NË PRITJE TË DREJTËSISË PËR ÇLIRIMTARËT TANË
Forumi i Intelektualëve në Shtime, në mbledhjen e mbajtur, më 7 shtator 2026, njëzëri shprehu solidaritetin dhe mbështetjen e palëkundur për çlirimtarët tanë, të cilët prej vitesh po përballen me një proces gjyqësor, që ka prekur thellë familjet e tyre, bashkëluftëtarët, miqtë dhe mbarë shoqërinë tonë.
Në prag të 16 shtatorit, dita në të cilën presim me shpresë dhe besim të palëkundur vendimin e drejtë të Dhomave të Specializuara në Hagë, me bindjen se drejtësia duhet të mbështetet në fakte, prova dhe të vërtetën, e jo në paragjykime apo interpretime të historisë sonë të luftës për liri e të mbështetura në sajimet, paragjykimet dhe interpretimet e njëanshme të shërbimeve sekrete serbe!
Çlirimtarët tanë: Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi e Kadri Veseli, për të cilët sot presim drejtësi, janë pjesë e një historie të lavdishme dhe të dhimbshme të popullit tonë të shtypur me dekada e shekuj nga makineria shtypëse e Serbisë. Ata, dhe bashkëluftëtarët e tyre u rreshtuan në luftën çlirimtare në kohën kur Kosova përballej me dhunë, krime, dëbime dhe shkatërrim. Për këtë arsye, ne besojmë se lufta për liri dhe sakrifica e tyre e bënë të mundur lirinë tonë, e cila nuk mund të njolloset padrejtësisht. 16 shtatori, le të jetë një ditë e së vërtetës, e drejtësisë dhe dinjitetit. Më 12 shtator manifestojmë me dinjitet dhe me besim të plotë dhe, presim verdiktin e pafajësisë për çlirimtarët tanë të cilët sakrifikuan për liri e çlirim të Kosovës. Ne shpresojmë përfundimisht, që drejtësia të sjellë aktin lirues të pafajësisë duke i dhënë fund pritjes së gjatë dhe të mundimshme të këtij procesi gjyqësor. Gjithashtu, më 12 shtator, më shumë se kurrë mbarë popullin tonë na bashkon besimi se e vërteta mund të vonohet por nuk mund të mposhtet kurrë!
Në prag të vendimit përfundimtar Forumi i Intelektualëve në Shtime, shpreh respektin e thellë për të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë e Kosovës, duke shprehur solidaritetin e plotë me familjet e çlirimtarëve.



