Kreshnik Kaçiu zgjidhet kryetar i Gjykatës Administrative
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) ka zgjedhur Kreshnik Kaçiun kryetar të Gjykatës Administrative të Kosovës, me nëntë vota për dhe një kundër.
Mandati i Kaçiut në këtë pozitë do të jetë pesëvjeçar.
Procesi i përzgjedhjes dhe emërimit të kryetarit të Gjykatës Administrative është zhvilluar në mbledhjen e sotme të KGJK-së, ku janë shqyrtuar kandidaturat dhe rezultatet e vlerësimit.
Zëvendëskryesuesja e KGjK-së, Afërdita Bytyqi, ka bërë me dije se për këtë pozitë në garë ishin Kreshnik Kaçiu dhe Liridona Ajeti-Kajtazi.
Pas përfundimit të procedurave të vlerësimit, Kaçiu kishte arritur 74 pikë, duke kaluar pragun minimal prej 70 pikësh.
Ndërkaq, kandidatja Liridona Ajeti-Kajtazi nuk kishte arritur ta kalonte pragun minimal prej 70 pikësh dhe, për këtë arsye, nuk ishte rekomanduar për procedim në votim.
Bytyqi kishte propozuar që Kaçiu, pasi kishte kaluar pragun e përcaktuar, të procedohej për votim, ndërsa Ajeti-Kajtazi të mos rekomandohej.
Në votimin e zhvilluar më pas, KGJK-ja e ka zgjedhur Kaçiun në krye të Gjykatës Administrative me nëntë vota për dhe një kundër.



