10-shi i UÇK-së nuk e shkeli tokën e Kosovës që nga transferimi në Hagë
Ish-drejtuesi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Rexhep Selimi, nuk është kthyer asnjëherë në Kosovë që nga 5 nëntori i vitit 2020, kur u transferua në Hagë.
Për 5 vjet e 10 muaj, ish-deputeti dhe një nga figurat e UÇK-së ndodhet në paraburgim në Hagë, në kuadër të procesit gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Selimi ishte vetëdorëzuar te autoritetet e Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Më 4 nëntor 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar i kishte kontaktuar një nga një Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin.
Zyrtarët e ZPS-së nuk kishin arritur ta kontaktonin Selimin për më shumë se dy orë, nga ora 16:00 deri në 18:45, kur ai ishte përgjigjur dhe i kishte njoftuar se do të paraqitej.
Selimi kishte shkuar edhe më herët se ora e caktuar për paraqitje. Atij i ishte kërkuar të paraqitej më 5 nëntor në orën 10:00, por ai kishte mbërritur në orën 08:45.
Ndërkohë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi janë lejuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës që të vijnë në Kosovë në raste të veçanta dhe të ndjeshme familjare, përfshirë raste vdekjesh apo vizita shëndetësore të familjarëve të tyre të afërt.




