Haga përballë provës së drejtësisë: më 16 shtator nuk gjykohen vetëm katër individë, por edhe mënyra se si trajtohet historia e Kosovës

13 shtator 2026 | 19:39

Procesi gjyqësor në Hagë ndaj Hashim Thaçit dhe bashkëakuzuarve të tij, përtej dimensionit të drejtpërdrejtë juridik, ka marrë një peshë të veçantë në debatin mbi interpretimin e historisë së luftës së Kosovës dhe raportin ndërmjet drejtësisë ndërkombëtare, provës dhe narrativave politike.

Në prag të 16 shtatorit, datë në të cilën pritet të marrë formë një prej momenteve më të rëndësishme të këtij procesi, profesori universitar, gazetari dhe publicisti Musa Sabedini për “Epoka e Re”, vlerëson se verdikti duhet të përcaktohet ekskluzivisht nga standardet juridike dhe fuqia provuese e materialit të paraqitur gjatë procesit, e jo nga konsideratat politike apo perceptimet e jashtme.

Sipas Sabedinit, thelbi i çështjes qëndron te parimi themelor i së drejtës penale: përgjegjësia individuale duhet të provohet përtej dyshimit të arsyeshëm.

Ai shprehet se, nëse ky standard aplikohet në mënyrë rigoroze dhe të paanshme, atëherë, sipas vlerësimit të tij, procesi mund të përfundojë me vendim lirues.

“Këtë nuk e them si dëshirë politike, por si përfundim të formuar nga mënyra se si e kam ndjekur dhe analizuar procesin. Në vlerësimin tim, Prokuroria nuk ka arritur ta ndërtojë bindjen për përgjegjësi penale në nivelin që kërkon standardi i provës përtej dyshimit të arsyeshëm”, deklaron Sabedini.

Ai e konsideron një aktgjykim të mundshëm lirues jo thjesht si përmbyllje të një procedure të gjatë gjyqësore, por si një moment me implikime më të gjera për mënyrën se si do të trajtohet dhe interpretohet e kaluara e Kosovës.

Në këtë optikë, Sabedini argumenton se procesi i Hagës nuk mund të shihet vetëm përmes fatit juridik të katër të akuzuarve. Sipas tij, çështja ka prekur edhe një debat më të gjerë: atë mbi kufirin ndërmjet përgjegjësisë individuale dhe përpjekjeve për t’i atribuar një lufte të tërë karakteristika kriminale mbi bazën e provave që, sipas tij, nuk kanë arritur nivelin e kërkuar juridik.

“Do të ishte fitore sepse do të vendoste një kufi të qartë ndërmjet përgjegjësisë individuale dhe një përpjekjeje për ta njollosur një luftë të tërë. Dhe do të ishte fitore sepse do të tregonte se, në fund, prova është më e fortë se propaganda”, thekson ai.

Sabedini e vendos procesin në Hagë në një kontekst edhe më të gjerë, duke e konsideruar atë një test për vetë kredibilitetin e drejtësisë ndërkombëtare.

Sipas tij, drejtësia nuk mund të jetë e besueshme nëse standardet e saj ndryshojnë në varësi të presioneve politike, interesave gjeopolitike apo narrativave të palëve në konflikt.

“Haga, në këtë kuptim, nuk është vetëm beteja e Thaçit dhe grupit të tij. Është edhe një provë për mënyrën se si drejtësia ndërkombëtare e trajton historinë e Kosovës”, thotë Sabedini.

Në argumentimin e tij, një vendim lirues do të kishte rëndësi përtej aspektit procedural, pasi do të afirmonte parimin se historia nuk mund të përcaktohet nga akuza, perceptime apo dëshmi të pakonfirmuara, por nga prova të testuara në një proces gjyqësor dhe të vlerësuara sipas standardeve të përcaktuara të së drejtës.

Megjithatë, Sabedini nënvizon se ajo që pret nga gjykata nuk është një vendim që i shërben Kosovës apo Serbisë, por një vendim që i shërben drejtësisë.

“Prandaj, ajo që pres nuk është një aktgjykim që i shërben Kosovës apo Serbisë. Pres një aktgjykim që i shërben drejtësisë. Dhe nëse drejtësia ndërtohet vetëm mbi prova të forta, të verifikueshme dhe të qëndrueshme, atëherë besoj se rruga çon drejt një vendimi lirues”, shprehet ai.

Për Sabedinin, 16 shtatori përfaqëson kështu më shumë se një datë në kalendarin gjyqësor.

Ai e sheh këtë moment si një pikë të mundshme referimi për Kosovën, veçanërisht për mënyrën se si lufta çlirimtare do të interpretohet në të ardhmen dhe se si do të ndahet përgjegjësia konkrete e individëve nga vlerësimi historik i një konflikti të tërë.

Në fund, sipas tij, rëndësia e procesit të Hagës qëndron pikërisht në këtë dilemë: a do të mbizotërojë prova mbi narrativën, standardi juridik mbi presionin politik dhe përgjegjësia individuale mbi përgjithësimin historik?

Përgjigjja, sipas Sabedinit, duhet të jepet jo nga politika, por nga drejtësia.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Do të më pëlqente shumë të shihja një Irlandë të…