Gara ilegale me vetura në Gjermani përfundon në aksident të rëndë
Një aksident i rëndë ka ndodhur të dielën rreth orës 16:00 në autostradën A8 në Gjermani, pasi një 23-vjeçar dyshohet se humbi kontrollin mbi një Mercedes-AMG të modifikuar dhe u përplas me dy automjete të tjera.
Policia gjermane dyshon se aksidenti ka ndodhur si pasojë e një gare ilegale me makina.
Në lidhje me rastin janë identifikuar edhe dy drejtues të tjerë, njëri me Lamborghini dhe tjetri me Porsche, të cilët dyshohet se ishin pjesë e garës.
Sipas policisë, drejtuesi 22-vjeçar i Lamborghini-t, i cili po udhëtonte pas Mercedesit, pësoi dëmtim të një gome pasi kaloi mbi mbetjet e aksidentit.
Ai vazhdoi rrugën deri në një pikë karburanti, ku dyshohet se u filmua duke tentuar ta riparonte përkohësisht automjetin, para se të largohej. Më vonë policia arriti ta identifikonte, shkruajnë mediat gjermane, transmeton Klankosova.tv.
Ndërkohë, edhe drejtuesi 20-vjeçar i Porsche-s është identifikuar nga autoritetet gjermane.
Policia, në koordinim me Prokurorinë e Saarbrückenit, ka sekuestruar tre automjetet e përfshira në rast.
Aksidenti la pas një fushë të madhe me mbetje në autostradë, ndërsa gjurmët e gomave dhe pjesët e automjeteve u shpërndanë në një gjatësi prej më shumë se 100 metrash.
Dy drejtuesit e automjeteve të goditura, 62 dhe 63 vjeç, pësuan lëndime të lehta.
Autostrada A8 mbeti e mbyllur në të dyja drejtimet deri pak pas mesnatës. Policia u ka bërë thirrje dëshmitarëve apo personave të tjerë që mund të jenë dëmtuar nga gara e dyshuar ilegale, të paraqiten për të dhënë informacion.



