Murati: Paga e 13-të do të paguhet në fillim të vitit 2027
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se paga e 13-të për punonjësit e sektorit publik është e paraparë me Ligjin e Buxhetit dhe do të paguhet në fillim të vitit të ardhshëm.
Ai ka kundërshtuar gjithashtu deklaratat se komunat po penalizohen nga rishikimi i buxhetit, duke theksuar se një pjesë e konsiderueshme e mjeteve buxhetore u dedikohet pikërisht atyre.
“Gjysma e personelit që paguhet nga buxheti i shtetit është në komuna. Mjetet ndahen proporcionalisht dhe komunave u transferohen fondet për mbulimin e pagës së 13-të dhe përvojës së punës”, është shprehur ai.
Sa i përket pagës së 13-të, Murati ka thënë se ajo është paraparë në Ligjin e Buxhetit prej tri vjetësh dhe se pagesa për vitin 2026 ishte planifikuar të bëhej në fillim të vitit.
Ai ka shtuar se veprimet aktuale përbëjnë vetëm mbulim të hershëm të hendekut buxhetor, në përputhje me parashikimet ligjore. Sipas tij, paga e 13-të për vitin e ardhshëm do të paguhet në fillim të vitit 2027.
Murati ka thënë gjithashtu se, nëse miratohet rishikimi i buxhetit, punonjësit do të përfitojnë edhe pagesën retroaktive të shtesës për përvojën e punës prej 0.5 për qind, nga data e hyrjes në fuqi të Ligjit të Pagave deri në fund të vitit 2025.



