Oda e Mjekëve të Kosovës reagon për ndarjen nga jeta të Flora Brovinës: Humbëm një mjeke dhe humaniste të rrallë

15 shtator 2026 | 13:54

Oda e Mjekëve të Kosovës ka reaguar pas ndarjes nga jeta të Dr. Flora Brovinës, duke shprehur ngushëllime për familjen, kolegët dhe të gjithë ata që e njohën mjeken, humanisten, poeten dhe veprimtaren e shquar për çështjen kombëtare.

Në reagimin e saj, Oda e Mjekëve e ka përshkruar Dr. Brovinën si një figurë që ia kushtoi tërë jetën mjekësisë dhe shërbimit ndaj shoqërisë.

“Me dhimbje të thellë pranuam lajmin për ndarjen nga jeta të Dr. Flora Brovinës, mjekes pediatre, humanistes, poetes dhe veprimtares së shquar për çështjen kombëtare”, është thënë në reagimin e Odës së Mjekëve të Kosovës.

Gjatë luftës së Kosovës, Dr. Brovina vazhdoi të ofronte kujdes shëndetësor për gratë dhe fëmijët e prekur nga lufta, duke qëndruar pranë tyre edhe në rrethanat më të vështira.

Për angazhimin e saj humanitar, më 20 prill 1999 ajo u arrestua dhe u mbajt e burgosur në Serbi për rreth një vit e gjysmë.

Oda e Mjekëve të Kosovës ka theksuar gjithashtu se, në shenjë vlerësimi për kontributin e saj të jashtëzakonshëm në mjekësi dhe në shërbim të shoqërisë, më 11 shtator 2026 ka marrë vendim për t’i ndarë dekoratën për merita të veçanta me titullin “Ali Sokoli”.

“Me ndarjen e saj nga jeta, komuniteti mjekësor humbi një mjeke dhe humaniste të rrallë, ndërsa shoqëria jonë humbi një figurë që mishëroi guximin, përkushtimin dhe humanizmin”, është thënë në reagimin e Odës së Mjekëve të Kosovës.

Oda e Mjekëve të Kosovës u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes, kolegëve dhe të gjithë atyre që e njohën Dr. Flora Brovinën.

“Kujtimi për të do të mbetet i përhershëm, ndërsa për gjeneratat e reja ajo do të jetë model i përkushtimit ndaj pacientit dhe shërbimit ndaj shoqërisë. U prehtë në paqe”,  është thënë në reagimin e Odës së Mjekëve të Kosovës.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përkundër faktit se finalja e Superkupës së Kosovës në basketboll…