Gruda: PDK-ja nesër pret lirimin e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit

15 shtator 2026 | 16:18

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka deklaruar se partia e tij pret që nesër Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të shpallen të pafajshëm nga të gjitha akuzat në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Në një konferencë për medie, 18 orë para shpalljes së aktgjykimit, Gruda ka thënë se Kosova pret drejtësi dhe se PDK-ja beson në pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së.

“Ne e themi sot me shpresë dhe besim: nesër duam të festojmë. Duam t’i shohim Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin të lirë dhe në rrugën e kthimit në Kosovë. Deri atëherë, përgjegjësia jonë është e qartë. Do ta mbrojmë të vërtetën për luftën e UÇK-së. Do ta mbrojmë sakrificën e popullit të Kosovës. Do ta mbrojmë legjitimitetin e shtetit tonë”, ka deklaruar ai.

Gruda ka paralajmëruar se, në rast se aktgjykimi do të jetë ndryshe, ai do të kundërshtohet me vendosmëri, argumente dhe të gjitha mjetet juridike e demokratike në dispozicion.

“Prandaj, edhe partnerëve tanë ndërkombëtarë u kërkojmë të njëjtën gjë që kemi kërkuar gjithmonë: drejtësi të bazuar në prova, standarde të barabarta dhe respekt për të vërtetën historike të Kosovës”, ka thënë Gruda.

Duke iu referuar represionit, dhunës, dëbimeve, vrasjeve dhe krimeve të kryera ndaj popullit të Kosovës, Gruda ka thënë se historia nuk mund të rishkruhet.

“Në vitin 1999, UÇK-ja dhe demokracitë perëndimore u gjendën bashkë në anën e drejtë të historisë. Ky partneritet dhe kjo mbështetje ndërkombëtare i dhanë fund një katastrofe humanitare dhe hapën rrugën drejt lirisë dhe shtetit të Kosovës. Prandaj, historia e Kosovës nuk duhet të rishkruhet. Dihet kush ishte agresori dhe kush ishte viktima. Dihet kush ushtroi dhunë dhe represion, kush dëboi qindra mijëra qytetarë nga shtëpitë e tyre dhe pse bota demokratike ndërhyri”, ka theksuar Gruda.

Ai ka thënë se PDK-ja do ta mbrojë të vërtetën për luftën e UÇK-së, duke kërkuar që qytetarët dhe akterët publikë të ruajnë qetësinë.

“Nesër presim të ketë festë. Presim që drejtësia të triumfojë dhe çlirimtarët tanë të kthehen në atdheun e tyre, pranë familjes, pranë Kosovës dhe pranë qytetarëve tanë. Ne besojmë fuqishëm në pafajësinë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Në të njëjtën kohë, dua të jem po aq i qartë: nëse përballemi me padrejtësi, nuk do të heshtim dhe nuk do të dorëzohemi para saj. Do ta kundërshtojmë me vendosmëri, me argumente, me të gjitha mjetet juridike dhe demokratike që kemi në dispozicion”, ka deklaruar ai.

Gruda ka thënë se gjatë procesit gjashtëvjeçar janë ngritur, sipas tij, shqetësime për punën e Dhomave të Specializuara, trajtimin e disa dëshmitarëve dhe mënyrën e zhvillimit të procesit.

“Këto shqetësime janë legjitime, kanë qenë legjitime dhe meritojnë përgjigje, sepse ky proces nuk ka të bëjë vetëm me katër njerëz. Mënyra se si interpretohet lufta e Kosovës ka rëndësi për historinë dhe të ardhmen e Kosovës”, ka thënë Gruda.

Ai u ka bërë thirrje të gjithë akterëve publikë që të tregojnë maturi dhe të mos krijojnë panik të panevojshëm te qytetarët.

“Ne nuk mund të pranojmë që lufta çlirimtare e Kosovës të vendoset në të njëjtin plan me politikën shtetërore të agresionit, represionit dhe spastrimit etnik të regjimit serb. Prandaj, edhe partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe miqve tanë u kërkojmë një gjë që gjithmonë kemi kërkuar: drejtësi të bazuar në prova, në standarde evropiane dhe në të vërtetën historike të Kosovës”, ka deklaruar ai.

Në fund, Gruda ka përsëritur se PDK-ja pret lirimin e ish-krerëve të UÇK-së dhe se do të vazhdojë, sipas tij, betejën për drejtësi nëse vendimi nuk përputhet me pritjet e tyre.

“Do ta mbrojmë të vërtetën për luftën e UÇK-së, do ta mbrojmë sakrificën e popullit të Kosovës për liri, do ta mbrojmë legalitetin dhe legjitimitetin e shtetit të Kosovës dhe, nëse do të jetë e nevojshme, do të jemi të gatshëm të vazhdojmë betejën për drejtësi me vendosmëri të palëkundur, me argumente juridike dhe profesionale dhe me çdo mjet tjetër që ka nevojë. Kosova ka fituar lirinë e saj me sakrificë. Shtetin e kemi ndërtuar me përkushtim dhe të vërtetën e saj dhe të historisë sonë do ta mbrojmë me dinjitet deri në fund”, ka përfunduar Gruda.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka pritur në takim shefin…