajt dhe Haxhajt (Hysenaj, V., dorëshkrim i magjistraturës, pa datë).
Varieteti gjuhësor i kësaj krahine, pavarësisht shtrirjes së saj në një zonë mjaft të gjerë dhe distancave shpesh të madha midis disa vendbanimeve, paraqet një njësi gjuhësore mjaft homogjene. Autorët që janë marrë me këtë të folme nuk kanë evidentuar ndonjë ndryshore të dukshme midis mikrosistemeve gjuhësore të këtij areali, prandaj, studimi ynë bazohet në analizën dhe përshkrimin e një materiali gjuhësor që përfaqëson një të folme homogjene. Pas migrimit të popullatës nga kjo krahinë malore në viset e ulëta të Komunës së Pejës, kjo e folme gradualisht filloi të “dekompozohej” dhe, si rrjedhojë, tiparet e saj themelore të dalin nga përdorimi. Migrimi konsiderohet shkaku kryesor i ndryshimeve gjuhësore, të cilat gradualisht janë shfaqur në të folurit e pjesëtarëve të këtij entiteti.
2.1. Migrimet dhe ndryshimi i kodit gjuhësor
Migrimi i banorëve të Rugovës gjatë historisë ka ndodhur në faza të ndryshme, varësisht nga kushtet shoqërore dhe ekonomike, me intensitete të ndryshme. Deri vonë, shpërnguljet nga Rugova ishin kryesisht të brendshme dhe në shumicën e rasteve të përkohshme. Ato konsideroheshin të brendshme sepse pjesëtarët e bashkësisë folëse, që i përkisnin gegërishtes veriperëndimore, ndryshonin vendbanimin gjatë stinës së dimrit, ndërsa gjatë stinëve të tjera riktheheshin në vendbanimet e përhershme. Ky ndërrim kryhej brenda Kosovës, kryesisht në Pejë dhe në fshatrat përreth. Pas luftës së fundit në Kosovë (1998/99), popullsia e Rugovës migroi në masë të madhe, ndërsa ish-vendbanimet e tyre mbetën të pashfrytëzuara për një kohë të gjatë, derisa filloi të zhvillohej turizmi.
Më vonë, migrimi i rugovasve filloi edhe jashtë shtetit, në disa shtete të Europës dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për këtë shpërngulje mungojnë shënimet zyrtare dhe studimet përkatëse demografike. Kjo valë e emigrimit jashtë vendit u intensifikua paralelisht me emigrimin e të rinjve nga të gjitha anët e vendit drejt shteteve perëndimore.
Migrimet e para të rugovasve motivoheshin nga faktorë natyrorë dhe ekonomikë. Dimrat e gjatë dhe të ftohtë rëndonin jetën e banorëve, dhe për këtë arsye bëheshin këto lëvizje demografike. Ato përcilleshin gjithashtu me ndryshime në jetën e tyre socio-kulturore. Për disa nga “transformimet shoqërore” ekzistojnë përshkrime të ndryshme, ndërkohë që deri tani mungojnë studimet për varietetin e tyre gjuhësor në mjediset e reja gjeografike dhe shoqërore.
Autorët e përmendur, si Mulaku, Begolli dhe Hajdaraj, janë marrë me përshkrimin e kësaj të folmeje, kur përdorimi i saj realizohej në vendin e origjinës. Pavarësisht se mund të ketë pasur ndikime nga kontaktet me gegërishten verilindore, e folur në Pejë, me të cilën rugovasit ishin në kontakte të përhershme, në studimet e përmendura nuk janë paraqitur përshkrimet e këtyre ndikimeve.
Sipas Hajdaraj, në vitin 1981 Rugova kishte 255 shtëpi me 2.275 banorë (Hajdaraj, 1996, f. 13). Ndërsa, sipas një vështrimi të pabotuar të Selman Lajçit (cituar sipas Hajdaraj, 1996), rezulton se në vitin 1992 numri i familjeve që ende jetonin në Rugovë ishte përgjysmuar. Sipas tij, në këtë vit Rugova kishte 178 familje të përhershme, me gjithsej 1.477 banorë. Pas luftës së fundit në Kosovë (1998/99), shpërngulja nga kjo krahinë malore u bë masive. Gjatë stinës së dimrit, me përjashtim të pesë-gjashtë familjeve që jetojnë në Drelaj dhe gjashtë a shtatë sosh që jetojnë në Shtupeç të Madh, nuk ka asnjë banor vendas (Hysenaj, V., dorëshkrim i magjistraturës, pa datë).
