Skenderaj organizon përcjelljen e vendimit në Hagë, qytetarët ftohen në sheshin ‘Adem Jashari’
15 shtator 2026
| 12:17
Komuna e Skenderajt ka njoftuar qytetarët se nesër, nga ora 09:00, në Sheshin “Adem Jashari” do të nisë organizimi për përcjelljen e vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas njoftimit të komunës, shpallja e aktgjykimit pritet të nisë në orën 10:00 dhe do të transmetohet në ekran të madh në shesh.
Komuna ka ftuar qytetarët që të jenë të pranishëm dhe ta përcjellin së bashku këtë moment.
“Ftojmë qytetarët të jenë të pranishëm dhe ta përcjellim së bashku këtë moment të rëndësishëm në ekranin e madh, me shpresën që drejtësia do të triumfojë dhe Çlirimtarët tanë do të shpallen të pafajshëm”.
“Bashkë në pritje të drejtësisë!”, ka njoftuar Komuna e Skenderajt.



