Ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, sërish deklarohet i pafajshëm për korrupsion
14 shtator 2026
| 12:23
Gjykimi ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, ka vazhduar të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Krasniqi është deklaruar sërish i pafajshëm lidhur me akuzat për korrupsion, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Njësoj, ai ishte deklaruar edhe në seancën fillestare të mbajtur më 8 tetor 2024, si dhe në seancën e 3 korrikut 2025.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e ngritur më 19 gusht 2024, e akuzon Krasniqin për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Në mars të vitit 2025, Gjykata e Apelit kishte lënë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë lidhur me këtë çështje.



