Blendi Fevziu për vendimin e Hagës: Një padrejtësi e madhe
Një vendim që tronditi opinionin publik dhe riktheu në qendër të vëmendjes një prej kapitujve më të debatueshëm të historisë së Kosovës.
Gjykata Speciale në Hagë shpalli sot dënimet për katër ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, duke i dënuar përkatësisht me 25, 25, 18 dhe 13 vite burgim.
Vendimi, i dhënë pas gati gjashtë vitesh qëndrimi në paraburgim, ka shkaktuar reagime të forta në Kosovë dhe më gjerë. Mes zërave që e kanë cilësuar atë si një padrejtësi të madhe është edhe gazetari dhe moderatori i njohur Blendi Fevziu, i cili e ndoqi zhvillimin nga afër përmes një lidhjeje live nga Haga në emisionin “Rudina”.
Fevziu tha se sinjalet e para se vendimi mund të mos shkonte në favor të të akuzuarve ishin vënë re që në fjalën hapëse të seancës së sotme.
“Gjyqtari tentoi të bënte një veçim duke u shprehur se nuk paragjykohej e gjithë lufta e UÇK-së dhe gjithë ngjarjet e Kosovës dhe se ky është një episod i veçuar, gjë që nënkuptoi se nga episodi do të kishte një vlerësim tjetër nga vlerësimi i përgjithshëm, pra që nuk e ngarkonte me përgjegjësi luftën e Kosovës.”
Fevziu bëri të ditur se sinjalet negative kishin nisur që mbrëmjen e së martës, por, siç u shpreh ai, askush nuk e kishte parashikuar një vendim të përmasave të tilla.
“U diskutua që do të kishte dy të dënuar dhe dy të shpalleshin të pafajshëm dhe kjo ka qenë dhe në bisedën e zyrtares së gjykatës me një pjesë të trupit diplomatik në Kosovë, pra pak a shumë kishte një informacion se diçka nuk do të shkonte mirë. Kjo që pamë sot në gjykatë ishte tej të gjitha parashikimeve tona.”
Fevziu u ndal te vendimi ndaj ish-presidentit të Kosovës, dënimi i Hashim Thaçit duke e cilësuar atë si një zhvillim shokues.
“Hashim Thaçi u dënua nga një gjykatë e Kosovës me 25 vjet për asnjë krim të faktuar dhe asnjë ngjarje të faktuar, pra thënë ndryshe, Hashim Thaçi me kallashnikov në krah, që qëllon kundër policisë serbe me koshiencë të plotë, dënohet nga serbët me 10 vjet burg në mungesë, ndërsa Hashim Thaçi, që nuk i vërtetohet asnjë, asnjë rast konkret, u njoh fajtor për 62 vjet, por nga bashkimi i dënimeve u dënua me 25 vjet. Nga ky aspekt është shokuese.”
Blendi Fevziu u shpreh se ky dënim nuk do të ndikojë, sipas tij, në raportet me Serbinë. Megjithatë, sipas tij, këto vendime i konsideron një padrejtësi të madhe.
“Kjo është një padrejtësi e madhe. Kjo është ngjarje që lë gjurmë në historinë e Kosovës dhe i vë hije një prej momenteve më të rëndësishme në historinë e shqiptarëve, që ishte Lufta e Kosovës.”
Ai u shpreh gjithashtu se gjyqtari dha detaje për ta bërë sa më dramatike situatën dhe për të krijuar një situatë emocionale prekëse.
“Vendimi i gjykatës ditën e sotme nuk kishte asnjë lidhje me kontekstin e luftës… për të mos thënë ka gjykuar në mënyrë gjeopolitike me vendimin e sotëm.”
Sipas Fevziut, edhe pse është një ngjarje traumatike, Kosova është sot një realitet politik dhe shtet demokratik dhe i pavarur. /tvklan.al



