Kurti pas dënimit të krerëve të UÇK-së: Ndëshkim i madh e i dëmshëm, duhet të ndryshojë e korrigjohet në Apel
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Kurti, përmes një videoje të publikuar në “Instagram”, e ka cilësuar vendimin si “padrejtësi të papranueshme”, duke kundërshtuar dënimet e shqiptuara ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
“Shpallja fajtorë dhe dënimi kaq i rëndë për katër ish-krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, është padrejtësi e papranueshme, ndëshkim i madh dhe i dëmshëm”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka theksuar se aktgjykimi nuk duhet të barazohet me vullnetin e popullit të Kosovës.
“Aktgjykimi mund të jetë shqiptuar formalisht në emër të popullit të Kosovës, por kjo formulë e zbrazët nuk duhet ngatërruar me vullnetin e popullit”, është shprehur ai.
Kurti ka kërkuar që aktgjykimi të ndryshohet në shkallën e apelit.
“Ky aktgjykim patjetër duhet ndryshuar dhe korrigjuar në shkallën e apelit dhe atë sa më parë”, ka thënë kryeministri.
Në fund, Kurti ka shprehur mbështetje për familjet e të dënuarve dhe bashkëluftëtarët e tyre.
“Në këto momente të vështira, jemi pranë familjeve të ish-krerëve të UÇK-së dhe të gjithë bashkëluftëtarëve çlirimtarë”, ka përfunduar ai.



