Nesër seancë dëgjimore për Ballkanin Perëndimor dhe Kosovën në Kongres, dëshmon zyrtari i DASh-it
Nënkomiteti për Evropën i Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së do të mbajë të martën, më 15 shtator, një seancë dëgjimore me temë “Politika e ShBA-së dhe sfidat e sigurisë rajonale në Ballkanin Perëndimor”.
Në seancë do të dëshmojë Daniel J. Lawton, zëvendësndihmës sekretar i Shtetit në Byronë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit amerikan të Shtetit.
Sipas organizatës “Albanians for America”, seanca zhvillohet në një kohë kur Kongresi amerikan po tregon vëmendje të shtuar ndaj zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, përfshirë çështjet që prekin Kosovën dhe komunitetet shqiptare në rajon.
“Seanca e nesërme përbën një tjetër mundësi të rëndësishme që zhvillimet që prekin shqiptarët dhe të ardhmen e Ballkanit Perëndimor të marrin vëmendje në Kongresin amerikan”, ka njoftuar “Albanians for America”.
“Albanians for America” ka theksuar se gjatë vitit të fundit ka punuar për forcimin e komunikimit me ligjvënësit amerikanë dhe për përfshirjen e çështjeve të Kosovës, të drejtave të shqiptarëve në rajon, sigurisë dhe integrimit euroatlantik në diskutimet e politikës amerikane.
Në maj, kongresmenët Keith Self dhe Suhas Subramanyam kanë vizituar Kosovën dhe Luginën e Preshevës, ku ishin takuar me përfaqësues politikë dhe të komuniteteve lokale.
Në këtë kuadër, kongresmeni Self ka prezantuar edhe “Projektligjin për vlerësimin e diskriminimit ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, nismë që kërkon nga qeveria amerikane të vlerësojë trajtimin e pakicave etnike në Serbi.
Seanca do të mbahet në orën 10:00 sipas kohës lindore amerikane, përkatësisht në orën 16:00 sipas kohës së Kosovës.



