Superliga e Kosovës në basketboll nis në fundjavë
Përkundër faktit se finalja e Superkupës së Kosovës në basketboll është shtyrë për dy javë, sezoni 2026/27 i Superligës do të nisë këtë fundjavë. Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ka bërë me dije se gjithçka është gati për fillimin e sezonit të ri, ku edhe këtë edicion do të garojnë tetë skuadra.
Zyrtarisht, Superliga do të nisë të shtunën, më 19 shtator, kur janë paraparë të zhvillohen dy ndeshje. Sigal Prishtina – Peja dhe Rahoveci 029 – Trepça janë dy përballjet e xhiros së parë, të cilat do të zhvillohen nga ora 17:00, përkatësisht 19:00.
Ndërkohë, të dielën, në të njëjtat orare, do të zhvillohen edhe dy ndeshjet e tjera të xhiros së parë. Bashkimi do të përballet me Golden Eagle Yllin, ndërsa Bora do të luajë ndaj Vëllaznimit. FBK-ja ditë më parë ka njoftuar se finalja e Superkupës së Kosovës, e paraparë të zhvillohej të mërkurën, është shtyrë për datën 29 ose 30 shtator. Në finalen e Superkupës do të përballen Trepça dhe Bashkimi.



