ROMANI KOMIK
David Lodge
“Ta shohim tani cili është titulli i saktë që i keni vënë?” Dixoni vështroi nga dritarja fushat tutje, një jeshile e ndezur pas prillit me shi. Nuk e habiti efekti i zbulimit të dyfishtë nga diskutimi i gjysmë minutës së fundit, sepse ngjarjet e tilla përbënin temën kryesore të bisedave të Welchit, por shansi ta thotë me zë titullin e artikullit që e shkroi. Ishte titull i përsosur që kristalizonte budallallëkun irritues të artikullit, paradë e përmortshme e fakteve që detyrojnë – hapjen e gojës, pseudodritë që hidhej mbi joproblemet. Dixoni kishte lexuar ose kishte filluar të lexonte dhjetëra të tillë, por ky i tiji dukej më i keq se shumica në rrafshin e dobisë dhe rëndësisë së tij. “Në shqyrtimin e kësaj teme çuditërisht të neglizhuar”, kështu fillonte. Çfarë teme e neglizhuar? Çuditërisht cila temë? Kjo çuditërisht neglizhencë e çfarë? Të menduarit e gjithë këtyre pa e njollosur letrën dhe pa ia vënë flakën shkrimit daktilografik vetëm sa e bëri të dukej edhe më hipokrit dhe budalla. “Ta shohim”, tingëlloi si Welchi në përpjekje të shtirur kujtese: “Oh po, ndikimi ekonomik i zhvillimeve në teknikat e ndërtimit të anijeve, 1450 deri në 1485. Në fund të fundit, kjo është ajo që është .”…
Pa pasur mundësi të përfundojë fjalinë, ai shikoi përsëri në të majtë dhe hasi fytyrën e burrit që e shikonte ngultas rreth nëntë inç larg. Fytyra, që u alarmua teksa e vështronte, i përkiste shoferit të furgonit që Welchi e tejkaloi në kthesën e fortë midis dy mureve prej guri. Një autobus i madh tani tundej në pamje atje rreth kthesës. Welchi ngadalësoi pak, u sigurua të qëndronin akoma pranë furgonit kur t’i mbërrinte autobusi dhe tha me vendosmëri: “Epo, duhet ta them, kjo kryen punë” / KINGSLEY AMIS, Jimi fatlum (1954)
ROMANI KOMIK është lloj fiksioni anglez ose, së paku, britanik dhe irlandez, që jo gjithmonë rezulton i suksesshëm. Duke analizuar një nga romanet e vonshme të Kingsley Amisit, Punët e Jakeut, John Updike me përbuzje tha, “ambicia dhe reputacioni i tij mbeten në ndikimin e ‘romanit komik’”, duke shtuar: “Nuk ka nevojë të shkruhen ‘romane humoristike’ kur ballafaqimet në jetën aktuale, nëse shkruhen kujdesshëm, janë komedi e mjaftueshme”. Mjaft për kë, duhet pyetur. Sigurisht, tradita e romaneve angleze është e jashtëzakonshme për nga numri i romaneve komike midis atyre klasike, që nga veprat e Fieldingut, Sterneit dhe Smollettit në shekullin e tetëmbëdhjetë, përmes Jane Austenit dhe Dickensit në të nëntëmbëdhjetin, deri te Evelyn Waughti në të njëzetin. Edhe romancierët, qëllimi kryesor i të cilëve nuk është të shkruajnë romane humoristike, si George Elioti, Thomas Hardyi dhe E. M. Forster-, në fiksionet e tyre përmbajnë skena që na bëjnë të qeshim me zë, madje edhe për gjëra të njohura.
Komedia në fiksion duket se ka dy burime kryesore, megjithëse të lidhura ngushtë: situatën (që përfshin personazhin – një situatë që është komike për një personazh jodomosdoshmërisht është e tillë për tjetrin) dhe stilin. Të dyja varen thelbësisht nga koha, domethënë nga radhët ku renditen fjalët dhe informacioni që bartin. Ky parim mund të ilustrohet me një fjali të vetme nga vepra Shkarje dhe rrëzim e Evelyn Waughit. Në fillim të romanit, heroit të turpshëm e modest, Paul Pennyfeatherit, student i Oksfordit, ia heqin pantallonat një grup gazmor aristokrat i dehur dhe padrejtësisht përjashtohet nga universiteti për sjellje të pahijshme. Kapitulli i parë përfundon kështu: “Zoti i mallkoftë dhe i përplastë të gjithë në ferr!”, tha Paul Pennyfeatheri butësisht më vete ndërsa po shkonte me makinë në stacion dhe pastaj u turpërua, sepse rrallëherë mallkonte.
Nëse qeshim me këtë pjesë dhe mendoj se shumica e lexuesve qeshin, kjo ndodh për shkak të fjalës “butësisht”: ajo që në fillim të fjalisë duket si shpërthim i vonuar i zemërimit të heroit të viktimizuar, nuk del të jetë e tillë, por një shëmbëllim i mëtejshëm i ndrojtjes dhe pasivitetit. Efekti prishet nëse fjalia shprehet kështu: “Paul Pennyfeather tha butësisht me vete derisa shkonte me makinë në stacion, ‘Zoti i mallkoftë dhe i përplastë të gjithë në ferr!’”. Kjo tregon një tjetër karakteristikë të komedisë në fiksion: kombinimin e befasisë (Pauli së paku shpreh ndjenjat e tij) dhe përshtatjen me modelin (jo, në fund të fundit nuk është duke i shprehur ndjenjat).