Gjatë ekspeditës së parë (2015/16), kemi qëndruar në Rugovë për të mbledhur materiale gjuhësore dhe për të krahasuar ndryshimet që kishin ndodhur në të folmen e ish-banorëve të këtij rajoni me të folmen e banorëve të mbetur atje. Në këtë periudhë, vizituam katër fshatra me një numër simbolik banorësh, gjithsej 80 persona (Hysenaj, 2016, f. 186). Analiza e këtij materiali tregon se varieteti gjuhësor i rugovasve ishte prekur nga procesi i “language shift”, i cili kishte filluar te brezi i ri, nxënës të Shkollës Fillore “Përparimi” në Kuqishtë. Tetëmbëdhjetë nxënësit e kësaj shkolle, gjatë bisedave me ta, përdornin kryesisht gjuhën standarde. Ky fenomen tregon se ndikimi i shkollës dhe i mjeteve të tjera të informimit ka ndikuar në dobësimin e transmetimit ndërbreznor të rugovishtes, duke e bërë ndryshimin gjuhësor një realitet për këtë grup të vogël fëmijësh që ende jetonin me familjet e tyre në Rugovë.
Dhjetë vjet më vonë, nga ekspedita e fundit (2024/25), rezulton se nuk ka më asnjë familje rezidente në këtë krahinë. Rugova është shndërruar në një destinacion turistik, ndërsa shumë prej ish-banorëve të saj kanë ridizajnuar shtëpitë e tyre për këtë qëllim. Ata kanë ndërtuar gjithashtu bujtina moderne, të cilat i shfrytëzojnë si burim të një ekonomie familjare profitabile.
Nga ana tjetër, vendosja e këtij entiteti në një areal të ri gjuhësor dhe ndryshimet që kanë ndodhur në mënyrën e të folurit të tij tregojnë se migrimi është një nga faktorët kryesorë që nxit procesin e bjerrjes së varieteteve gjuhësore.
2.2. Vendbanimet e reja
Para se të fillonim grumbullimin e të dhënave për këtë studim është dashur që të evidentonim vendbanimet e reja të rugovasve. Identifikimi i tyre është bërë mbi bazë të të dhënave që janë mbledhur nga informatorët tanë.
Zyrtarisht nuk ekziston ndonjë shënim për numrin e saktë të këtyre vendbanime. Nuk ka as ndonjë studim për shpërnguljet e banorëve rugovas në ultësirën e Pejës dhe krijimin e vendbanimeve të reja, prandaj regjistri i paraqitur në këtë libër mund të mos jetë krejtësisht i saktë.
Bazuar në të dhënat tona del se rugovasit e shpërngulur në Pejë dhe rrethinën e saj jetojnë në këto vendbanime: Nabërxhan, Qyshk, Pavlan, Zahaç, Treboviq, Bllagajë, Nakëll, Bërzhenik, Zahaq, Llabjan, Katundi i Ri, Jabllanicë e Vogël, Leshan dhe në numër më të vogël ka familje edhe në disa katunde të tjera që nuk janë në afërsi të qytetit.
Sipas të dhënave të mbledha në terren del se fshatrat me numrin më të madh banorësh me prejardhje nga Rugova janë: Nabërxhani, Qyshku, Pavlani dhe Zahaqi.
Teorikisht pranohet se gjuha e folur në vendbanimet me entitete të përziera realizohet ndryshe nga gjuha e folur nga një entitet homogjen. Në rastin e parë varietetet gjuhësore të entiteteve të ndryshme ndërndikohen, për të krijuar kështu një të folme të përzier me elemente të të dyja varieteteve. Ndërsa varieteti me prestigj, i cili identifikon etnitetin vendës, ushtron një ndikim më të gjerë dhe për pasojë folësit e ardhur nga një areal tjetër gjuhësor, dashje e padashje, i nënshtrohen këtij ndikimi.
