Mbrojtja e Thaçit kundërshton transkriptet: Fajësia nuk mund të bazohet në to
Avokatja e Hashim Thaçit, Sophie Menegon, ka kundërshtuar përdorimin e transkripteve nga Prokuroria në rastin për administrimin e drejtësisë në Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Gjatë deklaratës përmbyllëse të mbrojtjes, Menegon ka thënë se mbrojtja i kundërshton transkriptet në tërësi, duke argumentuar se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) nuk e ka përmbushur barrën e provës.
“ZPS-ja nuk e ka përmbushur barrën e provës dhe privilegjin e kundërvetëinkriminimit. Ne i kundërshtojmë transkriptet në tërësinë e tyre dhe nuk kundërshtojmë fjali të caktuara të transkripteve. Nuk pritet që tani mbrojtja të ketë barrën e provës ose të akuzuarit të kenë barrën e provës për të vërtetuar pasaktësinë”, ka thënë Menegon.
Ajo ka shtuar se një aktgjykim fajësues ndaj Thaçit nuk mund të mbështetet vetëm në këto transkripte.
“Shpallja fajtor në këtë çështje nuk mund të bazohet vetëm në shkallë të gjerë në transkriptet e ZPS-së. Personat që i kanë bërë këto transkripte janë të panjohur dhe mbrojtja nuk e ka pasur mundësinë që t’i marrë në pyetje ata”, ka deklaruar Menegon.
Deklarata e Menegon u bë gjatë paraqitjes së fjalës përfundimtare të mbrojtjes në rastin për administrimin e drejtësisë, ku Thaçi dhe katër të akuzuarit e tjerë përballen me akuza për vepra penale që lidhen me ndikimin në dëshmitarë dhe pengimin e procesit gjyqësor. Dhomat e Specializuara kanë njoftuar se deklaratat përfundimtare po zhvillohen më 10, 11 dhe 14 shtator.