Humori është çështje jashtëzakonisht subjektiv, por lexuesi duhet të jetë shumë zemërgur e të mos buzëqeshë me fragmentin e veprës Jimi fatlum, i cili shfaq të gjitha vetitë e fiksionit komik në formë shumë të rafinuar. Jim Dixoni është asistent ligjërues i përkohshëm në një universitet provincial, vazhdimi i punës i të cilit varet kryekëput nga përkrahja e profesorit të pamend dhe kërkohet që Jimi të demonstrojë kompetencë profesionale duke botuar një artikull shkencor. Jimi përçmon si profesorin ashtu edhe ritualet e mësimit akademik, por s’e përballon dot ta thotë këtë. Prandaj, pakënaqësinë e mban brenda, ndonjëherë si fantazi të dhunshme (p.sh. “ta lidh Welchin në karrige dhe ta godasë në kokë dhe shpatulla me shishe derisa të nxjerrë në shesh se përse, pa qenë francez, i ka pagëzuar djemtë e tij me emra francezë”) e herëve të tjera, si në këtë fragment, me anë të mendimeve satirike komenton sjelljen, diskurset dhe kodet institucionale që e maltretonin.
Stili i Jimit fatlum futi një ton të ri zëri në fiksionin anglez. Ai është i arsimuar, por nuk ka klasë, është elokuent, por nuk ka elegancë konvencionale. Saktësia e përpiktë skeptike e tij i detyrohej disi filozofisë së “gjuhës së zakonshme” që mbizotëronte në Oksford kur Amisi ishte student (ndikimi vërehet sidomos në shprehjen “pseudodrita që hidhej mbi joproblemet”). Vepra është përplot me surpriza të vogla, ndryshime dhe përmbysje, që dekonstruktojnë në mënyrë satirike klishetë dhe përgjigjet e gatshme.
Dixoni nuk i përgjigjet menjëherë pyetjes së Welchit lidhur me titullin e artikullit, megjithëse “nuk e habit efekti i zbulimit të dyfishtë nga diskutimi i gjysmë minutës së fundit”. Nëse jo, përse na tregon? Ekzistojnë dy arsye: (i) sepse ai bën një koment argëtues metaforik mbi zakonin irritues të Welchit të thotë diçka, sikur posa i ra në mend, që Jimie bën edhe vetë dhe (2) sepse krijon një vonesë, çast të vogël suspanse komike, që rrit zbulimin e arsyes së vërtetë të heshtjes së Jimit: turpërimin se duhet ta thotë me zë titullin e artikullit. Është titull “perfekt” vetëm në kuptimin ironik që filtron çdo tipar të diskursit akademik që Jimi e përçmon. “Dixoni kishte lexuar, ose kishte filluar të lexonte, dhjetëra si ky.”… Frazat në kursiv na tregojnë shumë për leximet e mërzitshme dhe të padurueshme të revistave akademike të Jimit. Analiza e tij jashtëzakonisht destruktive e fjalisë hyrëse të artikullit, ku çdo fjalë e formulës konvencionale shkencore u nënshtrohet pyetjeve tallëse, nuk ka nevojë të komentohet tutje. Mandej pason një kritikë karakteristike e Jimit mbi mosbesimin intelektual, një gjendje nga e cila dikur çlirohet në mënyrë të pavullnetshme për shkak se ligjëron i dehur për Merrie Englandin. Krejt në fund, kuptojmë titullin e artikullit, një epitomë e diturisë së thatë që shumë lexues akademikë të njohur të mi e mbanin në mend. Kjo shprehje mund të pasonte menjëherë pas pyetjes së Welchit pa e dëmtuar kohezionin narrativ, por do të humbte shumë nga efekti komik.
Pafuqia e Jimit mishërohet edhe fizikisht duke qenë pasagjer në makinën e Welchit dhe viktimë e pazot e vozitjes së tij të tmerrshme. Fjalia e mëparshme e rëndomtë dhe në dukje e tepërt, rreth Dixonit që shikon fushat e blerta nga makina, tani rezulton të ketë një funksion. Duke parë nëpër të njëjtën xham, disa çaste më vonë, Jimi alarmohet kur has “fytyrën e burrit që e shikonte ngultas rreth nëntë inç larg”. Surpriza kombinohet në pajtim me modelin (paaftësinë e Welchit). Krijohet një efekt me lëvizje të ngadaltë nga saktësia e shkujdesur e gjuhës (“rreth nëntë inç larg”, “u alarmua”, “tejkaloi”) në kontrast komik me shpejtësinë që i afrohej përplasjes. Lexuesit nuk i tregohet menjëherë se çfarë ndodh, ai duhet ta kuptojë duke rikthyer habinë dhe alarmin e personazhit. Gjithçka ka të bëjë me kohën.
Përktheu nga anglishtja: Meliza Krasniqi. Marrë nga numri 27 i revistës “Akademia”.