Ndonëse nuk ka ndonjë regjistër, disa nga rugovasit e kontaktuar shprehen se fshatrat e shënuara më lart, si Nabërxhani, Qyshku, Pavlani dhe Zahaqi paraqesin vendbanimet kryesore në të cilat janë vendosur banorët e Rugovës para e pas luftës së fundit. Në këto vendbanime, rugovasit përbënin shumicën e popullsisë, prandaj ka qenë e pritshme që gjuha e folur, veçanërisht nga brezi i vjetër dhe në disa raste edhe nga brezi i mesëm, të kishte ruajtur një rezistencë të konsiderueshme ndaj ndikimit të varietetit vendës të gegërishtes verilindore.
Siç do të shihet në pjesën e përshkrimit të të gjeturave nga ekspeditat në terren, brezi i vjetër ende përpiqet ta ruajë varietetin e origjinës, megjithëse origjinaliteti i tij rezulton i ndikuar nga gegërishtja verilindore. Ky ndryshim shkaktohet nga ndikimi i varietetit të ri gjuhësor, të cilin fëmijët e përdorin jo vetëm në familje, por edhe në shkollë dhe në rrethin e ri shoqëror. Kjo tregon se procesin e akomodimit gjuhësor brezi i ri e realizon në momentin kur nis shkollimin në mjedisin e ri shoqëror.
Në fshatrat e tjerë, ku popullsia rugovase është më e vogël në numër, situata paraqitet më ndryshe. Këmbimi i varitetit gjuhësor ka ndodhur më shpejt dhe pothuajse paralelisht te të gjithë brezat.
Në këtë zhvillim gjuhësor përjashtime mund të konsiderohen pak ndryshore që e shquajnë ende rugovishten. Këto janë më tepër të karakterit fonetik dhe ndonjë tjetër e karakterit morfologjik. Ndër to duhen përmendur togun zanor -ua, që del në pjesoret e shkurta dhe grupet e vjetra kl/gl, të cilat në gjuhën e folur të brezit të vjetër ruhen ende në trajtat përfaqësuese, si kį dhe gį. Këto dy ndryshore, siç do të shihet nga gjetjet në terren, në shumicën e rasteve janë këmbyer me gjejgëset e tyre të gegërishtes verilindore, me -ue dhe k/g. Ky këmbim shfaqet edhe në gjuhën e folur të disa prej pjesëtarëve të brezit të vjetër.
Siç shihet, për të përshkruar rrjedhat e ndryshimit gjuhësor, krahas rëndësisë së faktorit gjeografik, i rëndësishëm është edhe ndikimi i faktorit demografik. Ky parametër merr rëndësi, ngase sa më e madhe të jetë popullsia e një vendbanimi, aq më shumë rriten mundësitë që një individ i ardhur nga një lokalitet tjetër të ketë kontakte me folësit vendës (Trudgill, 1986, f. 39). Në rastin tonë bëhet fjalë për një entitet të tërë, i cili pas migrimit përballët me një realitet të ri shoqëror e kulturor.
Në këto situata, ndryshimi gjuhësor te të ardhurit shfaqet fillimisht si një “varietet i përzier”. Megjithatë, përmes procesit të kontaktit dhe të akomodimit, e folura e tyre përshkohet nga dysorë të ndryshëm fonetiko-fonologjikë dhe morfologjikë, të cilët gradualisht reduktojnë pangjashmëritë gjuhësore, derisa njëri nga dysorët konkurrues për prestigj të dominojë. Me stabilizimin e përdorimit të tyre në domene të ndryshme komunikimi, fillon edhe procesi i akomodimit gjuhësor dhe, gradualisht, ndërrimi i ndryshoreve të varietetit më pak prestigjioz me ato të varietetit me prestigj më të lartë. Ky proces ndikojnë në ndryshimin e tërësishëm jo vetëm të ndryshoreve karakteristike, por edhe të vetë varietetit të entitetit ardhës. Proceset e këtilla janë të njohura tek të folmet që kanë kaluar të njëjtin fat historik.
