Bugaqku: Kushtetuesja ka afat deri në 60 ditë për të vendosur për lëndën e PDK-së

14 shtator 2026 | 13:33

Pas kërkesës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), të dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procesit të konstituimit të Kuvendit dhe kërkesës për masë të përkohshme, Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë se Gjykata Kushtetuese ka afat deri në 60 ditë për të marrë vendim për një kërkesë të tillë.

Bugaqku ka sqaruar për “Ekonomia Online” se afati prej 60 ditësh llogaritet nga momenti i parashtrimit të kërkesës në Gjykatën Kushtetuese.

“Kur kërkesat parashtrohen në përputhje me paragrafin 5 të nenit 113, siç ishte sot që u parashtrua, ku deputetët e deponojnë një çështje në Gjykatë duke kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës së ndjekur dhe përmbajtjes së vendimit, Gjykata Kushtetuese ka afat deri në 60 ditë me dhënë vendimin në fjalë. Pra, afati maksimal është afati prej 60 ditësh nga momenti i parashtrimit të kërkesës në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë ai.

Sa i përket kërkesës për masë të përkohshme, Bugaqku ka sqaruar se vendimi për të varet nga vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me rrethanat, faktet dhe pasojat e mundshme.

“Sa i përket çështjes së masës së përkohshme, ajo është një çështje që vlerësohet nga kolegji i Gjykatës Kushtetuese. Varësisht nga rrethanat, faktet dhe vlerësimi i dëmeve ose pasojave që mund të shkaktohen në rast se nuk vendoset masa e përkohshme”, ka deklaruar Bugaqku.

Ai ka theksuar se Gjykata duhet të vlerësojë nëse ekziston rreziku për dëme të pariparueshme dhe nëse vazhdimi i funksionimit të Kuvendit mund të prodhojë pasoja që cenojnë interesin publik ose rendin kushtetues.

Sipas tij, deri në një vendim ndryshe të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi konsiderohet funksional dhe vendimet e tij konsiderohen të vlefshme.

“Duhet kalkuluar që Kuvendi është funksional derisa të vendosë ndryshe Gjykata Kushtetuese. Pra, edhe vendimet e djeshme janë kushtetuese, ose konsiderohen si të tilla, deri në një vendim kur e vendos ndryshe Gjykata”, ka thënë Bugaqku.

Bugaqku ka thënë se nuk dëshiron ta paragjykojë vendimin që mund të marrë Gjykata Kushtetuese, por ka rikujtuar se KDI ka kërkuar sqarim lidhur me pasojat e tejkalimit të afatit kushtetues prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit.

“Ne kemi kërkuar dhe u kemi bërë thirrje deputetëve, së paku dhjetë prej sosh, kusht ky që vlerësohet, që ta dërgojnë çështjen në Gjykatë Kushtetuese për të marrë sqarimin se shkelja e afatit tridhjetëditor definitivisht ka apo jo pasojë për këta deputetë, ka apo jo pasojë për mandatin, legjitimitetin e mandateve, për ligjshmërinë e komplet legjislaturës së Kuvendit të Kosovës”, ka deklaruar ai.

Duke folur për situatën e krijuar pas konstituimit të Kuvendit pa zgjedhjen e nënkryetarit që i takon grupit të dytë parlamentar me më së shumti ulëse, Bugaqku ka thënë se edhe kjo çështje mund të kërkojë interpretim nga Gjykata Kushtetuese.

“Është konsideruar i konstituuar Kuvendi pa e zgjedhur një nënkryetar, i cili i takon këtij grupi të dytë parlamentar, ose grupit të dytë që ka më së shumti ulëse në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Dhe edhe kjo është çështje kushtetuese, çështje e interpretimit kushtetues që mund ta vendosë Gjykata”, ka thënë ai.

Sipas Bugaqkut, Gjykata Kushtetuese ka hapësirë të mjaftueshme për të dhënë sqarime dhe për të vlerësuar kushtetutshmërinë e procesit të konstituimit të Kuvendit, si dhe të vendimeve të mëvonshme për zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka…