Baraliu për ankesën e PDK-së: Gjykata duhet të vendosë shpejt, çështja është urgjente
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e përfaqësuar nga kryetari i Grupit Parlamentar, Arian Tahiri, deputeti Përparim Gruda dhe avokati Faton Fetahu, ka deponuar të hënën lëndë në Gjykatën Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit.
Pas dorëzimit të ankesës, në një konferencë për media, Tahiri ka thënë se PDK-ja iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar masë që do të parandalonte dëmet institucionale.
Lidhur me këtë çështje, profesori i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu, ka thënë për “Indeksonline” se Gjykata Kushtetuese mund të caktojë një masë të përkohshme.
“Gjykata mund ta caktojë një masë të përkohshme, e vendos më shpejt ose do të duhet ta vendosë më shpejt, por nuk mendoj që ka nevojë për masë të përkohshme, sepse është çështje që është gjykuar”, ka thënë fillimisht Baraliu.
Ai është shprehur se Gjykata nuk ka një afat të caktuar për marrjen e vendimit.
“Gjykata nuk ka afat të caktuar për të marrë një vendim. Sipas rregullores, për çështje të caktuara janë 60 ditë, por ka raste kur çështja është trajtuar me muaj dhe vite. Derisa nuk ka ndonjë vendim nga Gjykata, Kuvendi mund të zhvillojë seanca, sepse nuk ka ndonjë masë të përkohshme”, ka thënë Baraliu.
Baraliu ka thënë se, në rast të konstatimit të shkeljeve, Gjykata Kushtetuese nuk përcakton automatikisht që vendi duhet të shkojë në zgjedhje, por vendos në mënyrë të njëanshme për çështjen kushtetuese.
Sipas tij, më e rëndësishmja është që Gjykata të vendosë shpejt, pasi çështja është urgjente.
“Gjykata duhet të vendosë shpejt, sepse çështja është shumë urgjente dhe nuk do të duhej t’i pengonte organet në veprimin e tyre, vetëm në rast se konsideron se ka shkelje të Kushtetutës”, ka thënë Baraliu.