Në gjuhë të ndryshme, përvoja të ngjashme tregojnë se disa nga ndryshoret gjuhësore i rezistojnë më gjatë asimilimit. Kjo ndodh sepse ndryshoret e tilla ngjasojnë në markues dialektesh /varietetesh, prandaj edhe kanë ende frekuencë të madhe përdoruese, posaçërisht në varietetin e folur të gjeneratës së vjetër migruese. Për shkak të shtrirjes së gjerë gjeografike, ato nuk dalin nga përdorimi, të paktën për një kohë të gjatë, edhe pasi të jetë konstatuar se te gjeneratat e ndryshme të të migruarve po ndodh ose ka ndodhur ndryshimi i varietetit gjuhësor. Në raste të caktuara, siç thekson Trudgill, disa ndryshore mund të mbesin në përdorim si variante stilistike, më shumë në nivel individual (Trudgill,1986, f. 39). Kjo dukuri është evidentuar edhe te brezi i mesëm i rugovasve, të cilët, në situata të caktuara folëse, përdorin paskajoren e tipit të vjetër -me punua dhe grupet konsonantike kį/gį. Këto dy tipare mund të konsiderohen si “shenja” që tregojnë përkatësinë shoqërore dhe origjinën rajonale.
2.3. Migrimet e fundit
Më shumë për të pasur një ide për zanafillën e migrimit të banorëve rugovas nga trevat e tyre sesa për ndonjë përshkrim gjuhësor që lidhet me natyrën e këtij studimi, këtu më poshtë po japim disa shënime që bazohen në monografinë e Hajdaraj (1996) dhe disa të tjera të nxjerra nga uebfaqe të ndryshme të internetit. Shënimet dëshmojnë se banorët e Rugovës, shumë kohë para migrimeve të fundit, kishin filluar të shpërnguleshin nga vendbanimet e tyre drejt vendeve që u mundësonin një jetë më të mirë. Në fillim zhvendosjet e tyre ishin të brendshme, d.m.th., migrime në afërsi, kryesisht në Pejë dhe rrethinën e saj. Më pas, nisin edhe emigrimet jashtë atdheut, së pari në SHBA dhe, në këto dy dekadat e fundit edhe në disa prej shteteve të Europës.
Migrimet përgjithësisht kanë karakter të ndryshëm dhe realizohen në faza të ndryshme. Nuk ka ndonjë studim të posaçëm për lëvizjet demografike të rugovasve, ndonëse disa autorë kanë përmendur këtë çështje në mënyra të ndryshme.
Duke u mbështetur në studimin monografik të Mark Krasniqit (1975), Hajdaraj paraqet të dhëna lidhur me numrin e familjeve dhe të popullsisë së Rugovës gjatë viteve nëntëdhjetë. Në vitin 1991, sipas tij, në 13 katundet e Rugovës kishte 719 familje me 7,049 banorë (Hajdaraj, 2016, f. 13). Sipas tij, në këtë vit në ekzil ndodheshin rreth 1,065 rugovas.
Nga përshkrimet e lëvizjeve demografike të rugovasve, del se shpërngulja e tyre ishte një proces i vazhdueshëm dhe se ritmet e tij lidheshin me kushtet jo të favorshme ekonomike, dimrat e gjatë e të ftohtë, si dhe me presionin politik që ushtrohej herë pas here mbi ta. Migrimet ishin të brendshme, dmth. rugovasit vendoseshin brenda territorit të Kosovës, në radhë të parë në Komunën e Pejës.
Migrimi i jashtëm duket se ka filluar në vitet e tetëdhjeta. Valë shpërnguljesh individuale fillimisht regjistrohen drejt ShBA, pastaj në Gjermani, Zvicër, Francë, Suedi dhe në numër më të vogël edhe në shtete të tjera perëndimore.
Këto migrime janë shtuar dukshëm pas luftës së fundit në Kosovë. Nga intervistat në terren del se migrimi individual i të rinjve, të cilët me kalimin e kohës bashkojnë familjen atje ose formojnë familje në vendin e ngulitjes, është i konsiderueshëm. Në këto rrethana shumë familje janë reduktuar në numër simbolik banorësh, shumica prej të cilave i takojnë brezit të vjetër.
