Kosova pret verdiktin, 16 shtatori në sytë e qytetarëve nga Buroja në Podujevë
Më 16 shtator, pas më shumë se dy vjetësh gjykim, Haga do t’i japë Kosovës një verdikt për katër nga figurat më të njohura të luftës së saj: Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqin. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit – akuza për të cilat janë deklaruar të pafajshëm.
Por, larg sallës së gjyqit, “Radio Evropa e Lirë”, ka udhëtuar nëpër Kosovë – nga fshatrat e Drenicës, ku lufta dhe UÇK-ja janë ende pjesë e kujtesës së përditshme, deri te qytetet ku një brez i lindur pas luftës e sheh atë histori nga larg – për të dëgjuar se çfarë do të thotë 16 shtatori për ta.
Rreth dy mijë kilometra larg Hagës në Holandë gjendet fshati Burojë i Skënderajt, vendlindja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, tash e gati gjashtë vjet në paraburgim në Hagë.
Për Kadri Thaçin, bashkëfshatar dhe i afërt me familjen e ish-presidentit, verdikti që pritet më 16 shtator, nuk është thjesht një vendim gjykate.
Pas më shumë se dy vjetësh gjykim, atë ditë Gjykata Speciale pritet të shpallë aktgjykimin ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
Edhe pse shpreson për lirimin e tyre, vetëm mendimi për një dënim të mundshëm e rëndon.
“Në qoftë se dënohen, inshallah jo… Ndjehem keq. S’kam qejf as ta mendoj”, ka thënë 62-vjeçari.
Për të, akuzat ndaj Thaçit nuk përputhen me njeriun që ka njohur. Ai e ka përshkruar ish-kreun e UÇK-së si “shumë njeri të butë, shumë njeri të mirë, shumë njeri të dashur” dhe ka thënë se, qysh nga fëmijëria, ai ishte “i veçantë” në fshat.
Tash e gati gjashtë vjet, prej kur Thaçi, Selimi, Veseli e Krasniqi janë në paraburgim në Hagë, në Burojë procesi është bërë pjesë e bisedave të përditshme mes bashkëfshatarëve.
Raportin e plotë mund ta lexoni: KËTU



