‘Liria ka Emër’ në konferencë kombëtare: Po nisim një dialog të brendshëm për historinë tonë
Në prag të shpalljes së aktgjykimit përfundimtar nga Dhomat e Specializuara në Hagë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, po mbahet konferenca kombëtare “Lufta për UÇK-në”, e organizuar nga platforma qytetare “Liria ka Emër”.
Konferenca është hapur nga përfaqësuesja e platformës, Eliza Hoxha, e cila ka thënë se për gjashtë vjet ky proces gjyqësor ka qenë pjesë e pandashme e vëmendjes publike në Kosovë.
“Kjo konferencë vjen si moment për ta nisur një dialog të brendshëm për ne, vlerat tona të vërteta, për historinë tonë, për pikat tona të përbashkëta edhe nëse nuk pajtohemi, por ato duhet të jenë aty për t’i vlerësuar dhe adresuar”, ka thënë Hoxha.
Konferenca, përmes tri paneleve të diskutimit, synon të rikthejë vëmendjen te ndikimi që procesi gjyqësor në Hagë ka pasur në narrativën për historinë e vendit, kujtesën kolektive të popullit të Kosovës dhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në panelin e parë, me temën “Konteksti i ri i krijuar nga Dhomat e Specializuara”, po diskutojnë Enver Hasani, Ylber Hysa dhe Enver Hoxhaj.