Gjithë këto lëvizje të banorëve rugovas kanë lënë gjurmë në varietetin e tyre nativ. Nga vëzhgimet në terren hetohet qartë se ka përfunduar gati në tërësi procesi i këmbimit gjuhësor. Banorët e këtyre vendbanimeve janë në proces të zëvendësimit të varietetit e tyre gjuhësor me atë të gegërishtes verilindore.
Te folësit e këtij varieteti që kanë emigruar jashtë vendit vërehet një ruajtje e pjesshme e ndryshoreve gjuhësore të varietetit të origjinës edhe pas një qëndrimi mbi dy dekada. Megjithatë, për shkak të kontaktit të vazhdueshëm gjuhësor, e folmja e tyre shfaq ndërhyrje dhe elemente të huazuara nga gjuhët e mjedisit pritës. Ky realitet i ri gjuhësor i pjesëtarëve të këtij entiteti, që kanë imigruar jashtë vendit, vetëm është regjistruar. Nuk është bërë ndonjë interpretim, sepse, siç është thënë disa herë deri tani, qëllimi ynë fillestar dhe kryesori ka qenë vetëm përshkrimi i procesit të ndryshimit të varietetit gjuhësor të rugovasve, të cilët prej më shumë se dy dekadash jetojnë në qytetin e Pejës dhe në fshatrat rreth tij.
2.4. Varieteti gjuhësor si tipar identiteti
Migrimet e komunitetit rugovas, fillimisht brenda Komunës së Pejës e më vonë edhe jashtë vendit, kanë ndikuar në sjelljen e përgjithshme shoqërore të tij. Gjuha e folur është vetëm një nga komponentët që përcakton identitetin e bashkësive folëse. Në këtë kontekst, duhet theksuar se një rol të rëndësishëm luan identiteti rajonal. Megjithatë, ky identitet ndryshon sipas grupmoshave të caktuara. Personat më të moshuar tregojnë një lidhje më të fortë me vendlindjen, ndërsa të rinjtë, veçanërisht ata që kanë lindur dhe janë rritur jashtë Rugovës, shfaqin një ndryshim në perceptimet e identitetit (Ejupi & Lushaj, Shemsedini, 2025, f. 141).
Faktorë të ndryshëm ndikuan që folësit e këtij varieteti të nisin procesin e akomodimit gjuhësor ndaj varietetit lokal të vendbanimeve të reja, ndërsa prestigji më i lartë i varietetit vendas e bëri këtë proces të pashmangshëm.
Sipas teorisë së akomodimit gjuhësor të Giles & Powssland (1975), individët e modifikojnë mënyrën e të folurit për të ndërtuar apo ruajtur marrëdhënie sociale, shpeshherë përmes përafrimit ose largimit nga mënyra e të folurit të bashkëbiseduesit. Në rastin e komunitetit rugovas të zhvendosur në qytetin e Pejës, ky mekanizëm ka qenë i dukshëm, sidomos te brezi i ri dhe ai i mesëm. Të gjendur në një realitet krejtësisht të ndryshëm nga ai i origjinës, këta breza nuk kanë hezituar të përvetësojnë ndryshoret gjuhësore të varietetit të ri, konkretisht ato të gegërishtes verilindore. Pjesëtarët e këtyre dy brezave, jashtë mjedisit familjar, komunikojnë përmes varietetit të përdorur nga banorët vendës, duke përafruar kësisoj të folurën e tyre me atë të komunitetit pritës. Shembujt si ky paraqesin modele tipike të akomodimit konvergjues.
Ky proces, në rastin e brezit të ri, ndodh në mënyrë të natyrshme, për shkak të ndërveprimit të përditshëm me bashkëmoshatarët dhe ndikimit institucional të shkollës, e cila funksionon si agjent i fuqishëm i transmetimit të varietetit lokal. Brezi i mesëm, ndonëse i formuar gjuhësisht në Rugovë, e ka kuptuar herët se përdorimi i varietetit të origjinës në një ambient të ri shoqëror e gjuhësor do t’i margjinalizonte dhe potencialisht do t’i stigmatizonte. Prandaj, përmes një akomodimi të motivuar socialisht, ata zgjodhën ta përshtatnin të folurën me atë të komunitetit mikpritës, duke minimizuar distancën sociale dhe simbolike mes tyre dhe ambientit të ri urban.
