PDK-ja dorëzon në Kushtetuese lëndën për konstituimin e Kuvendit, kërkon masë të përkohshme

14 shtator 2026 | 10:18

Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimeve dhe procedurave që lidhen me konstituimin e Legjislaturës XI të Kuvendit.

Kërkesa është dorëzuar nga kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, deputeti Përparim Gruda dhe avokati Faton Fetahu.

Kryetari i Grupit Parlamentar, Arian Tahiri, tha se PDK-ja po e dërgon sot këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese për të marrë një përgjigje përfundimtare për shkeljet që, sipas saj, kanë përcjellë procesin e konstituimit të Kuvendit.

“Sot po e dorëzojmë në Gjykatën Kushtetuese këtë lëndë, sepse pas gjithë asaj që ka ndodhur në Kuvend, është e domosdoshme që institucioni më i lartë i interpretimit të Kushtetutës ta thotë fjalën e vet. Kushtetuta dhe rendi kushtetues nuk mund të varen nga kalkulimet politike të askujt”, tha Tahiri.

Deputeti Përparim Gruda theksoi se kërkesa e PDK-së ka për qëllim rikthimin e funksionimit institucional mbi bazën e Kushtetutës.

“Ne po kërkojmë rikthimin e rendit kushtetues, jo vendosjen e rendit të Vetëvendosjes. Në Republikën e Kosovës rregullat i përcakton Kushtetuta, jo vullneti politik i një partie dhe as interpretimet që ndryshojnë varësisht prej interesit të momentit”, deklaroi Gruda.

Ndërkaq, avokati Faton Fetahu bëri të ditur se, krahas kërkesës kryesore, është kërkuar edhe vendosja e një mase të menjëhershme të përkohshme.

“I kemi kërkuar Gjykatës Kushtetuese që të vendosë menjëherë masë të përkohshme, në mënyrë që të parandalohet prodhimi i pasojave të mëtejshme juridike dhe institucionale nga një proces, kushtetutshmëria e të cilit tashmë është kontestuar para Gjykatës. Deri në vendimin e saj, nuk duhet të krijohen fakte të reja që mund ta thellojnë edhe më tej krizën kushtetuese”, tha Fetahu.

Në kërkesën drejtuar Kushtetueses kontestohet vendimi i 9 shtatorit 2026 për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, vendimi procedural i 11 shtatorit për mënyrën e votimit të nënkryetarëve, si dhe konstatimi i 13 shtatorit për konstituimin e Legjislaturës XI të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

PDK-ja kërkon që Gjykata Kushtetuese t’i vlerësojë këto vendime dhe procedura dhe të përcaktojë qartë pasojat juridike të shkeljeve eventuale kushtetuese.

Nesër, Partia Demokratike e Kosovës do ta dorëzojë në Gjykatën Kushtetuese edhe lëndën që lidhet me formimin e Qeverisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Besa Ismaili-Ahmeti  Shtatë vjet në politikë, shtatë vjet bllokim…