Bekim Sejdiu tërhiqet nga kandidatura për president

14 shtator 2026 | 18:48

Bekim Sejdiu është tërhequr nga kandidatura për president të Republikës së Kosovës, pas mungesës së mbështetjes së nevojshme në Kuvend.

Ai njoftoi se ishte kontaktuar dy javë më parë nga përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Më pas, Sejdiu kishte marrë pjesë në një takim të përbashkët me delegacionet e LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas tij, dy partitë kishin arritur pajtueshmëri që emri i tij të propozohej si kandidat jopartiak për president.

“E konsideroj këtë si besim të madh ndaj meje si person dhe një vlerësim për kontributin tim në jetën institucionale të Republikës së Kosovës”, shkroi ai.

Sejdiu deklaroi se e kishte pranuar kandidaturën për shkak të krizës institucionale dhe rrezikut që ajo të thellohej.

Ai tha se motivi i vetëm ishte të ndihmonte në zhbllokimin e ngërçit institucional dhe krijimin e institucioneve stabile.

“Komoditetin personal dhe indiferencën intelektuale nuk i kam konsideruar asnjëherë opsione kundruall nevojës për t’i shërbyer vendit, sidomos në situata krizash”, deklaroi Sejdiu.

Megjithatë, sipas tij, kandidatura nuk arriti ta siguronte mbështetjen e nevojshme parlamentare për zgjedhjen në postin e presidentit.

Ai vlerësoi se procesi kishte devijuar, duke u përfshirë në dinamikat dhe përplasjet e brendshme politike.

“Në rrethanat e krijuara, të karakterizuara nga mungesa e mbështetjes së nevojshme parlamentare për zgjedhjen time si Presidentit”, shkroi Sejdiu.

Ai njoftoi se për vendimin e tërheqjes i kishte informuar paraprakisht përfaqësuesit e LDK-së dhe të LVV-së.

Sejdiu falënderoi kolegët, miqtë, personalitetet publike, shoqërinë civile dhe mërgatën shqiptare në Shtetet e Bashkuara për mbështetjen.

Ai theksoi se lojaliteti institucional dhe patriotizmi kushtetues kanë qenë udhërrëfyesit e angazhimit të tij institucional.

“Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj nuk kanë nevojë për drama politike dhe thellim të polarizimit”, deklaroi ai.

Sejdiu u bëri thirrje partive që të gjejnë rrugëdalje nga kriza, e cila, sipas tij, po e venit shpresën e qytetarëve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se përkushtimi…