Nga intervistat me pjesëtarë të këtij brezi del se gjatë procesit të komunikimit, posaçërisht në institucionet komunale dhe në takime të ndryshme me grupe të caktuara sociale, në të cilat shumicën e përbëjnë pjesëtarët e banorëve vendës, ata kujdesen që të përdorin varietetin e ri, atë që e flasin banorët vendës, d.m.th. gegërishten verilindore me nuancat e së folmes së Pejës me rrethinë. Shumë prej të intervistuarve janë shprehur se kanë qenë të vetëdijshëm për këtë përshtatje gjuhësore dhe se realizonin atë me qëllim që të mos dalloheshin nga shumica.
Coupland shprehet se të flasësh do të thotë të gjykohesh edhe si individ edhe si anëtar i grupit shoqëror (Coupland, 1988, f. 95). Ky faktor, dmth. përshtatja sociale e gjuhësore me të tjerët, për t’i ikur gjykimit individual e grupor, gjithnjë e kudo është më i shprehur në zonat urbane sesa në ato rurale.
Ndërkaq, brezi i vjetër i rugovasve, duke bërë jetë më të izoluar dhe duke pasur më pak kontakte me banorët vendës, siç do të shihet edhe te të gjeturat e këtij studimi, ende i ka ruajtur disa nga ndryshoret gjuhësore të varietetit të origjinës. Këtu në radhë të parë bëhet fjalë për trajtat e pjesores së foljeve me -ua, paskajoren e tipit me punua dhe për grupet e konsonantike kį dhe gį.
Mosndryshimi i tërësishëm i varietetit të tyre gjuhësor nuk e ka penguar komunikimin e këtij brezi me banorët vendës, sepse, në fund të fundit, pjesëtarët e një bashkësie folëse, gjuha e të cilës realizohet në formë varietetesh, sipas Ismajlit merren vesh ndër vete përtej këtyre variacioneve (2003, f. 154). Ndikimi gjuhësor nga nipërit dhe mbesat, të cilët shkolloheshin në një ambient të ri, ishte i dukshëm edhe në gjuhën e folur të këtij brezi.
Në periudhën e lëvizjeve stinore, para luftës së fundit në Kosovë, siç thekson Hajdaraj (2016, f. 13), kosovarishtja nuk kishte ndikuar në të folmen e rugovasve. Ky konstatim jep të kuptohet se identiteti i shpërfaqur përmes gjuhës/varietetit është shumë ngushtë i lidhur me përkatësinë gjeografike dhe me “ndërgjegjen gjuhësore” të folësve të një dialekti a të folmeje të caktuar. Në rastin tonë, ky qëndrim, posaçërisht i brezit të vjetër, do të shpjegohej me këmbënguljen e tyre për ta ruajtur identitetin rajonal edhe përmes ruajtjes dhe përdorimit të varietetit të tyre gjuhësor.
Përpjekje për ruajtjen e identitetit rajonal ky brez ka bërë që nga migrimet e para e deri më sot, kur ky proces konsiderohet i luhatur. Kjo prirje bëhet e dukshme posaçërisht në situatat kur komunikimi zhvillohet brenda llojit, pra kur folësit i përkasin të njëjtës përkatësi gjuhësore e gjeografike.
Nga ekspeditat në terren është vënë re se ndjenja e shpërfaqjes së identitetit të origjinës ndonjëherë del edhe te gjenerata e mesme. Në situata të caktuara ky brez provon përdorimin e varietetit të origjinës, pavarësisht se folura e tyre është e përzier edhe me elemente të varietetit vendës.
