KGJK shqyrton dërgimin e çështjes së buxhetit në Kushtetuese
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) po shqyrton mundësinë që çështjen e ndërhyrjes së Qeverisë në buxhetin e Këshillit ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese, për shkak të mungesës së theksuar të mjeteve financiare, raporton Ekonomia Online.
Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të KGJK-së, Shkëlzen Maliqi, tha se aktualisht Këshilli ka mbi 3.5 milionë euro detyrime ndaj operatorëve ekonomikë dhe për kompensimin e personave të dënuar pa bazë, ndërsa kërkesa buxhetore e KGJK-së për vitin 2026 është miratuar rreth 15 milionë euro më pak se shuma e kërkuar.
“Unë i kam paraqitur në detaje para Asamblesë së Kryetarëve gjendjen buxhetore që kemi. I kemi njoftuar edhe më herët se kërkesa buxhetore e Këshillit për vitin 2026 është miratuar me rreth 15 milionë euro më pak sesa kemi kërkuar”, tha Maliqi.
Ai theksoi se problem shtesë paraqet edhe mosbartja e mjeteve për menaxhimin e Pallatit të Drejtësisë, pas transferimit të kompetencave nga Ministria e Administratës Publike te KGJK-ja.
“Me transferimin e kompetencave nga Ministria e Administratës Publike për menaxhimin e Pallatit të Drejtësisë, edhe pse në marrëveshje është paraparë që buxheti të transferohet te Këshilli Gjyqësor, ai nuk është aprovuar dhe nuk është transferuar asnjëherë. Si rezultat i të gjitha këtyre mungesave, përfshirë edhe mungesat në subvencione për personat e dënuar pa bazë, në gjendjen aktuale buxhetore të Këshillit jemi mbi 3.5 milionë euro në minus, apo mjete që kemi borxh ndaj operatorëve dhe personave të dënuar pa bazë”, tha Maliqi.
Sipas tij, KGJK-ja po shqyrton mundësinë e lëvizjes së mjeteve mes kategorive buxhetore për të përballuar mungesat, ndërsa në tremujorin e fundit të vitit pritet t’i drejtohet Ministrisë së Financave me kërkesë për mjete shtesë.
“Po bëjmë gjithçka që është e mundshme për të bërë lëvizje mes kategorive buxhetore, sidomos te investimet kapitale, aty ku ka mungesë ose, si rezultat i vonesave në OSHP, nuk kemi arritur t’i realizojmë dhe t’i transferojmë. Por, patjetër që në tremujorin e fundit duhet t’i drejtohemi Ministrisë së Financave me kërkesë për lejimin e buxhetit për mbulimin e këtyre shpenzimeve. Në të kundërtën, nëse nuk miratohet buxheti, edhe sipas rekomandimit të Asamblesë së Kryetarëve për vitin 2027, të cilin e kemi paraparë edhe në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve, vitin e ardhshëm do të fillojmë me borxhe të mëdha”, tha ai.
Kryesuesi i KGJK-së, Rrustem Thaqi, tha se që nga themelimi i Këshillit si institucion i pavarur, nuk është përballur më herët me një situatë të tillë sa i përket mungesës së buxhetit.
“Duhet të nënvizoj një fakt: Këshilli Gjyqësor, prej themelimit të tij si institucion i pavarur, asnjëherë nuk ka qenë në një gjendje më të vështirë sa i përket mungesës së buxhetit. Këtë e kemi bërë të ditur te të gjitha institucionet përkatëse të vendit, te partnerët ndërkombëtarë dhe vendorë. Jemi të vetëdijshëm për gjendjen dhe kam thënë edhe më herët se, sikur Këshilli Gjyqësor të ishte një organizatë tjetër, atëherë do të ishim pranë insolvencës”, tha Thaqi.
Thaqi paralajmëroi se mungesa e buxhetit po e dobëson kapacitetin e KGJK-së për të ushtruar përgjegjësitë e tij dhe mund të cenojë pavarësinë e gjyqësorit.
“Mungesa e theksuar e buxhetit, në fakt, e bën Këshillin Gjyqësor të pa fuqishëm. Një Këshill që të realizojë funksionin e tij ligjor dhe kushtetues duhet të ketë fuqi dhe kapacitete. Në gjendjen në të cilën jemi, duhet thënë hapur se mungesa e buxhetit cenon pavarësinë e gjyqësorit në veçanti”, tha ai.
Sipas Thaqit, refuzimi i kërkesave buxhetore pa arsyetim dhe analizë të mirëfilltë pamundëson funksionimin normal të Këshillit dhe ndikon edhe në administrimin e gjykatave.
“Sido që të rrjedhë kjo çështje, do të adresohet në institucionet përkatëse. Sigurisht që refuzimi i kërkesave buxhetore pa një justifikim dhe pa një analizë të mirëfilltë thjesht pamundëson funksionimin normal të Këshillit në ushtrimin e detyrave të tij. Po flas në kuptimin e përgjegjësive ligjore dhe kushtetuese, si dhe në administrimin e gjykatave në përgjithësi. Kjo mungesë e buxhetit është theksuar si në pamundësinë e Këshillit për të realizuar objektivat e tij strategjike, ashtu edhe në funksionimin normal të gjykatave”, tha Thaqi.
Ndërkaq, Maliqi bëri të ditur se në KGJK është diskutuar edhe mundësia që çështja e ndërhyrjes së Qeverisë në buxhetin e Këshillit të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.
“Një prej diskutimeve që kemi pasur ka qenë edhe propozimi që ndoshta t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese sa i përket të drejtës së Qeverisë për të ndërhyrë në buxhetin e Këshillit Gjyqësor. Kështu që, edhe për këtë jemi të gatshëm, së bashku me Zyrën Ligjore dhe Departamentin për Buxhet, të bëjmë një propozim për Këshillin dhe, nëse Këshilli pajtohet, ndoshta ta shfrytëzojmë edhe këtë mjet juridik”, tha Maliqi.



