Avokati i Popullit: Taksat gjyqësore mund t’ua mbyllin qytetarëve derën e drejtësisë

10 shtator 2026 | 10:40

Taksat gjyqësore të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ Nr. 03/2025 mund të krijojnë pengesa disproporcionale për qytetarët që kërkojnë drejtësi, ka vlerësuar Avokati i Popullit, Naim Qelaj, në një opinion të publikuar të enjten.

Institucioni ka analizuar ndikimin e këtij udhëzimi në realizimin e së drejtës për qasje në drejtësi dhe ka ngritur shqetësime lidhur me përputhshmërinë e tij me standardet kushtetuese dhe evropiane.

Sipas Avokatit të Popullit, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) ka kompetencë për miratimin e skemës unike të taksave gjyqësore, por kjo kompetencë duhet të ushtrohet në përputhje me të drejtën për qasje efektive në drejtësi dhe me parimin e proporcionalitetit.

“Taksat gjyqësore, ndonëse mund të justifikohen nga nevoja për administrim dhe funksionim efikas të gjyqësorit, nuk duhet të vendosen në atë mënyrë që të krijojnë pengesa disproporcionale për inicimin e procedurave gjyqësore apo për ushtrimin e mjeteve juridike”, thuhet në opinion.

Një tjetër çështje e ngritur nga Avokati i Popullit lidhet me destinimin e të hyrave nga këto taksa.

Sipas opinionit, taksat e përcaktuara me UA Nr. 03/2025 derdhen në Buxhetin e Kosovës dhe jo drejtpërdrejt në buxhetin e sistemit gjyqësor.

Për këtë arsye, IAP vlerëson se kjo “dobëson lidhjen ndërmjet rritjes së taksave dhe përmirësimit të funksionimit të gjyqësorit”.

Avokati i Popullit konsideron se çdo rritje e taksave duhet të arsyetohet në mënyrë të veçantë dhe të mbështetet në vlerësime konkrete për ndikimin e saj në qasjen e qytetarëve në drejtësi.

Sipas opinionit, problematike mund të jenë jo vetëm shumat e taksave, por edhe pagesat shtesë për ushtrimin e mjeteve juridike dhe pasojat procedurale që mund të shkaktohen në rast të mospagesës.

Avokati i Popullit paralajmëron se këto elemente mund të dekurajojnë qytetarët nga inicimi ose vazhdimi i procedurave gjyqësore.

“Rritja e konsiderueshme e taksave gjyqësore, pagesat shtesë për ushtrimin e mjeteve juridike dhe pasojat procedurale të mospagesës së tyre mund të krijojnë barriera financiare disproporcionale”, theksohet në opinion.

Kjo situatë, sipas IAP-së, mund të prekë veçanërisht qytetarët që nuk përfitojnë nga mekanizmat e përjashtimit nga taksat apo nga ndihma juridike falas.

Duke iu referuar standardeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Avokati i Popullit vlerëson se ekziston “rrezik real” që dispozitat e udhëzimit, në formën aktuale, të kenë efekte disproporcionale ndaj së drejtës për qasje në drejtësi.

Avokati i Popullit i ka kërkuar KGjK-së që ta rishqyrtojë sistemin e taksave gjyqësore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Monitoruesi i klimës i Bashkimit Evropian tha të enjten se…