Marshi i madh në mbështetje të krerëve të UÇK-së: Kurti e Abdixhiku s’i përgjigjen ftesës

11 shtator 2026 | 22:21

Të shtunën, nga ora 14:00, në sheshet kryesore të Prishtinës pritet të mbahet “Marshi për Liri”, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në prag të vendimit në Hagë, i cili pritet të merret të mërkurën, më 16 shtator.

Platforma “Liria ka Emër” ka njoftuar tashmë se ftesa për pjesëmarrje u është dërguar të gjithë liderëve të partive politike në vend.

“Ne i kemi ftuar të gjithë sikur në çdo marsh. Ftesa ka qenë publike, por u ka shkuar edhe të gjitha institucioneve dhe krerëve institucionalë e partiakë, të gjithëve me email, me mundësinë që të vijnë në marsh dhe mund të adresohen nëse dëshirojnë”, ka thënë Eliza Hoxha, raporton Nacionale.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë konfirmuar mbështetjen për marshin, ndërsa liderët e tyre do të jenë pjesë e tij. Të njëjtit u kanë bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen marshit.

Ndërkohë, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk janë shprehur në lidhje me pjesëmarrjen e tyre në këtë ngjarje.

Kurti, të premten, iu shmang një pyetjeje të gazetarëve në lidhje me atë nëse do të marrë pjesë apo jo në marsh.

Më pas, partia e udhëhequr nga ai doli me një komunikatë, në të cilën pretendoi se “e mbështet” marshin, duke thënë se “ata që e themeluan Gjykatën Speciale duhet t’i kërkojnë falje kombit shqiptar”.

Mes tjerash, kjo parti u shpreh:

“Edhe më i rëndë është dëmi ndaj së vërtetës historike. Drejtuesit e qëndresës, pra Shtabi i UÇK-së është vendosur në bankën e të akuzuarve, ndërsa shteti që kreu masakrat, dëbimet dhe zhdukjet me dhunë vazhdon t’i mohojë krimet, t’i lartësojë kriminelët dhe t’i strehojë të kërkuarit. Drejtësia e veçantë për çlirimtarin dhe pandëshkueshmëria për pushtuesin e shtrembërojnë historinë dhe e thellojnë padrejtësinë.

Përgjegjësia penale është individuale. Drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë. Gjykata e ndërtuar mbi përzgjedhjen etnike i cenon të dyja këto parime.

Ata që e votuan Gjykatën Speciale duhet të distancohen nga vota e tyre, ta pranojnë gabimin dhe t’u kërkojnë falje qytetarëve të Kosovës dhe kombit tonë, luftëtarëve të UÇK-së dhe familjeve të tyre.

Më 12 shtator marshojmë kundër atyre që e themeluan Gjykatën Speciale dhe për lirinë, drejtësinë, të vërtetën e luftës sonë çlirimtare”. /Nacionale

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-deputeti i PDK-së, Dr. Shaip Muja, i është drejtuar me…