Çollaku nga Haga: Prokuroria Speciale ka pasur qasje armiqësore ndaj të akuzuarve

14 shtator 2026 | 22:13

Opinionisti Bekim Çollaku, ka kritikuar qasjen e Prokurorisë Speciale ndaj të akuzuarve në rastin që po gjykohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Në emisionin “Rubikon” i cili po transmetohet nga Haga, Çollaku ka thënë se, sipas tij, gjatë procesit gjyqësor është vërejtur një qasje e njëanshme dhe armiqësore ndaj ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Qasja e Prokurorisë Speciale në relacion me të akuzuarit, por edhe me krejt qytetarët e Kosovës, duke u nisur nga këto premisa që kjo gjykatë është monoetnike dhe se Prokuroria Speciale i përndjek vetëm shqiptarët e Kosovës, duke filluar nga rangu më i ulët, nga ushtari i UÇK-së, deri te nivelet më të larta të Shtabit të Përgjithshëm, atëherë ne kemi parë një anim të skajshëm nga ana e prokurorisë dhe një sjellje tërësisht armiqësore”, ka deklaruar Çollaku.

Ai ka kritikuar edhe vendimet e trupit gjykues lidhur me kërkesat e mbrojtjes, duke thënë se ato, sipas tij, janë refuzuar në mënyrë kategorike.

“Nga gjithë ky proces, asnjë kërkesë, çfarëdo qoftë ajo, ta lëmë anash lirimin eventual apo mbrojtjen në liri, është refuzuar në mënyrë kategorike nga paneli i trupit gjykues”, ka thënë ai.

Çollaku ka deklaruar se, pavarësisht këtyre zhvillimeve, besimi i shqiptarëve të Kosovës në drejtësinë e procesit ka qenë i palëkundur.

“Besimi i shqiptarëve të Kosovës ka qenë i palëkundur. Për këtë arsye u formua edhe kjo gjykatë, për t’iu dhënë përgjigje atyre pretendimeve të tmerrshme të raportit të Dick Marty-t”, është shprehur Çollaku.

Çollaku ka thënë se pret që vendimi përfundimtar të bazohet në faktet e paraqitura gjatë procesit dhe jo vetëm në pretendimet e Prokurorisë.

“Shpresojmë që prokuroria nuk do të mashtrojë dhe të vërë në lajthitje trupin gjykues. Besojmë te kredibiliteti i anëtarëve të panelit gjyqësor, që vendimin e tyre do ta marrin mbi faktet për të cilat ata janë të bindur dhe jo nga pretendimet e prokurorisë”, ka përfunduar Çollaku.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Analisti Imer Mushkolaj ka kritikuar vendimin e Bekim Sejdiut për…