Kuvendi konstituohet pa nënkryetarin e PDK-së
Pavarësisht mospjesëmarrjes së Partisë Demokratike të Kosovës nga seanca dhe tërheqjes së kandidaturës së Vlora Çitakut për postin e nënkryetares, procesi i konstituimit të Kuvenditu mbyll sot, pasi u zgjodhën të gjithë kandidatët e tjerë.
Kryesuesja e seancës, Albulena Haxhiu, tha se Kuvendi “nuk mund të mbetet peng i askujt, i asnjë subjekti politik” dhe se procesi do të vazhdojë me propozimet e LDK-së.
Kandidati i LDK-së për nënkryetar, Kujtim Shala, u zgjodh me 75 vota për.
Ndërsa, pas tetë kandidaturave të dështuara nga Lista Serbe, Kuvendi arriti ta zgjedhë edhe deputeteten serbe Tanja Vujoviqit, që mori edhe votat e Lëvizjes Vetëvendosje dhe disa nga LDK-ja.
Nga minoritetet joserbe u zgjodh deputetja boshnjake Emilija Rexhepi.
“Konsideroj që Kuvendi i Republikës së Kosovës konsiderohet i konstituuar”, tha Haxhiu, para se ta mbyllte seancën.
Ndërkohë, PDK-ja kishte njoftuar paraprakisht se nuk do të marrë pjesë në seancat e Kuvendit deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese për situatën e krijuar rreth konstituimit të legjislaturës. Ajo tha se ekspertët e partisë janë duke përgatitur lëndën që do t’i drejtohet kësaj gjykate për procesin e konstituimit.
Vendimi erdhi pasi Lëvizja Vetëvendosje ndryshoi qëndrimin dhe tha se do t’i mbështesë kandidatët e PDK-së dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për nënkryetarë të Kuvendit.
Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës ishin të vetmit nga ish-opozita që morën pjesë në këtë seancë, pasi që Aleanca qysh më herët kishte vendosur të mos merrte pjesë.



