Behrami nga Haga: Një verdikt dënues do t’i shkundte themelet e shtetit të Kosovës
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, nga Haga ka deklaruar se dita e nesërme, kur pritet të shpallet aktgjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), do të jetë historike dhe mund të përcaktojë jo vetëm të tashmen e të ardhmen e Kosovës, por edhe mënyrën se si do të shihet e kaluara e saj.
Behrami ka deklaruar se një verdikt dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së do të ishte i papranueshëm për qytetarët e Kosovës dhe, sipas tij, do t’i “shkundte themelet e shtetit të Kosovës”.
Nga Haga, ku nesër pritet të shpallet aktgjykimi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, Behrami ka thënë se qytetarët e Kosovës po e presin verdiktin me ankth, por edhe me shpresën se paneli gjyqësor do të veprojë në mënyrë profesionale.
Sipas tij, nëse verdikti do të jetë dënues, nuk do të dënohen vetëm ish-krerët e UÇK-së, por edhe “nënat që kanë shërbyer ujë ushtarëve”.
“Dita e nesërme është një ditë historike, sepse ajo do të përcaktojë jo vetëm të sotmen, të kaluarën tonë, të ardhmen, do ta përcaktojë edhe mund ta ridefinojë edhe të kaluarën. Mendoj që i gjithë populli i Kosovës është duke e pritur me ankth, por edhe shpresë plot, që paneli gjyqësor duhet të jetë profesional. Duhet të bëjë revidimin e një gabimi tragjik që ka ndodhur tash e gjashtë vite gjatë procesit gjyqësor. Është përmbysur e gjithë vlera perëndimore, kushtetuta, ligjet, të gjitha konventat ndërkombëtare, të drejtat e njeriut të paraburgosurve edhe e drejta në gjyq, ku krerët e UÇK-së janë mbajtur pothuajse gjashtë vite në paraburgim, që nuk janë standarde madje as të Rusisë e Kinës. Paneli gjyqësor e ka një borxh shumë të madh ndaj Kosovës, e cila me nenin 35 është nën akuzë. Prej shefit të shtabit të përgjithshëm deri te një nënë që ka ofruar ujë ushtarëve të UÇK-së, të gjithë janë nesër nën akuzë dhe nesër do të merret verdikti jo për individ, jo për krerët e UÇK-së, por për të kaluarën tonë, se si e sheh bota”, ka deklaruar Behrami.
Deputeti i PDK-së ka thënë se përpjekjet, siç i ka cilësuar ai, për dënimin e krerëve të UÇK-së me çdo mjet do të ishin të papranueshme për qytetarët e Kosovës.
“Kjo tendenca me çdo mjet e mënyrë me i dënua krerët e UÇK-së do të jetë e papranueshme për qytetarët e Kosovës, të cilët ditë më parë në shesh e dhanë verdiktin e tyre. Megjithatë, ne kemi prapë shpresë që ky panel gjyqësor, që shtetet financuese të Gjykatës Speciale, që i ruajnë, hajde nëse jo Kosovën, trashëgiminë e tyre, mbështetjen që i ka dhënë UÇK-së në luftë, koordinimin me UÇK-në, mbështetjen për ndërtimin e shtetit të Kosovës, ta ruajnë atë trashëgimi. Në historinë e Perëndimit nuk është mbështetur kurrë një gjykatë e cila vetëm ka dënuar njerëz”, ka deklaruar ai.
Behrami ka kritikuar gjithashtu bilancin e deritanishëm të Dhomave të Specializuara, duke pretenduar se secili që ka hyrë në dyert e saj deri më tani është dënuar.
“Deri më tani kushdo që ka hyrë në dyert e kësaj gjykate është dënuar dhe kjo është e pafalshme, sepse kjo nuk ndodh as në Rusi e Kinë, as nëpër shtete të tjera autokratike. Nesër është në dorën e panelit që këtë ditë ta shndërrojë në një ditë të madhe të drejtësisë ndërkombëtare dhe jo në një ditë të madhe të padrejtësisë. Kosova në mirëbesim e ka ndërtuar këtë gjykatë. Me ShBA-në që kemi bërë rrugëtimin bashkë dhe kemi pasur fitore diplomatike së bashku, kemi besim… Një verdikt i tillë do të ishte i papranueshëm për qytetarët e Kosovës, sepse do t’i shkundte themelet e shtetit të Kosovës”, ka deklaruar Behrami.
Të mërkurën, në orën 10:00, pritet të shpallet aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët prej rreth gjashtë vitesh po përballen me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, nën akuzat për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.



