Diatta i Prishtinës shpallet ‘Ylli i Javës’ në Superligë
Sulmuesi i skuadrës së Prishtinës, Assane Diatta është shpallur futbollisti më i mirë për xhiron e fundit të Superligës së Kosovës në futboll.
Federata e Futbollit të Kosovë (FFK), të martën ka bërë me dije se Diatta e ka fituar çmimin “Ylli i Javës”, i cili ndahet për lojtarin më të mirë të secilës xhiro.
Sikurse zakonisht, më të mirin e ka përzgjedhur Komisioni i Veteranëve të futbollit, që e ka vlerësuar lart paraqitjen e fundit të sulmuesit Diatta me fanellën e Prishtinës.
Në fakt, Diatta ishte fantastik në triumfin e Prishtinës 3:0 ndaj Feronikelit ’74, ndeshje në të cilën realizoi dy gola për t’I dhënë ekipit të tij fitoren e pestë në po aq ndeshje të luajtura në Superligë.
Për Diattan, kjo është hera e dytë që fiton çmimin “Ylli i Javës” në këtë sezon të Superligës pasi ishte shpallur edhe më i miri i xhiros së tretë.
Në pesë paraqitje deri më tani në elitën e futbollit kosovar, Diatta ka shënuar gjashtë gola dhe ka bërë dy asistime për Prishtinën.