Nga intervistat me respondentë të këtij studimi rezulton se disa folës të këtij brezi, veçanërisht ata që janë më të vjetër, në situata të caktuara të komunikimit janë të motivuar ta përdorin qëllimisht varietetin e origjinës. Në pyetjen “Kur e përdorni rugovishten?” disa prej tyre kanë dhënë përgjigje të përafërta. Shumica janë shprehur se varietetin e tyre e origjinës e përdorin kur janë brenda grupit, ndërsa ka pasur prej tyre që kanë deklaruar se rugovishten e përdorin në rastet kur duan të dalin fitues, zakonisht në ballafaqimet e drejtpërdrejta me folësit vendës. Këto situata iu atribuohen “konflikteve identitare”, të cilat shfaqen në ndërthurjen ndërmjet përkatësisë gjuhësore dhe asaj regjionale. Në këtë kontekst, folësit gjenden përballë një tensioni mes ruajtjes së varietetit të origjinës, i cili bart vlera simbolike dhe emocionale të identitetit krahinor, dhe nevojës për t’u përshtatur me varietetin dominues të komunitetit pritës, që garanton përfshirje sociale dhe shmangie të stigmatizimit. Ky konflikt i brendshëm midis ruajtjes së autenticitetit kulturor dhe kërkesës për konformitet gjuhësor mund të përjetohet si presion i dyfishtë identitar, ku zgjedhja e një varieteti ndaj tjetrit nuk është thjesht çështje komunikimi, por përfaqëson një akt simbolik të pozicionimit social dhe kulturor.
Në shumë raste, ky konflikt shfaqet në formën e akomodimit të detyruar, ku ndryshimi i varietetit bëhet jo për shkak të një vendimi të lirë personal, por për shkak të dinamikave të pushtetit simbolik brenda komunitetit pritës. Si i tillë, procesi përfshin jo vetëm transformime gjuhësore, por edhe “negociata të vazhdueshme identitare”, ku individët duhet të balancojnë përkatësinë krahinore me përpjekjet për t’u pranuar në ambientin e ri socio-gjuhësor.
Siç shihet, identiteti gjeografik i një entiteti të caktuar, në këtë mes edhe i rugovasve, del i rëndësishëm në përcaktimin e kaheve të zhvillimit të varietetit të tyre gjuhësor. Pjesëtarët e një bashkësie folëse, e cila përdor një varietet tjetër gjuhësor, pasi shpërngulen dhe krijojnë vendbanime të reja në një territor ku flitet një varietet tjetër gjuhësor dhe folësit e tij përbëjnë shumicën e banorëve, nisin procesin e akomodimit gjuhësor ndaj varietetit të shumicës. Kjo përshtatje e sjelljes gjuhësore, në kuadër të sjelljes së përgjithshme shoqërore, çon drejt “konvergjencës gjuhësore” dhe identifikohet si hap i parë i ndryshimeve gjuhësore në nivel komuniteti (Auer & Hinskens & Kerswill, 2005, f. 343).
Në rrethanat e sotme ndërrimi i gjeneratave te ky entitet shoqëror është duke krijuar realitete të reja identitare gjuhësore e gjeografike. Të lindurit e të rriturit në vendbanimet e reja, bazuar në përgjigjet e dhëna në anketat e bëra me ta, nuk e mohojnë identitetin e paraardhësve të tyre, ndërkohë që për vetveten shprehen se janë vendës, banorë të Komunës së Pejës. Kësaj pyetjeje iu përgjigjen 30 nxënës, të cilët vinin nga shkolla të ndryshme të qytetit dhe disa fshatra përreth.
Studimet në sociolinguistikë tregojnë se bindje të ngjashme kanë edhe pjesëtarët e çdo etnie që, për një shkak ose tjetër, kanë emigruar në vende të tjera. Pas një kohe, me ndërrimin e gjeneratave, të lindurit në një vend tjetër nga ai i gjyshërve dhe prindërve të tyre, e ndjejnë veten si anas të vendit ku jetojnë, ndonëse nuk e mohojnë origjinën. Situata të tilla janë tipike për diasporën shqiptare, si për arbëreshët e Italisë, arbëneshët e Zarës së Kroacisë, mandricasit e Bullgarisë, shqiptarët e Karakurtit të Ukrainës dhe të tjerë. Ndonëse kanë kaluar shekuj nga emigrimi i tyre, ata vazhdojnë të mos e fshehin origjinën e të parëve të tyre. Në këto ngulime, gjenerata e vjetër, ndonëse numerikisht në zvogëlim të shpejtë, përpiqet të ruajë “gįuhën” e të parëve.
Marrë nga numri 27 i revistës “Akademia”. Vijon nga numri i kaluar i revistës, vazhdon në numrin e ardhshëm.



