Yamal flet hapur: Unë dhe Mbappe jemi më të mirët, por unë e meritoj ‘Topin e Artë’

14 shtator 2026 | 13:40

Gara për “Topin e Artë” duket më emocionuese dhe më e paparashikueshme se kurrë, ndërsa në qendër të vëmendjes janë dy yjet e Barcelonës dhe Real Madridit, Lamine Yamal dhe Kylian Mbappe.

Yamal ka folur për emisionin Universo Valdano të Movistar, ku ka qenë i qartë për atë se kush, sipas tij, e meriton ta fitojë çmimin prestigjioz.

“Kujt do t’ia jepja ‘Topin e Artë’? Sinqerisht, mendoj se ndoshta ka vetëm dy lojtarë që janë më të mirët në botë, por unë e meritoj atë këtë vit”, ka deklaruar Yamal.

Ai ka theksuar se, sipas tij, vetëm ai dhe Mbappe janë aktualisht në nivelin më të lartë.

“Për mua, unë dhe Kylian Mbappe jemi dy lojtarët më të mirë dhe kushdo që i ndjek ndeshjet e di këtë”, është shprehur ylli i Barcelonës.

Edhe Mbappe kishte folur vetëm pak ditë më parë për kandidaturën e tij për “Topin e Artë”, duke vënë theksin te paraqitjet individuale.

“Gjithmonë kam besuar se ‘Topi i Artë’ duhet të shpërblejë një lojtar që spikat. Sigurisht, ekziston edhe aspekti kolektiv, i cili është i rëndësishëm, sepse futbolli është sport ekipor. Por, ky është një çmim individual”, kishte deklaruar Mbappe.

Francezi ishte shprehur i bindur se paraqitjet e tij gjatë sezonit e bëjnë atë pretendent serioz për çmimin.

“Mendoj se ofrova diçka ndryshe këtë vit. Prandaj besoj se mund ta fitoj ‘Topin e Artë’”, kishte thënë Mbappe.

Yamal, ndërkohë, e bazon kandidaturën e tij në trofetë e fituar me Barcelonën dhe Spanjën gjatë vitit. Fituesi i “Topit të Artë” për vitin 2026 do të shpallet më 26 tetor në Londër.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kapiteni i Forcës së Sigurisë së Kosovës E.V, ka përfunduar…