Ganimete Musliu: Ajo që e shqetësoi Kurtin ishte “Marshi për Drejtësi”
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka kritikuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke e akuzuar kryeministrin Albin Kurti se nuk është shqetësuar për çështjet që lidhen me konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë.
Përmes një postimi në Facebook, Musliu ka thënë se Kurti, sipas saj, “nuk shqetësohet nëse Kuvendi është apo jo i konstituuar”, e as nëse zgjedhja e tij si kryeministër dhe formimi i Qeverisë janë në përputhje me Kushtetutën.
Sipas deputetes së PDK-së, ajo që e ka shqetësuar Kurtin ka qenë “Marshi për Drejtësi”, i cili u mbajt në Prishtinë në përkrahje të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.
“Prandaj, ajo që pamë dje ishte një maskaradë politike, një përpjekje e dëshpëruar për ta zhvendosur vëmendjen dhe për ta mbytur zërin e qytetarëve që kërkojnë drejtësi”, ka shkruar Musliu.
Ajo ka theksuar se, sipas saj, zëri i qytetarëve nuk mund të mbulohet dhe se kërkesa për drejtësi nuk mund të heshtet.
“Por zëri i qytetarëve nuk mbulohet me maskarada. Drejtësia nuk heshtet. Dhe e vërteta nuk fshihet!”, ka përfunduar Musliu.



