Gazetari gjerman para vendimit për ish-krerët e UÇK’së: Ta barazosh Thaçin me Mlladiqin është gabim në shumë aspekte

13 shtator 2026 | 10:47

Gazetari gjerman i Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), Michael Martens, ka shkruar për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, pak para shpalljes së aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë.

Në një shkrim të publikuar në platformën “X”, Martens ka kundërshtuar krahasimin mes ish-presidentit Thaçi dhe ish-komandantit të forcave serbe në Bosnje, Ratko Mlladiq.

“Ta barazosh Ratko Mlladiqin me Hashim Thaçin, siç duket se disa po përpiqen ta bëjnë tani, është gabim në shumë nivele”, ka shkruar Martens.

“Ende është e tmerrshme, por dallimet numerike kanë rëndësi”, ka shkruar ai.

Martens ka përmendur edhe masakrën e Srebrenicës, duke thënë se UÇK-ja “nuk ka kryer asgjë që mund të krahasohet në mënyrë të largët me Srebrenicën”. Në të njëjtin kontekst, ai ka përmendur masakrat e kryera ndaj shqiptarëve në Kosovë, duke veçuar Mejën dhe Korenicën.

Një tjetër dallim që ai e thekson është kronologjia e luftërave. Sipas Martensit, Mlladiqi i ka kryer krimet në një luftë të nisur nga pala e tij, Beogradi dhe serbët, ndërsa UÇK-ja, sipas tij, ishte përgjigje ndaj viteve të “padrejtësisë sistematike dhe të mbështetur nga shteti” ndaj shqiptarëve në Kosovë.

“Një fakt megjithatë mbetet: UÇK-ja ka torturuar dhe vrarë edhe njerëz të pafajshëm, si shqiptarë ashtu edhe serbë”, ka shkruar Martens.

Ai ka ngritur edhe pyetjen se kush do të mbajë përgjegjësi për këto krime, nëse gjykata pranon argumentin e mbrojtjes së Thaçit se nuk ka ekzistuar një zinxhir funksional komandues në UÇK dhe, rrjedhimisht, nuk mund të ketë përgjegjësi komanduese.

“Krimet e luftës të kryera nga UÇK-ja dhe në emër të UÇK-së ndaj serbëve dhe shqiptarëve individualë janë kryer. Edhe avokatët e Thaçit nuk e mohojnë këtë. Kush do të përgjigjet për këto krime?”, ka shkruar ai.

Në pjesën e fundit të shkrimit, Martens ka rrëfyer edhe për pjesëmarrjen e tij në një përkujtim për viktimat shqiptare të Mejës dhe Korenicës.

Ai ka thënë se kishte pyetur pjesëmarrësit nëse ndonjëherë kishin parë serbë në këto përkujtimore. Fillimisht, sipas tij, përgjigjja ishte negative, por më pas dikush kishte përmendur aktivisten serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq, e cila, sipas Martensit, kishte qenë e pranishme edhe vitin e kaluar.

Martens ka kritikuar në fund edhe mungesën e njohjes në Serbi për krimet e kryera ndaj shqiptarëve në Mejë dhe Korenicë të Gjakovës, duke thënë se shumë prej atyre që flasin për gjendjen e serbëve në Kosovë nuk kanë dëgjuar, ose pretendojnë se nuk kanë dëgjuar, për këto ngjarje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kuvendi i Kosovës ka nisur vazhdimin e seancës konstituive, ndërsa…